Punëtorët e ish-kombinatit kërcënojnë me mbylljen e portave të “Sharrcemit”

Autori:Gazeta Fjala

 

Zvarritja e një përgjigjeje nga institucionet relevante për 887 ankesat që kanë deponuar rreth shitjes së ndërmarrjes dhe mosnjohjes së aksioneve të punëtorëve, me gjasë ka për të shtyrë tashmë punëtorët e ish-kombinatit “Sharr” në veprime të tjera më radikale.

Vetë punëtorët kanë kërcënuar të martën se mbyllja e portave të ndërmarrjes aktuale “Sharrcem” mund të jetë veprimi i fundit i tyre pas 11 vjetësh pritjeje që të zgjidhet çështja e tyre, shkruan sot “Koha Ditore”.

Xheladin Laçi, kryetar i Këshillit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe shoqërisë aksionare (KQMDPSHA) të ish-kombinatit “Sharr” e ka konfirmuar se nëse edhe këtë javë shteren të gjitha mundësitë e një përgjigjeje institucionale, atëherë do të merren masat e fundit.

Laçi ka deklaruar po ashtu se prej vitit 2004 punëtorët e ish-kombinatit po protestojnë, po ankohen në gjykata e prokurori, e në dhoma të posaçme, por gjithmonë pa përgjigje.

“Kemi deponuar 887 ankesa, e kemi provuar të reagojmë edhe përmes dy kryetarëve Besim Ilazi e Rufki Suma, por kot. Na vdiqën 137 punëtorë shumë të tjerë janë të shtrirë në spital për t’u operuar nga sëmundja e kancerit që e kanë fituar nga fribrat kancerogjene në ndërmarrje. Ky është diskriminim total, kurse përgjigjet nuk vijnë edhe për shkak të argumenteve që kemi”, ka thënë ai.

E argumente se janë bërë shkelje të rënda në procesin e privatizimit të ndërmarrjes ka provuar të ofrojë edhe nënkryetari i Këshillit, Ferat Kuka.

“Kemi argumente të gjalla se AKP-ja ka bërë shkelje të rëndë në privatizimin e kombinatit “Sharr”. Organi okupues 7 vjet para luftës ka rrahur, vrarë e larguar punëtorët të ish-kombinatit “Sharr”, mirëpo nuk e ka anashkaluar shoqërinë aksionare, sepse 30 për qind punëtorët ishin aksionarë. AKP-ja tashmë e ka bërë një shkelje të rëndë dhe nuk ka privatizuar, por ka uzurpuar, sepse në kohën e privatizimit ne na është mohuar e drejta e aksioneve në ish-kombinat”, ka thënë Kuka.

Por, nga ana tjetër, këta punëtorë përkrahje kanë gjetur vazhdimisht edhe te kryetari Hanit të Elezit, Rufki Suma. Mirëpo, ky i fundit të martën ka ftuar punëtorët në qetësi dhe kërkimin e zgjidhjes me protesta paqësore dhe në rrugë institucionale.

“Unë i kam përkrahur punëtorët në kërkesat e tyre dhe do t’i përkrah edhe më tutje, por personalisht nuk e përkrah formën e dhunës”, ka thënë Suma, të martën, për “Kohën Ditore”.

“Ata kanë të drejtë të protestojnë, por duhet të protestojnë te shitësi i ndërmarrjes që në këtë rast është AKP-ja dhe jo te blerësi”, ka shtuar Suma.

Në të vërtetë, gjendja e rënduar e punëtorëve të ish-kombinatit “Sharr” në Han të Elezit kishte shtyrë kohë më parë kryetarin e kësaj komune, që edhe një herë të kërkojë nga Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme që ta rivlerësojë me kujdes ligjshmërinë e privatizimit të ish-kombinatit që pas këtij procesi është shndërruar në “Sharrcem”.

Kryetari Suma ka ripërsëritur se Komuna e Hanit të Elezit që nga fillimi e ka kundërshtuar procesin e privatizimit për shkak të shumë parregullsive që e kanë përcjellë këtë proces. Dhe Komuna e Hanit të Elezit që drejtohet nga Suma për këtë arsye kishte iniciuar edhe padi pranë Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme për të vlerësuar ligjshmërinë e procesit të privatizimit.

Kërkesë padia ishte dorëzuar në maj të vitit 2012, por që prej asaj kohe Komuna nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/punetoret-e-ish-kombinatit-kercenojne-me-mbylljen-e-portave-te-sharrcemit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala