Qeriqi: Veprimi i fundit i policisë ka tensionuar gjendjen e veteranëve

Autori:Avdyl Pajaziti

Udhëheqësi i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, që në protestën e fundit të veteranëve në Kaçanik u lëndua nga policët, tha se këta të fundit e nxitën dhunën. Sipas tij, policët nuk kanë faj, pasi që brenda tyre ka individë të caktuar që mundohen ta keqpërdorin uniformën dhe të provokojnë.

“Edhe mediat ishin prezentë, nga ana jonë absolutisht nuk ka pas asnjë lloj nxitje. Ka qenë policia të cilët e nisën dhunën. Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës të ulur dhe njëra korsi ka qenë e liruar për qytetarët. Mendoj se policia nuk i ka fajet për këtë dhunë që ka ndodhur se kam respekt të madh për ta, sepse për ta edhe kemi luftuar. Por, ka njerëz të caktuar, individë të caktuar brenda policisë që mundohen në këtë rast ta keqpërdorin edhe uniformën e policisë dhe të provokojmë”, sqaroi Qeriqi për Indeksonline.

Ai ka thënë se për momentin është duke u shëruar, por posa të forcohet do të angazhohet për organizim të protestave, që herën tjetër do të jenë në Prishtinë.

“Tash jam duke u shëruar e të mërkurën e kam kontrollën e fundit. Momentin që forcohem, menjëherë do të punojmë rreth organizimit të protestës së radhës që do të mbahet pastaj në Prishtinë”, tha Qeriqi.

Sipas tij, veprimi i fundit i policisë e ka tensionuar gjendjen mes veteranëve dhe se kjo mund të vazhdojë më tutje.

“Kam vizita të shumta nga bashkëluftëtarët dhe veprimi i fundit i policisë vetëm sa e ka tensionuar gjendjen e veteranëve. Tensionet do të rritet nëse vazhdojnë kështu sepse gjendja e tyre është shumë e vështirë”, tha Qeriqi për Indeksonline.

Ai shtoi se veteranët do të vazhdojnë me protesta deri në plotësimin e kërkesave të tyre dhe në momentin që ato plotësohen, më nuk do të jetë e nevojshme të dalin në rrugë./Indeksonline

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeriqi-veprimi-i-fundit-i-policise-ka-tensionuar-gjendjen-e-veteraneve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala