Pronat private lirohen për projekte publike

Autori:Zekirja Shabani

Në qytetin e Prishtinës janë pikërisht trotuaret ato pjesë të hapësirës publike, të cilat, me pengesat që i përmbajnë, e vështirësojnë lëvizjen dhe jo rrallë e rrezikojnë jetën e këmbësorit.

Falë vullnetit dhe gatishmërisë së banorëve të lagjes “Ismet Krasniqi”, së shpejti kjo lagje do të bëhet me trotuare që janë një nga komponentet themelore të lëvizjes për qytetarë në hapësirat urbane.

“Në kuadër të evitimit të rreziqeve për qytetarët Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës ka intervenuar në një mur i cili ka qenë para shembjes dhe paraqiste rrezik serioz për banorët e kësaj lagjeje. Pas këtij intervenimi, shumë pronarë janë lajmëruar që të ofrojnë pronën private me qëllim të lirimit të hapësirave për trotuare me qëllim të shtimit të sigurisë në lagje”, njoftojnë zyrtarët nga Komuna e Prishtinës.
Njëkohësisht, Drejtoria e Inspekcionit e Komunës së Prishtinës është duke vazhduar edhe me aksionin për rrënimin e objekteve që paraqesin shkallë të lartë të rrezikut për qytetarë. Deri më tani janë rrënuar 26 objekte në lagje të ndryshme me qëllim të evitimit të rrezikut për sigurinë dhe shëndetin e banorëve të Komunës së Prishtinës.

Sipas njoftimit nga kjo komunë në të gjitha këto raste në të cilat ka intervenuar Drejtoria e Inspekcionit është konstatuar se banorët e Komunës së Prishtinës kanë qenë të rrezikuar për shkaqe të ndryshme, qoftë shkaku i rrezikut të shembjes së objekteve të vjetra , shpërndarjes së epidemive si pasojë e papastërtisë apo edhe ngaqë disa nga objektet kanë paraqitur rrezik potencial duke shërbyer si strehë për keqbërës të ndryshëm apo edhe janë shndërruar në vende të grumbullimit të qenve endacak.

“Me këtë rast, janë ekzekutuar 26 aktvendime për rrënim të objekteve. Pjesa më e madhe e aksioneve është zhvilluar në lagjet “Tophane”, “Kodra e Trimave” dhe në “Qendër”. Njoftojmë opinionin se aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, ndërsa aktualisht janë duke u evidentuar të gjitha ato objekte që paraqesin shkallë të lartë të rrezikut”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/pronat-private-lirohen-per-projekte-publike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala