Qeveria garanton për 51 autobusët e Prishtinës

Qeveria e Kosovës ka dhënë garanci lidhur me kredinë e dhënë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – BERZH për ndërmarrjen publikë Lokale ”Trafiku Urban”, për furnizimin e saj me 51 autobusë të rinj, që do të operojnë në gjashtë linja të kryeqytetit.
Këtë vendim Qeveria e mori, pasi një ditë më parë ishte akuzuar nga Komuna e Prishtinës se nuk po jep garancionin e saj, që i takon me ligj lidhur me marrëveshjet ndërkombëtare.
Propozimin për këtë nismë e arsyetoi ministri i Financave Avdullah Hoti, i cili tha se BERZH tashmë ka njoftuar se kjo marrëveshje ka mundësi të realizohet në aspektin financiar dhe ekonomik.
“BERZH ka përgatitur një raport teknik ku konkludohet se investimi në 51 autobusë që do të qarkullojnë në 6 linja është një investim financiarisht dhe ekonomikisht i volitshëm. Në fazën e tanishme, Trafiku Urban i është drejtuar Ministrisë së Financave me kërkesë për garanci të sovranit si pjesë e pakos për financimin e këtij projekti. Në mënyrë që trafiku urban të negociojë për kushte më të volitshme me BERZH është parashtruar kjo kërkesë e lartpërmendur për garanci shtetërore dhe bazuar në ligjin 04L. 052 për Marrëveshje Ndërkombëtare, Ministria e Financave kërkon miratimin e Nismës për Marrëveshje Ndërkombëtare”, tha Hoti.