Projektbuxheti 2016, bujqësia financim 5.2 miliardë lekë

Autori:Avdyl Pajaziti

Bujqësia po merr vëmendje gjithnjë e më shumë nga investitorët vendas. Madje ky është tregu që sipërmarrja po kërkon sot të investojë.

Edhe pse ky sektor vijon të mbetet i organizuar në “biznes” familjar, tashmë duket se përqendrimi edhe i qeverisë është në zhvillimin e këtij sektori. Projekti i qeverisë për vitin që vjen parashikon financim në masën 5.2 miliardë lekë, i cili synon zgjerimin e skemave të mbështetjes së fermerëve, përmirësim të infrastrukturës se ujitjes dhe kullimit, si edhe formalizimin e sektorit të peshkimit. Sipas asaj çfarë parashikohet për vitin 2016 për këtë sektor është rajonizimi i prodhimit bujqësor dhe blegtoral mbi bazën e potencialeve specifike sipas rajoneve.

Parashikimi në zëra të detajuar për këtij sektori, flet për mbështetjen financiare të afër 12 mijë fermerëve me skema financimi që synojnë nxitjen e prodhimit bujqësor e blegtoral vendas, si dhe lehtësimin e daljes në treg. Kostoja për këtë është parashikuar në vlerën 2 miliardë lekë. Po kështu futja e teknologjive të avancuara, shihet si një mundësi financimi në buxhet, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimit dhe agro-përpunimit në vend.

Siguria ushqimore një element që shihet me mjaft dyshim nga konsumatori, do të marrë pjesën e vet të financimit nga qeveria. Po kështu rritja e standardeve të tregtimit në sektorin e peshkimit, është një zë që parashikohet të financohet nga buxheti i shtetit.

Sipas parashikimit të bërë për infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit, financimi pritet të sigurojë rritje të sipërfaqes së ujitshme me 90 mijë hektarë dhe garantimin e funksionalitetit të skemave ujitëse edhe në 120 mijë hektarë të tjerë. Sa i përket sistemit të kullimit deri në vitin 2017 pritet përmirësimi i gjendjes për 270 mijë hektarë tokë bujqësore.

Çfarë parashikon projekti?

  • Rajonizimi i prodhimit bujqësor dhe blegtoral mbi bazën e potencialeve specifike sipas rajoneve.
  • Mbështetje financiare afërsisht për 12,000 fermerë me skema financimi që synojnë nxitjen e prodhimit bujqësor e blegtoral vendas, si dhe lehtësimin e daljes ne treg.
  • Stimulimin e përdorimit të teknologjive të zhvilluara dhe inovacionit.
  • Rritje e konkurrueshmërisë së prodhimit dhe agro-përpunimit në vend.
  • Krijimi i kushteve favorizuese për rritjen e sigurisë ushqimore dhe rritjen e standardeve të tregtimit në sektorin e peshkimit.
  • Heqja e barrierave tarifore për imputet bujqësore dhe lëndët e para të prodhimit bujqësor dhe industrial. /Dita/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/projektbuxheti-2016-bujqesia-financim-5-2-miliarde-leke/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala