Prokuroria e Shtetit nuk do të hetojë rritjen e pasurisë së zyrtarëve

Prokuroria e Shtetit është duke shqyrtuar me kujdes deklarimet e zyrtarëve publikë, të bëra në Agjencinë Antikorrupsion të Kosovës.
Zyra për Media ka thënë për KTV-në se varësisht nga gjetjet, pastaj do të veprojë.
Por, aty nuk përmendet mundësia që ex-officio Prokuroria të nisë hetime, por vetëm ‘nëse informohet për dyshimin se është kryer apo pritet të kryhet vepra penale’.
Kështu, Prokuroria konfirmon se nuk do të hetojë raste të rritjes së pasurisë së zyrtarëve të shtetit, në shpërputhje me pagën e tyre.
“Prokuroria nuk mund të fillojë hetime kur deklarimi i pasurisë është në përputhje me ligjet për deklarimin e pasurisë”, ka thënë Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Këshillit Prokurorial.
Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, thotë se vetë partitë politike, sidomos qeveria nuk ka qenë e interesuar të shtyjë përpara ligjet si ai për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Në deklarimet e pasurisë, zyrtarët nuk janë të obliguar të tregojnë prejardhjen e pasurisë së tyre.