Putin firmos dekretin, sanksione të posaçme ekonomike ndaj Turqisë

Autori:Gazeta Fjala

Pas shumë paralajmërimesh, Presidenti rus Vladimir Putin e nënshkroi dekretin, që parashikon sanksione të ashpra ekonomike për Turqinë, fakt që ka ngjallur zemërim të madh në qeverinë e Ankarasë. Por sipas deklaratës së Kremlinit, Putin është i vendosur për ta çuar deri në fund këtë vendimmarrje.

“Urdhri ekzekutiv i Moskës garanton sigurinë kombëtare të Federatës Ruse, njëkohësisht edhe të qytetarëve të vendit, nga kërcënimi kriminal ose nga të tjera veprime të paligjshme”, theksohet në deklaratën e Kremlimit.

Ndër masat e ndërmarra: kompanitë turke që operojnë në Rusi, si dhe stafet e punonjësve turq atje do të përballen me kufizime të ashpra. Në Rusi ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 90 mijë shtetas turq, ndërkohë që lista e bizneseve dhe vendeve të punës, që do të preken nga këto masa, do të bëhet publike në ditët në vijim.

Gjithashtu, prej 1 janarit të vitit të ardhshëm Moska do të ndalojë punësimet e reja të shtetasve turq në Rusi. Nga ana tjetër, mallra të caktuar dhe produkte ushqimore nga Turqia nuk do të lejohen të hyjnë më në Rusi.

Kufizim të ashpër pësoi edhe lëvizja e lirë mes dy vendeve. Ata që nuk do të preken nga regjimi i vizave do të jenë vetëm shtetasit turq, që kanë leje qëndrimi në Rusi, e po ashtu përfaqësuesit diplomatikë. Urdhri ekzekutiv ndalon gjithashtu agjentët e udhëtimit dhe operatorët, për shitjen e çdo pakete turistike për në Turqi./TCH

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/putin-firmos-dekretin-sanksione-te-posacme-ekonomike-ndaj-turqise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala