Projektet gjysmake të Ferizajt

Sheshit kryesor i qytetit të Ferizajt i mungojnë 25 ulëse, 33 shporta për mbeturina, 26 shpuzore e 2 mbajtëse të bicikletave. Ato do të duhej të ishin vendosur tash e një vit në sheshin që i ka kushtuar buxhetit të komunës hiq më paakë se mbi 1 milion euro nga taksat e qytetarëve.
Organizata INPO ka realizuar të premten në Ferizaj një performancë përmes së cilës ka kërkuar nga organet komunale përfundimin e dy projekteve kapitale dhe në të njëjtën kohë t’i njoftoj qytetarët e këtij qyteti për arsyet pse këto projekte nuk janë përfunduar.
“Ndër projektet kapitale të cilat kanë konsumuar më së shumti buxhetin e Komunës së Ferizajt ndër vite, e të cilat nuk janë finalizuar janë rregullimi i sheshit të qytetit dhe ndërtimi i rrugës “Rexhep Bislimi” me katër korsi, si projekte 2 vjeçare”.
Punimet për të dyja këto projekte patën filluar në vitin 2013 dhe arrin vlerën e afro 3 milion eurove.
“Finalizimi dhe pranimi teknik i punimeve në rrugën “Rexhep Bislimi” është dashur të bëhet në muajin maj të këtij viti, ndërsa ai për sheshin e qytetit në muajin qershor të po këtij viti. Mirëpo, këto dy projekte janë larg finalizimit të tyre duke pasur parasysh se nuk janë realizuar një varg punimesh ashtu sikur janë projektuar”, thuhet në njoftimin për mediat të INPO-s.
Derisa në sheshin e qytetit ende mungojnë ulëset e elementet tjera përcjellëse, në rrugën “Rexhep Bislimi” akoma nuk është bërë asfalitimi i rrugës edhe me dy shtresa, mungon sinjalistika rrugore, shiritat për biçiklist, nuk është bërë zhvendosja e shtyllave elektrike të cilat vazhojnë të jenë në rrugë të qarkullueshme për automobila, nuk janë vendosur shtyllat elektrike për ndriçim publik, e shumë punë tjera të pa mbaruara.
INPO vlerëson se vonesat dhe zvarritjet në përfundimin e këtyre dy projekteve kanë ardhur si pasojë e mos planifikimit efektiv të buxhetit për investime në këto dy projekte, joefikasitetit të punës dhe keqmenaxhimit të pushtetit të kaluar dhe këtij të tanishmit.