Projekti i shpresës

Autori:Avdyl Pajaziti

Turistët e paktë janë djersitur goxha shumë të martën duke u ngjitur në majat e kodrave përgjatë shtegut të skijimit në kompleksin turistik. Fëmijët kanë rrëshqitur me saja në pjesën lugore të shtegut që zgjatet deri te shkallët me dëborë të shtëpizave-restorante.

Naser Kabashi, që nuk e ka në qejf ta tregojë moshën, por duket në fund të dyzetave, është larguar i frustruar nga qendra turistike. I ka ngelur merak që nuk ua plotësoi të bijave dëshirën për të skijuar në shtigjet e Kosovës, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Më thanë se nuk punojnë, se teleferikët nuk i kanë lëshuar ngase punëtorët ishin në protestë”, thekson Kabashi, që ndihet i zënë ngushtë para dy të bijave. “Erdha prej Mitrovice dhe duhet të kthehemi pa skijuar pas gjithë asaj rruge”, thotë ai. Ish-profesori i edukatës fizike, që nuk tregon se çfarë punon tani në Gjermani, ua ndalon të bijave tinejxhere të flasin për gazetë. Me gjuhë të ashpër futet në makinën me targa gjermane në parkingun e paasfaltuar skaj rrugës poshtë kompleksit në Brezovicë.

“Mirëseardhje me mbeturina”

Targat e makinave të tjera tregojnë se në mesin turistëve të paktë ditorë ka shtetas hungarezë, qytetarë prishtinas, zyrtarë të EULEX-it dhe ushtarë të KFOR-it. Përroska që ndan tabelën e drunjtë të kompleksit është vërshuar nga mbeturinat e gjithfarshme. Edhe rruga përpjetë drejt qendrës së skijimit ka bërllok që ka dalë në pah pas nisjes së shkrirjes së dëborës së pahequr. Tonelata plehrash janë grumbulluar në humnerën poshtë rrugës dhe anash parkingjeve ku nuk janë as dhjetë makina.

Pesë pjesëtarë të ushtrisë sllovene refuzojnë të flasin pa lejen e eprorëve. Pasi kërkojnë ndjesë, menjëherë i kthehen muhabetit të shoqëruar me birra në tarracën e Zoran Stojanoviqit. Dhjetëra turistë kanë shijuar kafet e birrat në rrezet e diellit. Çmimet janë të njëjta me ato në kryeqytet. Termometri tregon se temperatura është gjashtë shkallë celsius.

Prishtinasja Altika Shala, 25 vjeç, thotë se ka qëndruar me burrin dhe djalin dy vjeç pothuajse një javë në pushimoren e tyre në luginën poshtë. Është ngjitur lart në mëngjes për t’u “reklamuar” në rrezet e diellit.

“Veç kemi ardhur me pushu, m’i pa rrezet e diellit dhe m’u reklamu”, qeshet Shala. “Poshtë ka pasur lagështi dhe lloç” .

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/projekti-i-shpreses/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala