Qeveria do t’ua bllokojë telefonat kosovarëve

Autori:Avdyl Pajaziti

Qeveria e Kosovës ka draftuar një projektligj për kontrollimin e telefonave mobil. Të gjithë ata telefona që nuk e kanë paguar taksën doganore do të bllokohen. Sipas burimeve të Gazetës Fjala, telefonat do të mund të kontrollohen përmes IMEI- numri serik që identifikon secilën pajisje telekomunikuese.

“Kur ky ligj të hyjë në fuqi asnjë telefon nuk do të funksionojë nëse nuk i ka paguar taksat doganore”, tha burimi i Gazetës Fjala.

Punimin në këtë projektligj e ka konfimrmuar edhe zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci.

Në projektligjin për telefona mobil kanë nisur të punojnë tash e dy vjet Doganat e Kosovës, Ministria e Finnacave dhe Autoriteti Rregullativ i Telekomunuikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP- ish ART).

“Po, jemi duke punuar në projektligjin për telefonat mobil. Qëllimi është që të rregullohet ky treg dhe të paguhen taksat doganore. Ne jemi të përkushtuar ta bëjmë më të mirën për Shtetin e Kosovës dhe qytetarët e tij”, tha Stavileci për Gazetën Fjala.

Ligji shumë shpejtë mund të hyjë në fuqi.

“Tashmë ai ligj është finalizuar, por mbetet të miratohet nga qeveria dhe të procedohet në kuvend”, thanë burime të Gazetës Fjala brenda Qeverisë së Kosovës.

Por, përmes IMEI-it mund të përgjohet secili telefon dhe të dihet saktë edhe vendndodhja e secilit njeri që e posedon atë telefon. Përgjimi do të mund të bëhet përmes telefonit, pa pasur nevojë të bëhet përmes operatorit, përkatësisht kartës së telefonit të vendosur në të.

“Ky ligj nuk po mund të procedohet sepse ARKEP nuk ka ende bord funksional që mund të udhehiqte këte process deri në implementimin e plotë, sidomos rreth softverëve dhe punës me operatorët e licensuar të telefonisë mobile”, tha burimi i Gazetës Fjala. Sipas tij, projektligji parasheh praktikat e ngjashme në vendet tjera.

Por, çështja e kontrollimit të telefonave përmes IMEI-it është bërë temë e ashpër debati në secilin vend ku është aplikuar, pasi cenon rëndë privatësinë, specifikisht lirinë e shprehjes dhe të lëvizjes. Vite më parë ka patur reagime jashtëzakonisht të ashpra nga e tërë shoqëria në Shqipëri.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-do-tua-bllokoje-telefonat-kosovareve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala