Q7 vazhdon të “kalbet”, Shpendi shpreson në shitjen e tij

Autori:Avdyl Pajaziti

Vetura Audi Q7 e blerë nga ish-kryetari i Prishtinës Isa Mustafa, ende vazhdon të jetë e parkuar në garazhet e Komunës. Ajo nuk është ndezur që kur në krye të komunës ka ardhur Shpend Ahmeti i VV’së.

Ndezja e kësaj veture duket se nuk do të ndodh edhe për një kohë të gjatë, pasi tani komuna nuk po e qetë atë as në ankand.

Në ankandin e fundit, që ka qenë disa muaj me parë çmimi fillestar ishte 41 mijë e 810 euro, derisa është thënë disa herë se kjo veturë ishte blerë nga ish-kryetari Isa Mustafa 76 mijë euro.

Me këtë çmim edhe tani mendojnë ta shesin drejtuesit e komunës, ani pse me kalimin e tërë kësaj kohe asaj i kanë rënë vlera. Amortizimin veturës, Ahmeti e  pati përdorur edhe si arsyetim kryesor në Kuvendin Komunal për të marrë dritën e gjelbër nga asamblistët për shitje.

Në komunën e Prishtinës kanë thënë për Gazetën Fjala se nuk kanë hequr dorë nga shitja e veturës, por nuk e kanë idenë e qartë se si do ta bëjnë këtë shitje.

“Vendimi për shitjen e kësaj veture është votuar në Kuvendin Komunal dhe ne si ekzekutiv do të përpiqemi, njëjtë edhe siç kemi premtuar, që ta shesim këtë veturë ndërsa mjetet nga ky simbol i luksit t’i ndajmë për familjet dhe shoqatat në nevojë. Do t’ju informojmë me kohë për të gjitha hapat që do t’i ndërmarrim në këtë drejtim, ndërsa një prej mundësive të shitjes së kësaj veture është edhe përmes ankandit”, ka thënë Xhevdet Pozhari, zyrtar për informim në komunën e Prishtinës.

Ai ka thënë se mos shitja e deritashme e kësaj vetura ka të bëjë me çmimin e lartë dhe mungesës së blerësve.

“Siç edhe jeni të informuar, vetura Audi Q7 nuk është shitur për shkak se nuk ka pasur blerës. Pra, shkaku i çmimit të saj të lartë dhe shpenzimeve të mëdha të mirëmbajtjes, blerësit potencial kanë hezituar ta blejnë këtë veturë. Çmimi fillestar për shitjen e kësaj veture ka qenë 41.810 euro”.

Komuna e Prishtinës, shitjen e saj e kanë provuar dy herë në ankande publike por nuk patën sukses.

Oferta e fundit për shitjen e kësaj veture ishte shpallë nga komuna e Prishtinës më datën 13/08/2014 dhe ishte mbyllur më 02/09/2014.

Aprovimin për shitjen e kësaj veture, kryetari Ahmeti e kishte marrë në mesin e vitit të kaluar nga  Kuvendi Komunal. Atë kohë, i pari i Prishtinës, kishte treguar se aprovimi është bërë pa votat e LDK-së.

Ndërsa, mjetet nga shitja e makinës, sipas kreut të Komunës, është thënë se do të transferohen në buxhetin e subvencioneve në Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, ku aplikojnë OJQ-të, rastet sociale dhe rastet e tjera në këtë fushë./Gazeta Fjala/.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/q7-vazhdon-te-kalbet-shpendi-shpreson-ne-shitjen-e-tij/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala