Qeveria kursen 11 milionë euro

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministri i Financave tè dielën në mëngjes nuk ka kursyer lavde për shefin e tij në Qeveri por edhe për vete sa i përket shpenzimeve buxhetore.

Ai ka bërë me dije se  gjatë tre muajve të parë të këtij viti, Qeveria Mustafa ka shpenzuar 13% më pak në mallra dhe shërbime, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Po ashtu, ka shpenzuar 5% më pak në paga dhe mëditje krahasuar me planin e shpenzimeve. Sipas Hotit në total, janë kursyer 11 milion euro. “Kjo është bërë e mundur nga masat që Kryeministri Mustafa ka ndërmarrë sa i përket: racionalizimit të udhëtimeve jashtë vendit, reduktimin drastik të përdorimit të veturave zyrtare dhe hapjes së ankandit për shitjen e disa veturave zyrtare, kontrollin e shpenzimeve për mëditje shtesë dhe masa të tjera”, thotë .

Hoti zotohet se kursimet do të vazhdojnë edhe më tutje. Qeveria gjithashtu po përgatit masa  tjera për këtë qëllim, të cilat do të bëhen të ditura për të gjitha organizatat buxhetore.

“Bashkë me buxhetin e vitit 2016 do të zhvillohen mekanizma për kontroll të shpenzimeve nga niveli i programeve dhe nën-programeve brenda organizatave buxhetore, mandej normativat për shpenzime për secilën veturë zyrtare, për secilin nëpunës, zyrë, njësi dhe departament. Kjo qasje mundësojë që kemi kontroll dhe informata të plotë dhe detale deri në nivelin më të ulët të shpenzimeve. Askush nuk do të mund të fshihet pas shifrave të përgjithshme. Secili zyrtar dhe organizatë buxhetore, dhe sidomos zyrtarët mbikëqyrës, do të marrin përgjegjësinë për shpenzimet e krijuara, të cilat shpenzime do të mund të arsyetohen vetëm me rezultate përkatëse”, thotë Hoti.

Me këto masa Hoti paralajmëron se do të mundësohet rritja e pagave, subvencionet, ndihmat sociale, pensionet, mbështetjen për bujqësi, etj. Gazeta Fjala

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-kursen-11-milione-euro/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala