Qeveria kundërshton grevën

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri Isa Mustafa ka deklaruar se greva në arsim e thirrur nga SBASHK’u është e paarsyeshme, sepse Qeveria ka bërë më shumë për arsimtarët sesa për shërbyesit tjerë civilë.

Duke folur në mbledhjen e Qeverisë, Mustafa është shprehur se shkollat nuk janë për t’u dhënë paga arsimtarëve, por për t’i mësuar fëmijët.

“Nuk ka asnjë arsye që të mos mbahet mësimi. Shkollat ekzistojnë që të sigurohet mësimi për fëmijët, jo që dikush të marrë pagë dhe të mos punojë e të mos mbajë mësim”.

“Duhet të gjithë ne të kemi përgjegjësi për këtë. Duhet të kenë përgjegjësi edhe punonjësit e arsimit, edhe organizatorët e grevës”

“Ne si Qeveri nuk do të përkrahim sjellje të tilla, vendime të tilla, s’do të përkrahim individë në sindikata të tilla”, ka thënë Mustafa.

Edhe Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka deklaruar se greva është e paarsyeshme, sepse nesër të gjithë mësimdhënësit do t’i kenë pagat me 0.5 për qind rritje sipas përvojës së punës.

Ai u ka bërë thirrje mësimdhënësve që mos të humbin kohë, duke pasur parasysh që është afruar fundi i vitit shkollor.

“Ata që nga nesër do t’i marrin pagat me pagesën e përvojës së punës. Unë uroj që sindikatat krahas përkujdesjes për pozitën e tyre materiale, të kujdesen edhe për pozitën e materiale të nxënësve tanë”.

Në mbledhjen e Qeverisë ndërkohë është miratuar raporti tre mujor i buxhetit për vitin 2015, programi për borxhin shtetëror 2016-2018, projektkorniza afatmesme e shpenzimeve për vitin 2016-2018 dhe vendime tjera.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-kundershton-greven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala