Prokuroria dhe Policia bashkërendojnë veprimet për mbrojtjen e dëshmitarëve të Gjykatës Speciale

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim pune drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni.
Në këtë takim u diskutua për bashkëpunimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve në mes Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, për synimet e përbashkëta, si dhe për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen këto institucione.
Ndër të tjera gjatë këtij takimi u diskutua edhe për mbrojtjen e dëshmitarëve, si fushë e rëndësishme për rritjen e efikasitetit në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, transmeton kp.
Të dyja palët shprehën gatishmërinë e tyre për tu angazhuar në avancimin e bashkëpunimit në mes Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, me qëllim të sigurimit të sundimit të ligjit në vendin tonë.
Me qëllim të koordinimit sa më të mirë të aktiviteteve të përbashkëta kryeprokurori Lumezi dhe drejtori Maxhuni vendosën që së shpejti të realizojnë vizita të përbashkëta në Prokuroritë Themelore dhe në drejtoritë rajonale policore.