Qeveria ia prezanton BE-së raportin e dialogut me Serbinë

Qeveria e Kosovës ka paraqitur sot pranë Bashkimit Evropian Raportin mbi rrjedhat e dialogut të Brukselit dhe procesin e zbatimit të marrëveshjeve për periudhën mars 2015 – shtator 2015.
Në këtë raport, të nënshkruar nga ministrja, Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore në dialogun teknik të Brukselit, paraqitet vlerësimi i ekzekutivit kosovar për progresin dhe sfidat e procesit të Dialogut të Brukselit dhe zbatimit të marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas një njoftimi të Qeverisë, nNë ketë raport periodik paraqitet gjendja në të gjitha marrëveshjet e arritura deri tash në Bruksel, ku veçohen përparimet, ngecjet dhe sfidat për tejkalimin e tyre.
“Raporti analizon faktorët që kanë ndikuar në rezultatet, ku në mënyrë të veçantë potencohen shkeljet dhe vonesat që i ka bërë Serbia në këtë proces”.
“Marrëveshjet e arritura përfshijnë tema të tilla si: drejtësia, shpërbërja e mbrojtjes civile, asociacioni, heqja e barrikadës nga ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe policat e sigurimit të automjeteve”
“Të gjeturat e këtij raporti tregojnë për një progres të mirë në fusha të ndryshme të tilla si: drejtësia, shpërbërja e ‘mbrojtjes civile’, policat e sigurimit të automjeteve, ndërsa, në fushat e tjera duket se progresi është i kufizuar. Marrëveshjet e arritura më 25 gusht 2015 për energjinë, kodin telefonik për Kosovën, asociacionin dhe heqjen e barrikadës, janë në fazën fillestare të zbatimit”
“Qeveria e Kosovës ka qartësuar se krijimi i asociacionit nuk mund të ndodh para se Serbia të largojë plotësisht strukturat e saj ilegale në Kosovë. BE-ja i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese, prandaj Grupi Punues trepalësh do të mblidhet në Bruksel për të zgjidhur këtë çështje. Puna rreth hartimit të statutit të asociacionit dhe asaj për largimin e strukturave paralele do të zhvillohet paralelish” thuhet në kumtesën për media të ekzekutivit, transmeton Klan Kosova.