Qeveria e Kosovës injoroi raportin që mund t’i evitonte vrasjet në Kumanovë

Ka mundur të parandalohej vrasja e nëntë kosovarëve në Kumanovë, në rast se për lëvizjet e tyre të dyshimta kryeministri Isa Mustafa do të përcillte te Ministria e Punëve të Brendshme informacionet që ia kishte vu në dispozicion Inteligjenca, kanë theksuar të hënën deputetët e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri.
Gjatë dëgjimit në Komision, ministër i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ka konfirmuar të mos i jenë përcjellë informatat nga shefi i tij, shkruan sot “Koha Ditore”.
Defekti në komunikimin Mustafa-Hyseni është zbardhur pasi deputetja e lëvizjes “Vetëvendosje” (LVV), Aida Dërguti, ka ngritur çështjen e një raporti që Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) në fillim ia kishte përcjellë kreut të Qeverisë, por edhe presidentes Atifete Jahjaga. Dërguti është anëtare e Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, por edhe e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së.