Qeveria i del në mbrojtje Hajredin Kuçit

Autori:Avdyl Pajaziti

Përmes një kumtese për medie, Qeveria e Republikës së Kosovës thotë se e dënon ashpër sulmin ndaj ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, të kryer të premten nga Lëvizja Vetëvendosje.

Veprimet e tilla të dhunshme, rrezikojnë shëndetin dhe dinjitetin e përfaqësuesve të institucioneve legjitime të Kosovës dhe kanë për synim të frenojnë progresin dhe proceset integruese evropiane të Republikës së Kosovës, thotë kumtesa.

Ky akt i ulët, i kryer në ditët kur Republika e Kosovës, pas nënshkrimit të MSA-së është në prag të anëtarësimit në UNESCO dhe pret liberalizimin e vizave, dëshmon përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të penguar dhe pamundësuar realizimin e interesave madhore të Kosovës, duke përfshirë edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së.

Qeveria e Republikës së Kosovës, i bën thirrje përfaqësuesve të tjerë opozitarë që të distancohen dhe të mos bëhen pjesë e kësaj agjende antishtetërore, dhe që së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës, të jenë pjesë e angazhimeve për zhvillim ekonomik, sundim të rendit dhe ligjit, integrim në struktura euroatlantike dhe fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar, në partneritet të përhershëm me SHBA-të dhe vendet e BE-së.

Qeveria e Kosovës, po ashtu, fton organet kompetente që të marrin masa në parandalimin dhe ndjekjen e kryerësve të akteve të tilla të dhunshme dhe të ulëta.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-i-del-ne-mbrojtje-hajredin-kucit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala