PTK me 2 mijë pika të reja të shitjes

Autori:Zekirja Shabani

Konsumatorët e kompanisë më të madhe për shërbime të telefonisë mobile dhe internetit në Kosovë, PTK, shumë shpejtë, do të mund të furnizohen me produktet e saj, kartela, mbushje elektronike, internet 3G dhe 4G, e shërbime tjer, në rreth 2 mijë pika të reja të shitjes në të gjithë Kosovën.

Këto 2 mijë pika të reja të shitjes, do të hapen brenda gjashtë muajsh në të gjithë territorin e Kosovës, në saje të marrëveshjes për partneritet strategjik që është nënshkruar gjatë ditës së sotme me kompaninë PayKos, e cila është në partneritet strategjik me njërën prej kompanive me renome botërore që ofron shërbime të tilla PayZone.

Hapja e pikave të reja të shitjes do të bëhet eskluvizisht me investimet e  kompanisë private, PayKos, e cila ka partneritet strategjik me kompaninë e njohur botërore të distribuimit PayZone, ndërsa 1.200 pikat ekzistuese të shitjes të PTK-së, ku aktualisht shiten të gjitha produktet e telefonisë mobile, Vala, do të mbeten ashtu siç kanë qenë deri më tani.

PTK do të vazhdojë të jetë prezente edhe në të gjitha objektet e Postës së Kosovës konform marrëveshjes biznesore me operatorin publik duke synuar që të rrisë kualitetin e shërbimeve edhe në këtë sektor të shitjes.

“Kjo është një marrëveshje biznesore shumë e mirë për PTK-në. Përmes dyfishimit apo trefishimit të pikave të shitjes për produket e PTK-së, po fillojmë gradualisht të ndryshojmë qasjen e PTK-së në raport me konsumatorin. Do të jemi kudo që ka lëvizje të njerëzve, në tregje, markete, lokale, pika turistike, etj, etj”, ka bërë të ditur Drejtori Menaxhues i PTK-së, Agron Mustafa.

Marrëveshja për partneritet strategjik është inicuar para disa muajsh dhe  ka kaluar nëpër të gjitha procedurat ligjore. Fillimisht, është publikuar shprehja e interesit të PTK-së në media për gjetjen e një partneri potencial, për t’u selektuar më pas për negociata të drejtpërdrejta kompanitë që përfaqësonin ofertat më të mira.

Procesi i partneritetit strategjik për hapjen e pikave të reja të shitjes në të gjithë territorin e Kosovës, ka marrë aprovimin dhe rekomandimin e të gjithë departamenteve të PTK-së.

Janë rreth 10 njësi të PTK-së, duke filluar nga Vala, Telekomi, Shitja, Prokurimi, etj, drejtuesit e të cilëve kanë nënshkruar për të përzgjedhur për partneritet strategjik kompaninë me ofertën më të mirë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ptk-me-2-mije-pika-te-reja-te-shitjes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala