Prokuroria, ‘pakt’ me uzurpatorët

Autori:Avdyl Pajaziti

Prokuroria e Shtetit në Kosovë nuk e ka qartësuar nëse ka filluar të merret me rastet e uzurpimeve të ndërmarrjeve shoqërore, të cilat janë privatizuar vite më parë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), por që pronarët e rinj nuk po mund t’i marrin nën menaxhim.

Nga 1303 kontrata të nënshkruara prej fillimit të procesit të privatizimit (në vitin 2002) e deri më tani, janë hiç më pak se 100 ndërmarrje të privatizuara, të cilat kanë ende probleme me uzurpatorë.

Javë më parë në gazetën “Zëri” është botuar një hulumtim, ku bëhet e ditur se në mesin e uzurpatorëve të disa lokaleve të privatizuara, të cilët gjenden në qendër të Prishtinës, janë zyrtarë të lartë shtetërorë, siç është rasti i sekretarit të Bordit të Shërbimit Spitalor dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Fahredin Majkovci, i cili njëherësh është kryetar i degës së Prishtinës në Partinë e Drejtësisë, që udhëhiqet nga ministri Ferid Agani, apo Rrustem Rukolli, bashkëpunëtor i ngushtë i kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, etj.

Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Këshillit Prokurorial të Kosovës, nuk jep detaje nëse Prokuroria po merret me rastet e tilla të uzurpimeve, kur të “fortët” e vendit po përfitojnë financiarisht nga prona e uzurpuar.

“Prokurori i Shtetit është i obliguar të veprojë kurdoherë që ka bazë për një gjë të tillë”, thotë Lutfiu në disa përgjigje të shkurtra për “Zërin”

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/prokuroria-pakt-me-uzurpatoret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala