Pse Thaçit i vjen keq prej Haradinajt e Limajt?

Autori:Avdyl Pajaziti

Ngjarjet që ndodhën mbrëmë në Kuvendin e Kosovës i ka komentuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Ajo çka u pa, siç tha ai, mund të jetë e pritshme nga ata që sipas tij po e ndjekin modelin rus që së fundi është instaluar në disa vende të rajonit. Megjithatë, Thaçi tha se Kosova nuk do të lejojë rryma të tilla.

Duke qenë i bindur se situate do të qetësohet, Thaçi hoqi dilemat për ata që mendojnë për zgjedhje të jashtëzakonshme si formë për të arritur në pushtet.

“Nuk do të lejojmë që në Kosovë të realizohet projekti i shërbimeve ruse për destabilizimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Tani kemi një reagim sinkronizuar edhe në Kosovë për ta destabilizuar Kosovën kështu që kjo lëvizje anti-europiane dhe anti-euroatlantike nuk do të ngadhënjejnë në asnjë rrethanë dhe me asnjë çmim në Kosovë”, tha Thaçi për televizionin publik.

Ai u shpreh i habitur se si këtij modeli, që ai e quan rus, iu bashkuan dy partitë tjera, AAK dhe NISMA.

“Më vjen keq prej z. Haradinaj dhe z.Limaj por kanë rënë në një grackë që është përgatitur nga të tjerët në këtë rrethanë politike, se për atë tjetrin, gjithë populli i Kosovës e di si vepron dhe kush e mbështet dhe kush e ideon planin e tyre për destabilizimin e Kosovës”, tha Thaçi.

Këto lëvizje sipas Thaçi nuk e lëkundin koalicionin por ai është i shqetësuar me mesazhin që po i dërgohet botës me këto veprime.

Përdorimi i gazit dhe formave të tjera në Kuvend sipas Thaçit është përpjekje opozitare për të ardhur në pushtet.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pse-thacit-i-vjen-keq-prej-haradinajt-e-limajt/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala