Qeveria nis negociatat me FMN-në

Autori:Avdyl Pajaziti

Kosova e ka të pashmangshme të futet në marrëveshje të re me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN). Hyrja në program të ri me FMN-në do të bëhet për shkak të ruajtjes së stabilitetit makro fiskal.

Burime të sigurta të KosovaLive kanë bërë të ditur se në fund të këtij muaji në Kosovë do të arrijë misioni i FMN-së i kryesuar nga Jacques Miniane, për të filluar negociatat me Qeverinë e Kosovës për programin e ri.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, pas kthimit nga Uashingtoni një muaj më parë, kishte thënë se Kosova ka stabilitet makrofiskal dhe nuk ka nevojë për programe me FMN-në për të ruajtur stabilitetin fiskal, por ka nevojë për mbështetje të FMN-së për të siguruar një kredibilitet të organizatave ndërkombëtare karshi financave publike për të cilat Kosova ka mundësi të hyjë në kredi ndërkombëtare.

Bindja e ministrit Hoti mund të mos zgjasë shumë pasi Qeveria e Kosovës do të jetë e detyruar të futet në program të ri, ndryshe do të rrezikojë stabilitetin fiskal.

“Misioni i FMN-së do të vijë në Kosovë më 28 maj dhe do të qëndrojë deri më 9 qershor të këtij viti. Qeveria e ka një rregull fiskale të cilën duhet ta ruajë. Trendet po flasin të kundërtën, që me ruajtë është zor, sepse ka shpenzime shtesë të pa-buxhetuara të cilat po vijnë si kontrata kolektive e marrëveshje tjera. Hyrja në program të ri do të jetë e domosdoshme për shkak të ruajtjes së qëndrueshmërisë buxhetore dhe stabilitetit fiskal”, ka thënë ky burim.

Gjithnjë sipas këtij burimi, marrëveshja e re me FMN-në pritet ta arrijë shumën rreth 200 milionë euro, porse kjo përcaktohet në bazë të kuotës të cilën Kosova e ka me FMN-në.

“Kosova si anëtare e FMN-së e ka kuotën e saj varësisht prej GDP-së dhe kjo e përcakton shumën se cila do të jetë në marrëveshjen e re”, ka thënë burimi.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë konfirmuar për KosovaLive se në fund të këtij muaji, Kosovën do ta vizitojë stafi i misionit të FMN-së ku edhe do të diskutohet për mundësinë e arritjes së marrëveshjes për një program me FMN-në.

Mirëpo, ata nuk kanë dhënë arsyet e futjes në programin e ri me FMN-në dhe çfarë formati do ta ketë programi.

“Për këtë çështje është ende herët që të japim deklaratë pasi që kjo do të varet nga zhvillimi i negociatave me stafin e misionit të FMN-së gjatë qëndrimit në Kosovë. Formati i programit do të dihet pas përfundimit të negociatave dhe varësisht nga rrjedha e negociatave dhe kushtet mbi të cilat dakordohen palët, detajet mbi marrëveshjen si dhe vet faktin se a do të ketë një të tillë mund të dihen vetëm pasi të përfundojnë negociatat”, thuhet në përgjigjet e dërguara nga Zyra për komunikim me publikun të Ministrisë së Financave.

S’mbahet shteti me ndihma e kredi, pa pasur zhvillim ekonomik

Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, FMN merret me problemet monetare të anëtarëve të saj. Prandaj ky institucion financiar ndërkombëtar gjithnjë intervenon te çdo shtet anëtar i FMN-së në qoftë se tejkalohen problemet financiare të cilat janë pa mbulesë. Në këto raste FMN me të drejtë intervenon për ta ruajtur stabilitetin financiar, me qëllim të shmangies të ndonjë krize ose bllokade financiare që do të ishte me probleme të mëdha politike, ekonomike dhe sociale.

Musa Limani profesor universitar i ekonomisë, ka thënë për KosovaLive se në këtë rast Kosova hynë në borxh, ku në njërën anë sigurohet stabiliteti financiar dhe në anën tjetër futet në borxh dhe rritë obligimet ndaj FMN-së.

“E mira e kësaj është që Qeveria t’i jep prioritet çështjes së zhvillimit ekonomik, i cili do t’i zgjidhte shumë probleme. Kështu nëse shkohet edhe më tutje, ‘anija veçse po fundoset’. Me ndihma, me kredi, me donacione e me ndryshime të normave të instrumenteve të politikës fiskale nuk shkon.

Por, duhet të bëhen reforma rrënjësore ekonomike duke përfshirë instrumentet e politikës fiskale, kreditore dhe të tregtisë së jashtme dhe të ndryshohen kahet negative të trendëve ekonomike nga ato pozitive”, ka thënë Limani.

Sipas tij, Qeveria urgjentisht duhet të bëjë reforma ekonomike dhe prioritet të prioriteteve ta ketë çështjen e zhvillimit ekonomik.

Të rikujtojmë se Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2013 pati realizuar me sukses marrëveshjen 20 mujore “Stand-By”, me të cilën pati përfituar rreth 107 milionë euro. Me arritjen e kësaj marrëveshje ishte vlerësuar se Kosova është në rrugë të mirë për të përfituar fonde për buxhetin e Kosovës nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, si FMN-ja dhe Banka Botërore. /KosovaLive/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-nis-negociatat-me-fmn-ne/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala