Projektet për zhvillimin e Gjilanit

Autori:Avdyl Pajaziti

Komiteti i Zhvillimit Ekonomik dhe Agrikulturës (KZHEA) i komunës së Gjilanit i nxit drejtoritë përkatëse komunale që të vazhdojnë të punojnë me të njëjtin ritëm si deri tani, për të tërhequr sa më shumë investime e subvencione për sektorët e ekonomisë dhe të bujqësisë, në të mirë të zhvillimit të përgjithshëm shoqëror e familjar.

KZHEA, siç njoftoi shërbimi komunal për informim, ka miratuar raportin e punës së drejtorive në fjalë për periudhën janar-mars të këtij viti.

Kryesuesja e Komisionit, Jehona Hyseni, ka thënë se puna e dy drejtorive ndikon në zhvillimin ekonomik dhe bujqësor, që janë fusha me mundësi të mëdha edhe për punësim.

Raportin për bujqësi e ka paraqitur drejtori Ramiz Ramadani, i cili ka thënë se Drejtoria është angazhuar në kompletimin e projekteve të parapara për vitin 2015 dhe i ka dorëzuar ato në Ministrinë e Bujqësisë. Ai beson se fermerët e Gjilanit, sivjet do të përfitojnë subvencione e grante mbi 1milion e 140 mijë euro.

Gjilani është njëra prej komunave që është përzgjedhur edhe në programin e EURED-it për zhvillimin e agrobiznesit, ku do të përfitojë një numër i fermerëve, ka thënë mes tjerash Ramadani, i cili ka prezantuar edhe shifrat për investimet e kryera në këtë tremujor.

Raportin për Zhvillimin Ekonomik e ka paraqitur drejtori Ismail Januzi, i cili ka thënë se gjatë kësaj periudhe, interesim i veçantë i është kushtuar bashkëpunimit me donatorët, Qeverinë, Agjencinë për Zhvillim Rajonal si dhe me institucione dhe organizata tjera, me qëllim të ngritjes së nivelit të zhvillimit ekonomik lokal, përmes përkrahjes së bizneseve të vogla e të mesme, që të aplikojnë në programet e ndryshme të granteve.

Januzi, mes tjerash, ka informuar për projektet për të cilat ka aplikuar Komuna e Gjilanit: për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza (vlera 14,700,000 euro), ndërrimin e gypave kryesorë të ujësjellësit dhe rrjetit shpërndarës (vlera 4,986,000 euro), ndërtimin e parkut industrial në lokacionin “Gllama” (vlera 2,170,020 euro) dhe ndërtimin e objektit të Administratës Komunale (vlera 2,564,452 euro), njoftoi shërbimi komunal për informim.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/projektet-per-zvillimin-e-gjilanit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala