Qeveria futet në borxh

Autori:Zekirja Shabani

Qeveria e Kosovës do të marrë kredi 21 milionë euro për ta implementuar ligjin për sigurimet shëndetësore, si dhe 24 milionë euro për projektin e efiçiencës së energjisë dhe energjinë e ripërtritshme.

Kjo u bë e ditur në mbledhjen e komisioni për buxhet dhe financa, ku u miratua projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për financim të lidhur ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për projektin e reformës shëndetësore.

Naser Osmani, kryetar i komisionit parlamentarë për buxhet dhe financa ka thënë se nga kjo shumë do të përfitojnë familjet e kategorisë me asistencë sociale.

“Ka të bëjë më tepër me këtë zbatimin ligjit shëndetësore sidomos për pagesën që duhet të paguaj kjo kategoria e asistencës sociale, pjesa e varfër e qytetareve që s’kanë mundësi dhe s’kanë të hyra dhe parashihen që të mbulohet nga kjo shumë”, ka thënë ai.

Në ndërkohë, ministri i financave Avdullah Hoti e ka prezantuar si një çështje që tashmë është e paraparë edhe me program qeverisës dhe që kushtet e kësaj kredie janë të favorshme.

”Kushtet për këtë kredi janë shumë të favorshme janë në përputhje edhe me strategjinë që janë për borxhin publik kanë orientime tek institucionet ndërkombëtare për shkak të normave më të ulëta të interesit që është mesatarisht 1 deri në 1.5 për qind më të ultë se sa borxhi i brendshëm që momentalisht kemi dhe me një greis periudhë prej 5 viteve me një afat të kthimit shumë më afat gjatë se sa borxhi i brendshëm”, ka thënë Hoti.

Kjo shumë, sipas ministrit Hoti do të investohet në objekte komunale në shkolla, shtëpi të shëndetit, izolimin e objekteve për ruajtjen e energjisë edhe në vendosjen e pajisjeve për shfrytëzimin e energjisë së ripërtritshme.

Po ashtu, komisioni ka votuar për procedim të mëtutjeshëm në kuvend, kërkesën e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për bashkëfinancimin e projektit të Komunës së Gjakovës që sipas kryetarit të komisionit Naser Osmani, kjo është një kërkesë e agjencionit të lartpërmendur për shumën 20 mijë euro për transfer nga pozicioni që i kanë pasur të ndara për kompleksin memorial Adem Jashari.

Ndërsa, komisioni për buxhet dhe financa ka vendosur qërekomandimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Personat e Pagjetur dhe Peticione, do të formohet një grup punues ku do të shqyrtohet me ZRRE-ja.

Po ashtu, komisioni ka miratuar me vërejtje edhe i Projektligji nr. 05/L-09 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.03/L-087 për Ndërmarrjet Publike me amendamentet e Komisionit funksional për Zhvillim Ekonomi, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.

Osmani kishte vërejtje për amendamentet e kërkuara nga Lëvizja Vetëvendosje por që tha se nuk kanë afat kohor të bëjnë ndryshim .Sipas tij, amendamenti i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është praktik pasi ata kanë kërkuar që shitja e aksioneve të ndërmarrjeve të bëhet me votim të 2 të 3-tave të votave të parlamentit.

“Unë e kamë një shqetësim..Unë si deputet edhe si njeri që jam më i profilizuar për çështje ekonomike dhe financiare amendamenti 8 i propozuar nga Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes me përkrahjen e komisionit për mu s’ka kuptim, neni 9 të ligjit bazik i shtohet paragrafi me numër rendor 9.2 me tekstin si në vijim shitja e aksioneve të ndërmarrjeve nga neni 11.3 të këtij ligji mund të tjetërsohen vetëm pasi ligji miratuar i qeverisë të jetë votuar nga kuvendi i Kosovës me 2 të 3 e të gjithë deputetë e Kosovës një vendim i qeverisë për një tjetërsim të një ndërmarrje me 80 vota unë ju garantoj se kurrë ska me kaluar”, ka thënë Osmani.

Ky projektligj nuk kishte implikime buxhetore dhe u votua dhe procedua për votim në Kuvend.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-futet-ne-borxh/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala