Qeveria dërgon Asociacionin në Kushtetuese

Autori:Avdyl Pajaziti

Zyra e kryeministrit Isa Mustafa po përgatitet të dërgojë së shpejti në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e nënshkruar me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Valon Murtezaj, këshilltar për Marrëdhëniet me Jashtë i kryeministrit Isa Mustafa, ka shpjeguar për Top Channel se, arsyeja përse do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese është për t’u siguruar nga organi më i lartë kushtetues që marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën e vendit.

“Të gjitha marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën. Megjithatë, ajo çfarë mbetet tani është që të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për një vërtetim, apo për një mendim të mëtejshëm. Kjo do të mundësohet sapo të bëhet gati dekreti i qeverisë fillimisht, apo vendimi dhe udhëzimi administrativ, e të dërgohet bashkë me parimet e marrëveshjeve”, tha Murtezaj.

Murtezaj, i cili ka qenë pjesë e delegacionit kosovar, kur është nënshkruar marrëveshja e fundit në Bruksel, tha se ka pasur luftë të madhe politike për kompetencat e Asociacionit.

“Thelbi i marrëveshjes është, që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të jetë një nivel i tretë i pushtetit. Kjo ka qenë frika jonë më e madhe, si dhe lufta më e madhe që është bërë në Bruksel”, tha këshilltari i Mustafës.

Marrëveshja mes kryeministrit kosovar dhe atij serb, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk është përmbyllur ende, pasi tani mbetet të zhvillohen bisedime të reja në nivel ekspertësh për përmbajtjen e statutit të Asociacionit.

“Po, sigurisht do të formohet një grup pune me ekspertë të të gjitha fushave, ku përfshihet edhe fakti që Asociacioni të ketë rol. Mirëpo këto janë kryesisht aspekte teknike e profesionale”, tha Valon Murtezaj, këshilltari i kryeministrit.

Murtezaj bëri gjithashtu të ditur se, në hartimin e statutit do të kenë role si pala kosovare, ajo serbe por dhe përfaqësues të Brukselit, si ndërmjetës të marrëveshjes. Në fund, ai deklaroi se, edhe drafti final i statutit të Asociacionit do të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeveria-dergon-asociacionin-ne-kushtetuese/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala