Putin kërkon koordinim ndërkombëtar kundër ISIS-it

Autori:Gazeta Fjala

Me krizën e Sirisë në krye të axhendës së udhëheqësve botërorë të mbledhur në selinë e OKB-se në Nju Jork, Vladimir Putin lëshon një apel për krijimin e një strukture koordinuese rajonale kundër ISIS-it.

Presidenti rus e përforcoi edhe njëherë mbështetjen e tij për kreun e regjimit sirian, Bashar al Assad, njeriu që si perëndimi, ashtu dhe opozita në vendin e zhytur në luftë kaotike civile, e konsiderojnë fajtor për situatën e Sirisë dhe i kanë kërkuar largimin nga posti.

Pikërisht për të diskutuar çështjen siriane, Putin pritet të mbajë gjatë ditës një takim të rrallë me Barak Obamën. Marredhëniet e Moskës me bllokun perëndimor janë ashpërsuar shumë që prej aneksimit të Krimesë vitin e kaluar si dhe përkrahjes ruse për separatistët në Lindje të Ukrainës.

Kriza që ka krijuar në Europë vërshimi i refugjatëve kryesisht sirianë, i ka shtyrë udhëheqësit e BE-së të këmbëngulin për një raund të ri përpjekjesh diplomatike të zgjidhjes së konfliktit në Siri. Duket se në këtë kontekst, do të ketë dhe një zbutje të qëndrimit të David Cameron kundër Assadit në fjalimin që do të mbajë këtë javë përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Kryeministri britanik pritet të thotë se Assadi mund të qëndrojë përkohësisht në pushtet si kryetar i një qeverie tranzicioni. Deri tani, Cameron kishte këmbëngulur së bashku me Obamën dhe Francois Hollande, se presidenti sirian duhet të largohet medoemos nga pushteti si parakusht për çdo marrëveshje të mundshme paqeje, një hap ky i kundërshtuar me forcë nga Vladimir Putin.

Me të mbërritur në Nju Jork mbrëmjen e së dielës, shefi i ekzekutivit britanik sqaroi se për çdo rast, Assadi nuk mund të jetë pjesë e së ardhmes së Sirisë.

“Zgjidhja do të jetë e përkohshme, ama nuk mundet të qëndrojë në krye të shtetit përsa kohë ka masakruar popullin e vet, e ka ndihmuar në krijimin e këtij konflikti dhe krizës aktuale të emigracionit. Ai është praktikisht një prej rekrutuesve më të mëdhenj të ISIS-it”, ishte komenti i Cameron.

Nevojën e gjetjes së një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit sirian e përforcon edhe më shumë shtimi i pranisë ushtarake ruse në Siri në mbështetje të regjimit të Assadit./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/putin-kerkon-koordinim-nderkombetar-kunder-isis-it/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala