Qeveria: Kosova dëshmoi tolerancën fetare

Autori:Gazeta Fjala

Qeveria e Kosovës ka përshëndetur përfundimin pa asnjë incident të vizitave të pelegrinëve serbë në Kishën e qytetit të Gjakovës dhe në kisha, manastire dhe varreza nëpër disa qytete të tjera të Kosovës.

Qeveria e Kosovës, përmes një komunikate dërguar mediave, ka thënë se çmon lartë sjelljen e qytetarëve dhe të pelegrinëve gjatë këtyre vizitave si dhe përkushtimin e kryetares së Komunës së Gjakovës dhe autoriteteve lokale të Pejës, Deçanit, Suharekës, Prishtinës, Mitrovicës dhe komunave të tjera, ku kanë qëndruar pelegrinët serbë, si dhe Policinë e Kosovës, për profesionalizmin e dëshmuar.

“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se kjo është dëshmia më e mirë reale, e bashkëjetesës dhe tolerancës tradicionale që karakterizon qytetarët e Kosovës, të të gjitha etnive dhe besimeve fetare”, thuhet në këtë komunikatë.

Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj, thuhet në komunikatë të Qeverisë, janë të përkushtuar për të respektuar të gjitha vlerat demokratike evropiane, për të qenë pjesë e botës demokratike dhe e të gjitha organizatave ndërkombëtare që kanë të bëjnë me trashëgiminë, kulturën, arsimin e shkencën dhe avancimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të gjithanshëm ndërmjet kombeve në botë.

Me këtë rast, Qeveria e Kosovës vlerëson se pranimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), ditën e hënë, do të ishte një hap i rëndësishëm për fuqizimin e këtyre vlerave.

“Republika e Kosovës e meriton dhe është e gatshme të jetë anëtare e denjë e UNESCO-s, pasi që ndan dhe beson në vlera të njëjta me misionin e kësaj organizate”, përfundon komunikata.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-kosova-deshmoi-tolerancen-fetare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala