Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për persona me nevoja të veçanta

Autori:Avdyl Pajaziti

Qeveria e Republikës së Kosovës, nën udhëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa, mbajti mbledhjen e rregullt, të 45-tën me radhë.

Pika e parë që u aprovua ishte Projektligji për Statusin dhe të drejtat e personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik. Me këtë Projektligj rregullohet statusi dhe të drejtat e personave të cilët për shkak të sëmundjeve apo dëmtimit kanë humbur përherë mundësinë e zhvendosjes dhe të lëvizjes së ekstremiteteve të poshtme apo të personave që për shkak të sëmundjeve apo dëmtimit kanë humbur përherë mundësinë e zhvendosjes apo lëvizjes së ekstremiteteve të sipërme dhe të poshtme.

Përfituesit nga ky projektligj mbrohen nga të gjitha llojet e abuzimit dhe të diskriminimit, fyerjes dhe gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre në mënyrë të barabartë me të tjerët bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi, standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të njohura nga Konventa Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut me theks të veçantë në standardet dhe parimet e përcaktuara me konventat ndërkombëtare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

Edhe Projektligji për Mjekësinë Ligjore ka marr miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme. Përmes këtij projektligji do të arrihen këto synime: avancimi i fushës së mjekësisë ligjore në Kosovë, rritja e efikasitetit dhe efektivitetit sa i përket autopsive dhe ekzaminimeve mjeko-ligjore, harmonizimi i dispozitave ligjore dhe të Ligjit për Mjekësinë Ligjore, të Ligjit për Departamentin e Mjekësisë Ligjore, dispozitat përkatëse të nenit të procedurës penale si dhe departamenti aktual i mjekësisë ligjore do të avancohet në nivel të Agjencisë si organ qendror i Administratës shtetërore dhe do të funksionoj nën vartësi të ministrit të Drejtësisë.

Kabineti qeveritar miratoi vendimin për t’i rekomanduar Presidentes së Republikës së Kosovës autorizimin e ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë me Bankën Botërore për Projektin e Përmirësimit të Sistemit të Arsimit në Kosovë, i cili ka për qëllim forcimin e sistemeve të përzgjedhura që kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë, llogaridhënies, efikasitetin e arsimit në Republikën e Kosovës.

Qeveria aprovoi Nismën për lidhjen e Marrëveshjes për heqjen e ndërsjellë të vizave hyrëse për bartësit e pasaportave diplomatike dhe shërbimit, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Shtetit të Kuvajtit, e cila përveç rëndësisë në përmbajtjen e saj, do të avancoj edhe më tutje marrëdhëniet ekzistuese shumë të mira ndërmjet dy vendeve.

Qeveria e Kosovës mori vendim për themelimin e Këshillit Kombëtar për Ndryshime Klimatike. Këshilli ka përgjegjësinë e përcjelljes së zbatimit të dokumenteve strategjike dhe planeve të veprimit për ndryshimet klimatike në përputhje me angazhimet e Konventës Kornizë për Ndryshimet Klimatike të Kombeve të Bashkuara dhe Protokollit të Kijotos.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-e-kosoves-miraton-projektligjin-per-persona-me-nevoja-te-vecanta/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala