Qeriqi nesër intervistohet nga policia

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së Xhevdet Qeriqi ka marrë ftesë që të paraqitet nesër në orën 10:00 në stacionin nr. 2 të policisë për intervistë lidhur me protestën e veteranëve të mbajtur më 7 të këtij muaji.

Qeriqi thotë se do t’i përgjigjet ftesës, por deklaratë nuk do të japë dhe këtë do ta bëjë kur të vijë puna në prokurori.

“Do të paraqitem, sepse luftën e kam bërë shtet ligjor, prandaj do të respektoj institucionet, megjithëse e kam ditur edhe atëherë, e di edhe tash se këto janë veprime me motive politike”, deklaroi Qeriqi për Kosovapress.

Ai njofton se është i vetmi nga pjesëmarrësit në protestë që është thirrur për intervistë në polici, ngase i ka pyetur edhe shokët e protestës dhe asnjë prej tyre nuk ka marrë thirrje.

Dhjetëra veteranë të revoltuar me mospublikimin përfundimtar të listave, si dhe moszgjidhjen e statusit të tyre me anë të ligjit, protestuan më 7 gusht duke thyer rrethojat e oborrit të Kuvendit të Kosovës dhe duke mësyrë drejt objektit të Qeverisë.

Policia njofton nëpërmes një komunikate se prokurori i shtetit ndaj të gjithë të dyshuarve për veprën penale asgjësim apo dëmtim të pasurisë ka shqiptuar masën e ndalimit policor prej 48 orësh me qëllim të përfundimit të të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore e procedurale përpara se rasti ti kaloj gjykatës kompetente.

Pas kësaj prokurori i shtetit ndaj 10 të dyshuarve për veprën penale asgjësim apo dëmtim të pasurisë, ndër të cilët edhe Qeriqi, shqiptoi masën e ndalimit policor prej 48 orësh. Megjithatë, Qeriqi me shokë të nesërmen u liruan nga masa e ndalimit policor.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/qeriqi-neser-intervistohet-nga-policia/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala