Punëtorët e Asociacionit do të quhen “shërbyes civil”

Autori:Gazeta Fjala

Delegacionet e Beogradit e të Prishtinës janë pajtuar që të punësuarit në Asociacionin e Komunave serbe  të quhen „të punësuar në sektorin publik” (civil servants –shërbyes civilë), merr vesh gazeta serbe „Politika” nga qarqe diplomatike në Bruksel.

Është arritur pajtimi që AKS të ketë kompetenca ekzekutive në fushat që tash i kanë komunat në Kosovë, siç janë punët infrastrukturore e komunale dhe mbikëqyrje në fushën e shëndetësisë e të shkollimit.

Ky plan ka marrë edhe përkrahjen e BE-së dhe pritet që të mërkurën e ardhshme në Bruksel marrëveshjen ta nënshkruajnë kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiqi dhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.

Dy delegacionet kanë qenë afër marrëveshjes më 29 korrik në Bruksel, por kryeministri i Kosovës Isa Mustafa kishte kontestuar propozimin e Serbisë që të punësuarit në AKS të jenë “nëpunës shtetërorë”, transmeton Gazeta Fjala. Pas këtij kundërshtimi, Beogradi kishte propozuar që nëpunësit e AKS-së të quhen “të punësuar në sektorin publik”. Këtë propozim e përkrahu Brukseli ndërsa gazeta serbe shton se pas presioneve konstante të BE-së dhe të ShBA, pala shqiptare e pranoi propozimin.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka theksuar se në bisedime me Prishtinën janë harmonizuar shumë çështje dhe ka shtuar se kanë mbetur edhe dy-tri gjëra për t’u marrë vesh. Ai nuk ka treguar cilat janë këto gjëra për të cilat do të bisedohet më 25 gusht.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/punetoret-e-asociacionit-do-te-quhen-sherbyes-civil/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala