Projektligji për festat zyrtare kthehet në pikën zero

Qeveria nuk ka ende zgjidhje për Projektligjin për festat zyrtare, i cili ka dështuar të marrë votat e duhura për të kaluar në parim, edhe pas hedhjes së dytë në votim, në njërën nga seancat e kaluara të Kuvendit.
Projektligji, sipas procedurave, i është kthyer Qeverisë. Përveç shumicës së votave të deputetëve kosovarë, për të kaluar ky projektligj duhen edhe votat e dy të tretave të deputetëve të minoriteteve. Ai nuk ka kaluar në Kuvend pasi që përveç opozitës në Kuvend nuk kanë qenë të pranishëm dy të tretat e deputetëve të komuniteteve pakicë, shkruan sot Koha Ditore.
Ligji për festa zyrtare ka qenë një ndër më të kontestuarit nga pjesëtarë të shoqërisë civile, qytetarë, por edhe nga deputetë, për shkak të numrit të madh të festave, mospërfshirjes së disa festave të tjera e bartjen e festave në ditën e hënë, në rastet kur ato kanë rënë në fundjavë.
Tani Projektligji nuk do të dalë më para deputetëve, pasi që zyrtarisht përfaqësues të administratës së Kuvendit kanë thënë se ai i është kthyer Qeverisë.