Pushteti e opozita nuk ndërrojnë qëndrimet, thellohet kriza

Autori:Avdyl Pajaziti

Protesta masive e së shtunës dhe përplasja e dhunshme në fundin e saj nuk kanë rezultuar me asnjë ndryshim të pozicioneve në dy taborët e armiqësuar politikë – pushtetit dhe opozitës, duke thelluar edhe më tepër krizën politike në të cilën është futur vendi që nga shtatori i vitit kaluar.

Opozita, e cila ka marrë zemër me madhështinë e protestës, ka paralajmëruar se nuk do të ndalen deri në dorëheqjen e Qeverisë, duke mos pranuar asnjë zgjidhje tjetër, shkruan sot Koha Ditore.

Por Qeveria, që refuzon të japë dorëheqje për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të reja, ka ftuar opozitën për dialog.

Oferta e kryeministrit Isa Mustafa është një komision i përzier për demarkacionin me Malin e Zi, si dhe përfshirja e opozitës në përpilimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ndërsa analistët kanë thënë se protesta tregoi që ruajtja e kushtetutshmërisë nuk është vetëm brengë opozitare, duke kërkuar reflektim si nga pushteti ashtu edhe nga opozita.

Një ditë pas protestës së mbajtur, liderët e opozitës janë tubuar para objektit të Qeverisë për t’i falënderuar qytetarët të cilën morën pjesë masivisht në manifestimin që, sipas tyre, ishte më madhështori i mbajtur ndonjëherë në Kosovë.

Por Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmend t’i përgjigjet kërkesës së opozitës për dorëheqje dhe zgjedhje të reja. Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, i ka thënë gazetës se Qeveria do të funksionojë brenda mandatit të aprovuar me mbi dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sipas tij, zgjedhjet janë opsion vetëm në vitin 2018.

Por njohës të rrethanave politike kanë thënë se është koha e fundit që Qeveria dhe opozita t’i japin fund krizës politike.

Fisnik Korenica, drejtor ekzekutiv në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë për “Kohën Ditore” se duhet pranuar që madhësia e protestës së opozitës nuk është shprehje e kundërshtimit të qytetarëve vetëm ndaj marrëveshjeve, por edhe reflektim i qartë i kundërshtisë ndaj nivelit të papunësisë, nivelit të lartë të krimit, korrupsionit dhe faktit që Qeveria në këtë vit të parë nuk ishte asgjë më shumë sesa vazhdimësi e Qeverisë Thaçi 2.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pushteti-e-opozita-nuk-nderrojne-qendrimet-thellohet-kriza/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala