Prokurori lë gjykimin për terrorizëm

Autori:Gazeta Fjala

Prokurori special, Blerim Isufaj, nuk do ta përfaqësojë më lëndën për terrorizëm ngase është zgjedhur në krye të KPK-së.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, nuk u paraqit në seancën e së premtes kundër 11 të akuzuarve për vepra që lidhen me terrorizmin.

Kryetarja e trupit gjykues tha se prokurori nuk e ka arsyetuar mungesën, ndërsa tregoi se ka kontaktuar me administratën e Prokurorisë Speciale nga e cila është njoftuar se këtë lëndë më nuk do të përfaqësojë më prokurori Blerim Isufaj, pasi që ai është zgjedhur kryetar i Këshillit Prokurorial.

Isufaj u zgjodh në krye të KPK-së më 16 janar, ndërsa në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” të shfaqur të premten e 12 shkurtit tha se do të jetë i pakompromis me prokurorët e padisiplinuar.

Sipas kryetares së trupit gjykues, lëndën e Blerim Isufajt tash do ta marrë prokurori Admir Shala.

Për mungesë të prokurorit, kjo kryetare u detyrua ta shtyjë seancën, por tha se do të kërkojë sqarim për këtë mungesë nga përgjegjësi i Prokurorisë Speciale.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë më datën 7 maj 2015 ndaj Hafiz Ahmetit, Naser Avdylit, Ibrahim Reshitit, Albert Berishes, Enis Begollit, Skënder Syles, Hajdin Elezit, Hajrush Lajçit, Agron Likes, Muxhahid Bravës dhe Samedin Halimit.

Agron Lika dhe Samedin Halimi janë akuzuar nga prokuroria për vepër penale armëmbajtje pa leje, ndërsa të tjerët për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.

Në seancat e kaluara disa nga të akuzuarit kanë pranuar fajësinë.
Seanca që nuk u mbajt sot, u shty për 4 prill.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/prokurori-le-gjykimin-per-terrorizem/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala