Qeveria i përgjigjet Visar Ymerit, debat brenda institucioneve

Autori:Gazeta Fjala

Qeveria e Kosovës ka lëshuar një njoftim për media ku theksohet gatishmëria e Kryeministrit Mustafa për debat rreth marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Kështu ekzekutivi i është përgjigjur një ftese të kreut të VV’së Visar Ymerit, i cili i ka bërë thirrje Mustafës për përballje rreth marrëveshje të fundit të arritura në Bruksel.

Por, Qeveria thekson se debati duhet të zhvillohet brenda institucioneve.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e Qeverisë:

Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, rishpreh gatishmërinë e plotë për të zhvilluar debat shterues dhe me argumente, brenda institucioneve të Kosovës, lidhur me marrëveshjet e arritura në Bruksel, më datë 25 gusht 2015.

Ashtu siç ka deklaruar në vazhdimësi, para dhe pas arritjes së marrëveshjeve të fundit, kryeministri Isa Mustafa është plotësisht i hapur që në seancën e ardhshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës të prezantojë çdo detaj të marrëveshjeve të arritura, dhe që të gjithë përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës, deputetët e opozitës dhe të pozitës, të debatojnë dhe të kërkojnë sqarime lidhur me çdo aspekt të marrëveshjeve në fjalë, duke përfshirë edhe marrëveshjen për asociacionin.

Qeveria e Kosovës është e përkushtuar maksimalisht për transparencë në çdo veprim të saj, e veçmas lidhur me vendime madhore që kanë të bëjnë me të ardhmen e shtetit dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Qeveria e Kosovës inkurajon të gjithë faktorët politik dhe opinionbërësit në vend, që të jenë pjesë aktive e debateve të moderuara dhe me argumente, duke mos i krijuar hapësirë gjuhës dhe veprimeve ofenduese dhe kërcënuese ndaj personaliteteve publike, familjarëve dhe qytetarëve të tjerë të Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës rithekson se marrëveshjet e arritura në Bruksel janë në përputhje të plotë me ligjet dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se ato do të fuqizojnë sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Me këto marrëveshje, të mbështetura fuqishëm nga partnerët strategjik të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, Serbia e ka njohur shtetin e Kosovës dhe Kosovës i është hapur perspektivë e fuqishme integruese në strukturat euroatlantike, në organizatat ndërkombëtare dhe në Kombet e Bashkuara.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-i-pergjigjet-visar-ymerit-debat-brenda-institucioneve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala