Propozimet e Abdixhikut për negociata me Serbinë

Drejtori i Institutit për Hulumtime Zhvillimore ka dhën katër propozime për negociatat ekonomike që do të duhej të zhvilloheshin mes Kosovës dhe Serbisë.
Lexojeni të plotë propozimin e tij të postuar në facebook:
Për gjithë propaganduesit e qeverisë serbe, dhe për ndonjë pe-lëshues potencial tonin, kur jemi tek negociatat dhe ekonomia, me Serbinë mund dhe duhet të flasim vetëm për temat në vijim:
- Ndarjen proporcionale të hises së Kosovës në ish-Jugosllavi: Më 25 maj të vitit 2001, shtetet e ish-Jugosllavisë nën mbikëqyrjen dhe njohjen e Kombeve të Bashkuara, kishin nënshkruar në Vjenë marrëveshjen për ndarjen e hises e pasurisë federative. Kjo hise nënkuptonte pronësinë e 271,642 monedhave të arit (sot në vlerë prej 300 milion eurove); 1 miliardë euro (vlerë e sotshme) e parave të gatshme; e rreth 123 asete të paluajtshme të ambasadave e konsullatave nëpër të gjithë botën. Kështu Bosnja kishte marrë 13% të pasurisë, Kroacia 28%, Maqedonia 6%, Sllovenia 16% e Serbia bashkë me Malin e Zi plot 37%. Hiseja e Kosovës kishte përfunduar në llogaritë e Serbisë. Pavarësia e Kosovës prej Serbisë nënkupton njëtrajtësisht dhe trashëgiminë e pasurisë të ish-Jugosllavisë; veçanërisht kur Kosova ka paguar dhe paguan ende borxhet e ish-Jugosllavisë (rreth 1 miliardë euro).
- Kthimin e Fondit Pensional: Me rrënimin e autonomisë së Kosovës, të gjitha kontributet pensionale të qytetarëve rezident të Kosovës – në vlerë prej 2 miliardë dollarëve – ishin shtetëzuar e bartur unilateralisht në fondet shtetërore të Serbisë nën regjimin e Millosheviqit. Që nga përfundimi i luftës, rreth 40.000 pensionistë kosovarë kishin mbetur pa pensione përkundër kontributit jetësor në një fond që përfundonte si i plaçkitur. E drejta e pensionistëve është e konfirmuar dhe me Gjykatën e Strasburgut, prandaj kthimi i fondeve pensionale është jo vetëm prioritar por dhe lehtësisht i mundshëm.
- Trashëgiminë e pronave kosovare në Serbi: Sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në territorin e Serbisë janë plot 104 prona – degë të ndërmarrjeve kosovare – e të cilat janë privatizuar e transferuar pa kompenzuar asnjëherë pronarët përfundimtar të tyre – pra ndërmarrjet kosovare. Kosova ka edhe 70 prona të tjera në gjithë territorin e ish-Jugosllavisë.
Dhe më e rëndësishmja,
- Kompensimin e reparacionin e dëmeve të luftës: Pas një procesi verifikues (domosdo ndërkombëtar) – dhe sidomos pas kërkimfaljes – Serbia duhet të kompensojë Kosovën për të gjitha dëmet njerëzore, materiale e kapitale të bëra përgjatë gjithë luftës së fundit. Përtej dëmeve humane të parikuperueshme financiarisht e moralisht, Serbia vlerësohet të ketë bërë rreth 4 deri në 5 miliardë euro dëme në Kosovë.
Le të flasim pra. Kemi shumë për t’folur, e Serbia dhe më shumë për t’paguar. Por assesi për Trepçën e për pasurinë tonë të njohur botërisht si të tonën