PTK ndanë 10 milion euro dividentë për Qeverinë

Autori:Zekirja Shabani

Bordi i Drejtorëve të Postës dhe Telekomit të Kosovës, në mbledhjen e së enjtes, ka marrë vendim për ndarjen e 10 milionë eurove në emër të dividendës për vitin 2015 sipas Biznes Planit të PTK-së.

“Ndarja e dividendës prej 10 milionë euro për Aksionarin, respektivisht Qeverinë e Kosovës, është një e arritur në planin strategjik dhe financiar të kompanisë duke dëshmuar në të njëjtën kohë se pavarësisht investimeve kapitale në projektet e planifikuara dhe sidomos në shërbimin 3G dhe 4G, rezulton se performanca e PTK-së është e qëndrueshme dhe stabile”, ka thënë Drejtori Menaxhues i PTK-së, Agron Mustafa.

Sipas tij, investimi prej 35 milionë eurosh në platformën e internetit të shpejtë 3G dhe 4G, hapja e pikave të reja të shitjes, shtrirja e suksesshme e mbulueshmërisë me rrjetin 3G dhe 4G në gjithë territorin e vendit, lansimi i produkteve të reja, qasja e re ndaj konsumatorëve, etj, janë, përveç të tjerash, sinjale të qarta se PTK ka marrë drejtimin e duhur drejt modernizimit dhe ringritjes të përgjithshme operative.

“PTK jo vetëm që është kontribuesi më i madh tatimor dhe financiar për buxhetin e vendit, por në të njëjtën kohë me investimet tjera që janë në implementim e sipër, vazhdon edhe më tutje të jetë lider në një mjedis mjaft konkurrues, duke ofruar shërbime të cilësisë së lartë në fushën e telekomunikacionit”, thuhet në njoftimin e kësaj kompanie.

Me dinamikën e investimeve të planifikuara dhe të realizuara deri më tash, PTK njofton se do të synojë të rrisë edhe më shumë afarizmin biznesor gjatë këtij viti dhe vitet në vazhdim, për të arritur rezultate sa më të mira financiare dhe strategjike bazuar në planin e saj të biznesit.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ptk-ndane-10-milion-euro-dividente-per-qeverine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala