Qeveria, më pak miliona nga letrat me vlerë

Autori:Avdyl Pajaziti

Qeveria e Kosovës, sivjet ka arkëtuar më pak para përmes emetimit të letrave me vlerë.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), njofton se gjatë periudhës janar-mars 2015, shuma e letrave me vlerë të emetuara të Qeverisë së Kosovë arriti në 100 milionë euro, krahasuar me vlerën prej 116.4 milionë në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, raporton ORAinfo.

Kjo rënie sipas raportit të BQK-së, është ndikua prej ofertës së zvogëluar nga Qeveria e Kosovës, e cila zvogëloi shumën e letrave me vlerë të emetuara, më konkretisht ato me maturim prej 91 dhe 182 ditësh.

“Deri në mars 2015, kalendari i publikuar për letra me vlerë ka pasur gjithsej 5 ankande. Prej të cilave, 1 me afat maturimi 91 ditë, 1 me afat maturimi 182 ditë, 2 me afat maturimi 364 ditë, si dhe 1 ankand me afat maturimi dy vjeçar. Krahasuar me vitet e kaluara, kemi një orientim më të madh drejtë emetimit të letrave me vlerë me afat më të gjatë maturimi. Kjo zhvendosje, u ndikua nga ana e ofertës dhe normave të interesit më të larta në instrumentet afatgjata”, thuhet në raportin e BQK-së.

Që nga fillimi i emetimit të letrave me vlerë në vitin 2012, shuma e ofertuar vazhdimisht ka tejkaluar shumën e shpallur në ankande prej Departamentit të Thesarit në kuadër të Ministrisë së Financave.

“Në mars 2015, raporti në mes të shumës së ofertuar dhe asaj të shpallur në ankande ishte 1.9 herë më i lartë që është raport i ngjashëm në mars 2014. Rritja e përshpejtuar e kreditimit bankar gjatë tremujorit të parë 2015 si dhe ngadalësimi i rritjes së depozitave mund të kenë ndikuar që kërkesa për letra me vlerë nga bankat të mos shënojë rritje të mëtutjeshme. Ndikim të ngjashëm mund të ketë pasur edhe zhvendosja e një pjese të konsiderueshme të mjeteve të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës nga BQK-ja në sektorin e jashtëm”, thuhet në raportin BQK-së.

Norma mesatare e interesit në letrat me vlerë në periudhën janar-mars 2015 ishte më e lartë (1.8 përqind) krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (1.2 përqind).

Zhvendosja e emetimit të letrave drejt atyre me maturim afatgjatë ka ndikuar që norma mesatare e interesit gjatë kësaj periudhe të jetë më e lartë krahasuar me periudhën paraprake. /ORAinfo/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-me-pak-miliona-nga-letrat-me-vlere/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala