Qeveria e Kosovës: MSA i hap rrugë proceseve integruese në BE

Qeveria e Republikës së Kosovës, përshëndet miratimin e sotëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës të Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike.
Përmes një komunikate dërguar medieve, Qeveria e Kosovës e konsideron këtë vendim shumë të rëndësishëm për shtetin dhe qytetarët e Kosovës, i cili i hap rrugën proceseve të mëtejshme integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, vendos bazamentin e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së, që përbën një mundësi shumë të mirë për ndërmarrjen e reformave për fuqizimin shtetit ligjor, krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik, thellimin e bashkëpunimit ekonomik e tregtar me vendet e BE-së, dhe përafrim të gjithanshëm të Kosovës me vlerat dhe standardet evropiane”, thuhet në komunkatën e Qeverisë së Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet se do të punojë me përkushtim edhe më të madh për përmbushjen e të gjitha kritereve të parapara në këtë Marrëveshje, që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian brenda një periudhe optimale”, thuhet tutje.
Qeveria e Kosovës falënderon Bashkimin Evropian dhe të gjitha shtetet anëtare të saj, si dhe të gjitha institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës për përkushtimin e palëkundur për të quar përpara agjendën evropiane, si të vetmen alternativë dhe aspiratë integruese të popullit të Kosovës. /Indeksonline/