Qeveria nuk i jep leje Gjuriqit për të hyrë në Kosovë

Autori:Avdyl Pajaziti

Qeveria e Kosovës nuk i ka dhënë leje drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq që të hyjë nesër në Kosovë.

Ai kishte paralajmëruar pjesëmarrjen në protestën që organizohet nesër në veri të Mitrovicës për të kundërshtuar vendimin e gjykatës së EULEX-it për vazhdimin e paraburgimit për të dyshuarin për krime lufte, Oliver Ivanoviq.

Një burim i lajmi.net, brenda Ministrisë së Jashtme të Kosovës, ka thënë që refuzimi i është bërë Gjuriqit në bazë të proceduarave që kërkohen në këtë rast.
“Gjuriqit i është refuzuar kërkesa për hyrje në Kosovë, meqë ai nuk ka respektuar proceduarat sipas të cilave kërkesa duhet të bëhet 48 orë me herët”, ka thënë burimi i lajmi.net.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ditë më parë i kishte dërguar edhe një letër, shefit të misionit të EULEX-it në Kosovë, Gabriele Meucci, duke i kërkuar ndryshimin e masës së paraburgimit për Oliver Ivanoviqit duke e lejuar këtë të fundit që të mbrohet në liri.

I dyshuari për krime lufte, Oliver Ivanoviq, ka shtatë ditë që është futur në grevë urie duke kundërshtuar në këtë formë masën e përcaktuar me paraburgim nga një panel i EULEX-it. Gjatë ditës së sotme është raportuar që gjendja e tij shëndetësore është rënduar.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-nuk-i-jep-leje-gjuriqit-per-te-hyre-ne-kosove/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala