PTK nuk i ka 20 milionë dividendë për Qeverinë

Autori:Avdyl Pajaziti

Insistimi i qeverisë për marrjen edhe të 20 milionë eurove në emër të dividendës për vitin 2015 nga Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK), rrezikon seriozisht likuiditetin e korporatës dhe pothuajse pamundëson zhvillimin e mëtutjeshëm të saj.

Kështu thotë Arsim Bilalli, zyrtar për informim në PTK, transmeton KP. Korporata në muajin prill i kishte paguar në formë të dividendës shumë prej 10 milion eurove .

Por, për pjesën tjetër të kërkesës e ka njoftuar aksionarin se nuk do të ketë mundësi t’i sigurojë. Pavarësisht kësaj, qeveria në rishikimi i ka planifikuar disidenten në vlerë prej 30 milionë euro.

Ndërkaq, PTK në biznes planin e vet për vitin 2015 ka paraparë një dividendë prej 10 milionë eurosh, tha Bilalli në një përgjigje elektronike.

“Jemi në dijeni për vendimin e aksionarit për 30 milionë euro për vitin 2015, 10 milionë prej tyre tashmë janë paguar në fund të muajit prill, përderisa për pjesën e mbetur Bordi i Drejtorëve do të marrë vendim konform situatës aktuale në të cilën është PTK-ja.

Të gjithë duhet ta kemi parasysh se jemi në prag të marrjes së resurseve shtesë nga Rregullatori, të cilat kapin një kosto prej së paku 15 milionë euro. Gjithashtu kemi edhe obligime të parapara, si rrjedhojë e projekteve të nisura më herët për 3G dhe 4G, në vlerë prej 20 milionë euro si dhe obligime kontraktuale për projekte të tjera që sillen rreth 15 milionë euro”, tha Bilalli.

Ai shton se PTK-së me këto kërkesa i bie të paguajë mbi 50 milionë euro të cilat janë obligime që duhet ti realizoj deri në fund të këtij viti.

“Andaj, duhet të jemi shumë të kujdesshëm me planifikimin tonë financiar dhe strategjik, mbi të gjitha Aksionari në këtë rast, duhet të ketë parasysh dhe lejojë zhvillimin e mëtutjeshëm të PTK-së me qëllim të shtimit të vlerës Korporatës sonë para procesit të privatizimit që mund të ndodh në vitet e ardhshme. Insistimi i marrjes edhe të 20 milionë euro në emër të dividendës për vitin 2015, rrezikon seriozisht likuiditetin e korporatës dhe pothuajse pamundëson zhvillimin e mëtutjeshëm të saj”, tha Bilalli.

Ndërsa, Agim Krasniqi, zëvendësministër i Financave, gjatë raportimit të buxhetit të rishikuar në Komision parlamentarë për Buxhet dhe Financa ka thënë se Qeveria është aksionar i PTK-së dhe se operatori e ka të qartë këtë çështje. Madje ai pati sqaruar se në rishikim parashihen të hyra edhe nga licencat për 3 dhe 4 G.

“Jo vetëm këto tri licencat që janë tashti , 3 dhe 4 G, këto duhet tash pagesat me ndodhë. Po të njëhershme se vetëm një herë ka me u marrë licenca…. Mundemi me i realizuar prej dividendës prej PTK-së për arsye se aksionar në PTK është qeveria edhe ky ka qenë ligj i cili është bërë vitin e kaluar edhe e ka pasur operatori të qartë që këto obligime duhet me i krye në plan të parë e tani me bërë planin e biznesit për investime dhe gjëra të tjera “, tha Krasniqi.

Besa Gaxheri, anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa ka potencuar se PTK është në pronësi të Qeverisë dhe se qeveria vendos për këtë aset.

“PTK, ose kryeshefi i kësaj kompanie mund të thotë që nuk mundet sepse kjo është e vërtetë. Besoj shumë që nuk do të mundet sepse kjo kompani ka rënie për 125 për qind të realizimit ose në krahasim me vitin e kaluar. Këtu na jep të kuptojmë se është një performancë tepër e dobët edhe kryeshefi aktual duhet ta përmirësojë urgjentisht performancën e kësaj kompanie…Çdo aksionar si në këtë radhë Qeveria e përcjell biznesin e vet, performancën e tij, fitimin e tij dhe naty risht se aksionari vendos ku do të shkojë fitimi. Ne do të punojmë dhe do të kujdesemi me pa sa është ai fitim po askush nuk e pyet e kërkon se ai fitim ku do të shkoj”, tha Gaxheri.

Madje, ajo ka shtuar se kjo çështje as që duhet të diskutohet.

“Kur aksionar i vetëm është Qeveria edhe këto janë gjëra të cilat nuk vlen me i diskutu dhe me u lëshu në këtë nivel. Unë jam shumë skeptike se ky menaxhment do të mund të realizojë fitime 30 milionë euro sa ka planifikuar Qeveria, sepse po shihet se performanca është shumë e dobët por ne duhet të punojmë bashkërisht që performanca e kësaj kompanie të ndryshojë për mirë.

Qeveria është aksionari. Ju lutem, ata janë vetëm një staf menaxhues i cili jep përgjegjësi në radhë të parë bordit e pastaj ne si Kuvend dhe Qeveri kërkojmë përgjegjësi nga bordi, kështu është sepse aksionar ose pronar është Qeveria”, tha Gaxheri.

Edhe vitin e kaluar PTK i ka paguar Qeverisë 30 milionë euro në emër të dividendës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ptk-nuk-i-ka-20-milione-dividende-per-qeverine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala