Pse po vonohen rezultatet e autopsisë për rastin e Kumanovës?

Autori:Avdyl Pajaziti

Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë i janë drejtuar familjarët e të vrarëve dhe të ekzekutuarve në Kumanovë, duke kërkuar bërjen publike të rrethanave të vrasjes së familjarëve të tyre, përkatësisht kërkojnë rezultatet e autopsisë.

KMDLNJ thotë se autoritetet maqedonase, përkatësisht ekspertët mjeko-ligjorë e kanë përfunduar autopsinë mirëpo nuk ua kanë dorëzuar familjarëve këto rezultate, ndonëse kishte përfunduar identifikimi i të vrarëve e as autoriteteve kosovare.

“Edhe në Kosovë ka përfunduar autopsia mirëpo, gjithashtu ende nuk janë bërë publike rezultatet e autopsisë të ekspertëve mjeko-ligjorë kosovarë e as që u është dorëzuar familjarëve të viktimave një dëshmi për ekspertizën e përfunduar me rezultatet e saj. Në rrethana normale kur profesionalizmi është përcaktues për rezultatet e autopsisë, nuk do të kishte fare dallim midis raporteve të autopsisë të ekspertë mjeko-ligjorë maqedonas dhe atyre kosovarë sepse ata do të bashkëpunonin gjatë tërë procesit”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.

Më tej thuhet se në rrethanat aktuale ku politika përcakton standardet profesionale për rezultatet e autopsisë, raportet do të dallojnë, nuk do të bëhen publike me kohë e mbase as që do të bëhen publike ndonjëherë.

“Gjykimi i të arrestuarve dhe të akuzuarve në rastin e Kumanovës mund të sqarojë disa rrethana të vrasjeve, ndërsa vetëm raporti profesional i ekspertëve mjeko-ligjorë do ta zbardhte të vërtetën e vrasjes dhe rrethanat në të cilat janë vrarë. Autoritetet kosovare nuk kanë të drejtë pafundësisht ta mbajnë sekret raportin e ekspertëve mjeko-ligjorë kosovarë të cilët e kanë përfunduar autopsinë por duhet t’i bëjnë publike këto rezultatet dhe nuk duhet të lejojnë që ato të politizohen”, vlerëson KMDLNJ.

Po ashtu thuhet se autoritetet kosovare gjithashtu nuk janë të detyruara të presin palën maqedonase bërjen publike të rezultateve të autopsisë aq më parë që e drejta për t’u informuar për fatin e familjarëve që janë vrarë apo ekzekutuar në Kumanovë është e drejtë e njeriut dhe si e tillë duhet të respektohet.

“Implikimet dhe komplikimet e mundshme midis dy shteteve për shkak të rezultateve të autopsisë nuk nënkupton se familjarët duhet të privohen nga e drejta për të siguruar informata për fatin e familjarëve të tyre. Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup duhet t’u dalë në ndihmë familjarëve duke iu siguruar informatat e duhura sikur që duhet të kërkojë sqarime për rrethanat e vrasjes së tyre aq më parë që ka dyshime kur, së paku 2-3 individë janë ekzekutuar pasi janë zënë robër. Mbase, kjo mund të jetë arsye e vonesës së bërjes publike të rezultateve të autopsisë. Komiteti Ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq ka mandat të hulumtojë dhe sigurojë informata se në çfarë rrethana kanë ndodhur vrasjet në Kumanovë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

KMDLNj thotë se do të kërkojë sqarime nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Forenzikës të Kosovës për rezultatet e autopsisë dhe arsye pse këto rezultate (raport) nuk u janë dorëzuar familjarëve.

KMDLNj përkrah të drejtën e familjarëve që të sigurojnë raportin e autopsisë nga pala maqedonase dhe ajo kosovare pas së cilës, nëse ka dyshime për vrasjen e tyre, do të kishin mundësi të kërkojnë përgjegjësi për ata që e kanë shkelur ligjin dhe drejtësi për viktima.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pse-po-vonohen-rezultatet-e-autopsise-per-rastin-e-kumanoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala