Prokuroria fillon hetimin ndaj të arrestuarve dje në Vermicë për lëndë narkotike

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër të pandehurve, J. J. dhe M.J., të cilët janë arrestuar dje pas një kontrolli të kryer nga ana e policisë në vendkalimin kufitar në Vërmicë komuna e Prizrenit, iu është gjetur një sasi e substancës narkotike prej 16 kilogramësh në veturën e tyre.
“Të pandehurit lëndët narkotike prej 30 paketime (qese plastike të tejdukshme ) të dyshuara të llojit marihuanë (16 kilogram e 290 gram), e kanë transportuar nga Shqipëria në drejtim të Kosovës, me qëllim të shitjes, shpërndarjes apo ofrimit për shitje personave tjerë”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.
Po ashtu, gjatë kontrollit dhe bastisjes nga policia në shtëpinë e të pandehurit J. J., është gjetur edhe një qese plastike e mbushur me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë rreth 500 gram, të cilat janë konfiskuar në vendin e ngjarjes nga policia.
Sipas komunikatës nga prokuroria thuhet se dy të pandehurit me këto veprime kanë kryer veprën penale, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 273 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KP-së.
“Prokurori i Shtetit, ka bërë kërkesë te Gjyqtari i procedurës paraprake, në Gjykatën Themelore, Departamenti i Krimeve të Rënda për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh”, përfundon komunikata e prokurorisë.