Punëtori i hotelit vishet si xhihadist, pushuesit tmerrohen

Disa turistë britanikë janë tmerruar pasi një pjesëtar i hotelit ku ata qëndronin, u vesh si një militant i ISIS dhe madje bëri sikur kishte një armë. Sapo panë njeriun e maskuar, turistët u larguan që të shpëtonin jetën e tyre.
Punëtori i një hoteli në Turqi, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, kishte veshur një rrobë të zezë dhe një maskë. Ai doli përpara pushuesve në pishinën e hotelit.
Sipas medieve ndërkombëtare, punonjësi thërriste në arabisht dhe më pas iu afrua një vajze 6-vjeçare, e cila po luante. Në ato momente ai bëri sikur po nxjerr një armë.
Pasi pushuesit e panë punëtorin, u larguan me vrap duke bërtitur sepse kujtuan se ishte militant i Shtetit Islamik.
Kjo ngjarje ndodhi 4 muaj pas masakrës në një plazh të Tunizisë, ku një xhihadist vrau 38 turistë të pafajshëm.
“Nuk e kuptuam se çfarë po ndodhte, u frikësuam për më të keqen”, tha Jade Daines, një nga pushuesit e hotelit. Daines shton se “pjesëtarët e tjerë të stafit filluan të qeshnin”.