Putin: Turqia do të pendohet për rrëzimin e avionit

Autori:Gazeta Fjala

Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar liderët e Turqisë se do të pendohen për rrëzimin e avionit rus “Su-24” në Siri.

Në një fjalim të transmetuar direkt në televizionin kombëtar rus, Putin deklaroi se, “nëse dikush mendon se reagimi i Rusisë do të kufizohet me sanksionet tregtare, bën gabim”.

“Ne do t’ua kujtojmë atyre se çfarë bënë dhe ata do të pendohen”, deklaroi Putin, i cili përsëriti akuzat se qeveria turke strehon dhe mbështet militantët e ISIS.

Nga ana e saj, Turqia insiston se avionët e saj “F-16” qëlluan avionin rus pasi kishte hyrë në hapësirën ajrore turke. Por shefi i Kremlinit iu përgjigj me ironi këtyre pretendimeve.

“Me siguri vetëm Allahu e di se çfarë kanë bërë ata dhe mesa duket Allahu ka vendosur të ndëshkojë klikën qeverisëse në Turqi, duke i mohuar asaj çdo arsye apo logjikë”, tha Putin.

Ai theksoi se, po bën një dallim të qartë mes lidershipit turk dhe “miqve të vjetër e të besueshëm të Rusisë në Turqi”.

Rusia ka njoftuar një gamë të gjerë sanksionesh kundër Turqisë për shkak të incidentit të 24 nëntorit, përfshirë këtu vendosjen e embargos ndaj frutave, perimeve dhe produkteve të tjera ushqimore turke.

Gjithashtu, rusët nuk mund të përdorin më paketat turistike në Turqi, që deri më sot ishte destinacioni kryesor i turistëve rusë./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/putin-turqia-do-te-pendohet-per-rrezimin-e-avionit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala