Qeveria ndanë 43 milionë euro për bujq

Autori:Avdyl Pajaziti

Bujqit kosovarë do të përfitojnë 43 milionë euro grante dhe pagesa direkte. Përfitues do të jenë fermerët dhe agropërpuniesit.  Për grante janë planifikuar 20 milionë euro, ndërkaq për pagesa direkte 23 milionë euro.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, fermerët mund të aplikojnë për të përfituar në kuadër të masave të programit të vitit 2015 për bujqësinë dhe zhvillimin rural, përmes të cilit MBPZHR-ja do të ofrojë mbështetje për shumë sektorë të bujqësisë, përfshirë këtu edhe kultura të reja bujqësore, të cilat nuk janë mbështetur në të kaluarën.

Krahas kësaj, rritja e buxhetit për MBPZhR-në ka ndikuar që  përveç zgjerimit të mbështetjes në sektorët tjerë, të rritet edhe shuma e mjeteve të ndara për sektorët që janë mbështetur edhe viteve të kaluara.

Ministria e Bujqësisë, në programin e sivjetmë për bujqësinë dhe zhvillimin rural, ka paraparë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për lulediell, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për pulari, për bletari, për derrari.

Ndërkaq, sivjet për herë të parë do të ketë subvencione edhe për pemishtet ekzistuese si dhe për raportimin e therjeve të gjedheve.

Ndërkaq, përmes granteve investive sivjet do të përkrahet prodhimtaria e qumështit, mishit, brojlerëve, vezëve.

Po ashtu përkrahje edhe sivjet do të ketë në agropërpunim përmes investimeve në pajisje dhe makineri për përpunimin, ruajtjen dhe marketingun e prodhimeve bujqësore, si dhe do të investohet edhe në diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit.

Pastaj, do të përkrahet edhe prodhimtaria e mjaltës, prodhimtaria e perimeve në fushë të hapur dhe serra, prodhimtaria e patates, prodhimtaria e mollës, dardhës, kumbullës, vishnjës, dredhëzës, mjedrës, manaferrës, boronicës, vreshtaria dhe bimët mjekuese.

Gjithashtu, do të vazhdojë përkrahja e fermerëve për modernizimin e mekanizmit të tyre bujqësor dhe krahas gjitha këtyre, këtë vit përsëri investohet në projekte për ujitjen e tokave bujqësore. Sivjet përmes masës së diversifikimit të fermave dhe zhvillimit të bizneseve do të mbështesim edhe zhvillimin e turizmit rural dhe turizmit në fermë.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-ndane-43-milione-euro-per-bujqe/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala