Prokurorja Badivuku u arrestua për 22 mijë euro ryshfet

Prokuroria Speciale e Kosovës në Bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar prokuroren e Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, Vahide Badivukun e cila dyshohet për veprat penale si marrje ryshfeti, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim të ndikimit.
Prokurorja Vahide Badivuku, është arrestuar nën dyshimin se ka marrë ryshfet për t’i liruar disa vetura të sekuestruara, në një lëndë penale të cilën ajo e ka pasur nën hetime, transmeton Klan Kosova.
Badivuku ka kërkuar ryshfetin në vlerë prej 22 mijë eurosh përmes ndërmjetësuesve, dhe pas marrjes së shumës në fjalë, ajo si prokurore e rastit ka përgatitur kërkesën për lirimin e automjeteve.
Kur prokurorja po kalonte në pikën kufitare në Merdare, është kontrolluar dhe te ajo janë gjetur para të gatshme në vlerë prej 5 mijë euro, të cilat janë pjesë e atyre 20 mijë euro që kishte pranuar si ryshfet për t’i liruar veturat.
Së bashku me prokuroren Badivuku, janë arrestuar edhe dy ndërmjetësues, ndërsa i treti gjendet në arrati.