Pse opozita e zgjodhi 28 Nëntorin për ‘manifestim’ kundër Qeverisë?

Autori:Avdyl Pajaziti

E kanë paralajmëruar si protestë masive tash e dy muaj, por partitë opozitare kanë vendosur që shprehjen e pakënaqësive kundër qeverisë dhe marrëveshjeve me Serbinë ta bëjnë me ‘manifestim publik’ në Ditën e Flamurit.

Por, pse pikërisht më 28 Nëntor?

Zyra për informim e Vetëvendosjes, tregon simbolikën e manifestimit në këtë datë.

“28 Nëntori, para së gjithash simbolizon përpjekjen kombëtare shqiptare për pavarësi dhe për shtet të lirë e të barabartë me shtetet e tjera. Pra kjo datë, më shumë se sa festë, shënjon përpjekje për liri dhe mospajtim me projektet e dëmshme të të tjerëve për vendin tonë. Pothuajse njësoj me para 100 vjetësh, Kosovës po i cenohet copëtimi nga disa anë. Në njërën anë përmes “Zajednicës” rreth 1/3 e territorit po vihet nën kontroll të Serbisë, kurse në anën tjetër përmes demarkacionit me Malin e Zi, këtij shteti po i falen mbi 8000 hektarë të territorit të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre dhënë KALLXO.com

Edhe pse opozita nuk ka kursyer asnjë formë të kundërshtimit për dy muaj, ku nuk ka përjashtuar as dhunën, këtë herë ata premtojnë paqe.

Sipas Frashër Krasniqit, zëdhënës në Vetëvendosje, ky do të jetë manifestim paqësor. Opozita kësaj radhe nuk do të përdorë dhunën në shprehjen e pakënaqësive.

“Ky manifestim do të jetë paqësor dhe do të jetë thjeshtë shprehje e vullnetit të qytetarëve kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe demarkacionit”, thotë ai.

Por a beson opozita që mbi 200 mije qytetarët që kanë nënshkruar peticioni do t’i bashkohen këtij manifestimi?

“Ky do të jetë një manifestim paqësor, por jashtëzakonisht masiv”, thotë Krasniqi.

“Në takimet e që kemi zhvilluar gjatë dy javëve të fundit, me qytetarë dhe me strukturat tona, kemi vërejtur që gatishmëria e njerëzve për të marrë pjesë në shprehje të pakënaqësisë, është shumë e madhe. Ky manifestim do t’i mbledh të gjithë të pakënaqurit me marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacionin me Malin e Zi, dhe së bashku do ta shprehim vullnetin tonë kundër këtyre marrëveshjeve”, tha Krasniqi.

Protesta do të fillojë në orën 14:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”. Por “ky nuk është as organizimi i parë dhe as nuk do të jetë i fundit në kundërshtimin e këtyre projekteve të dëmshme”, përfundon Krasniqi.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pse-e-opozita-e-zgjodhi-28-nentorin-per-manifestim-kunder-qeverise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala