Qeriqi: Shteti i ka kapur institucionet e drejtësisë

Autori:Gazeta Fjala

Në muajin gusht, ish-pjesëtarëve të UÇK-së, filloi t’u humbë durimi duke pritë verifikimin e listave për të marrë statusin e veteranit. Të revoltuar me zvarritjen e këtij procesi, ata protestuan para Qeverisë, ku edhe shkatërruan rrethojat e kësaj ndërtese. Për të qetësuar situatën, aty pati ndërhyri edhe Njësia Speciale. Por, këto dëme që i shkaktuan, po u kushtojnë ish-pjestarëve të UÇK-së.

Nesër, disa prej tyre do të përballen me drejtësinë, e bashkë me ta edhe Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi.

Ftesës për t’u paraqitur në prokurori, Qeriqi do t’i përgjigjet pozitivisht, nesër në orën 10:00.
Ai për KosovaPress deklaroi se nuk e di se për cilën protestë po ftohet, pasi që, sipas tij, dëme u shkaktuan edhe në protestat e prillit edhe në ato të gushtit. Veçse, në protestat e gushtit, përveç dëmeve, u gjuajt me shishe zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Hashim Thaçi, ku protestuesit kishin dalë të kërkonin listat dhe mosthemelimin e Gjykatës Speciale.

“Unë kam qenë më herët në mbajtje, me siguri është për dëmtim të pronës, por nuk e di për cilën protestë. Ne e kemi pasë një protestë edhe në fillim të muajit prill, e njëjta ka ndodhë. Nuk po mund ta kuptoj se a bëhet fjalë për atë protestë apo për të fundit”, thotë ai.

Në protestat e gushtit, ku edhe eskaloi situata, u arrestuan 10 protestues.

Qeriqi thotë se është në dijeni se ftesa për në prokurori u është dërguar edhe katër ish-luftëtarëve tjerë.

Ai thotë se do ta respektojë çdo vendim të organeve të drejtësisë, ani pse thotë se këto institucione janë të kapura nga shteti.

“E respektoj institucionin e sigurisë dhe drejtësisë, por fatkeqësisht këto institucione po veprojnë duke qenë të kapura nga shteti, këtu i kam dyshimet. Megjithatë cili do që të jetë vendimi, unë do ta respektoj. Edhe pse ndoshta nuk do të pajtohem me të, do ta respektoj institucionin”, tha Qeriqi.

Ish-luftëtarët e UÇK-së u ndalën pasi morën premtime se procesi i verifikimit të listave është në përfundim e sipër, dhe pasi filloi shpërndarja e certifikatave për veteranë.

Megjithatë, Qeriqi thotë se nëse këtë muaj nuk fillojnë të shpërndahen pensionet, siç është thënë, për muajin tetor, ata do të protestojnë.

Ai porosit se nuk do të pranojnë më asnjë vonesë.

“Në rast se nuk fillojnë me pensione për veteranët e luftës, këtë muaj, atëherë muajin tjetrit gjithsesi do të ketë protesta”, thotë ai.

Një pjesë e veteranëve tashmë kanë aplikuar, dhe siç është thënë nga Qeveria, këtë muaj pritet të fillojnë me pensione.

Por, është procesi i ankesave i cili ende nuk ka përfunduar, por KosovaPress mëson nga zyrtarë brenda Komisionit, se është në përfundim e sipër.

Publikimi i listave nga Komisioni Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të UÇK-së, mori shumë kohë, dhe u shoqërua me protesta e pakënaqësi të mëdha. Kurse, edhe pas publikimit u përballën me një numër shumë të madh të ankesave.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeriqi-shteti-i-ka-kapur-institucionet-e-drejtesise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala