Prokurorja e arrestuar, i kërkoi një mishshitësi të gënjente se i kishte dhënë para

“Avni, nëse të pyet dikush thuaj se m’i ke dhanë 4 mijë euro”, i kishte thënë prokurorja e krimeve të rënda në Mitrovicë, Vahide Badivuku, mishshitësit të njohur në Vushtrri, Avni Ferizi, një ditë para se të arrestohej nga Policia.
Pronari i mishtores “Apetiti” ka rrëfyer për gazetën ngjarjen e së shtunës kur në mishtoren e tij me shqetësim dhe nguti kishte hyrë prokurorja Badivuku me kërkesën që ai të gënjente se i dha para.
“Hyri në dyqan edhe më tha: ‘Avni nëse të pyet dikush thuaj që m’i ke dhanë 4 mijë euro’. Edhe doli”, tha Ferizi. Ngjarja sipas tij ka ndodhur të shtunën në orën 15:00.
Pesëmbëdhjetë minuta pasi prokurorja kishte dalë nga dyqani, dy policë civilë kishin hyrë në mishtoren e Ferizit dhe e kishin marrë në pyetje për bisedën me prokuroren Badivuku.
Policia ia kishte kontrolluar të gjitha paratë që Ferizi kishte në posedim, përfshirë edhe ato të xhepit.
“I krahasojshin me disa kopje të parave që kishin në fletoren e tyre”, tregoi ai.
Hetuesit i kishin kërkuar që të shkonte në stacionin policor për të dhënë deklaratë lidhur me bisedën me prokuroren e dyshuar, e që po përcillej nga Policia, përcjell koha.net. Aty Ferizi iu kishte sqaruar hetuesve se prokurorja i kishte kërkuar që të gënjente.