Programi i plotë për ekonomi i Qeverisë së Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Republika e Kosovës

Republika Kosova-Republic of Kosovo

Qeveria-Vlada-Government

 

 

 

PROGRAMI I QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

2015-2018

 

(I prezantuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me rastin e votimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Prishtinë, më ____________)

 

Përmbajtja

 

  1. EKSPOZE. 4
  2. PARIMET DHE SHTYLLAT E PROGRAMIT QEVERISËS. 5
  3. ZHVILLIMI EKONOMIK, PUNËSIMI DHE MIRËQENIA. 6

1.1.      Politika fiskale të favorshme. 7

1.1.1.      Përshkallëzimi i TVSH-së. 7

1.1.2.      Ulja e pragut të TVSH-së. 8

1.1.3.      Pushimet nga taksat 8

1.1.4.      Integrimi i ATK-së, DK-së dhe mbledhja e TVSH-së në brendi 8

1.1.5.      Lirimet doganore. 9

1.2.      Politika tregtare konkurruese dhe përmirësimi i mjedisit biznesor 9

1.2.1.      Hapja e tregut 9

1.2.2.      Funksionalizimi i zonave të tregtisë së lirë. 10

1.2.3.      Luftim i ekonomisë joformale. 10

1.2.4.      Eliminimi i barrierave ligjore dhe zvogëlimi i burokracisë. 11

1.3.      Përkrahja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. 12

1.4.      Promovimi i investimeve. 13

1.4.1.      Krijimi i partneriteteve strategjike në fushën e investimeve. 13

1.4.2.      Lehtësimi dhe promovimi i investimeve nga diaspora. 14

1.4.3.      Avancimi i partneritetit publiko-privat 16

1.5.      Efikasiteti i shpenzimeve, madhësia e sektorit publik dhe rregullat fiskale. 16

1.6.      Sistemi financiar i qëndrueshëm dhe në funksion të zhvillimit ekonomik. 17

1.7.      Fondi për Investim dhe Punësim.. 18

1.8.      Investimi në energji, miniera, mbrojtjen e mjedisit dhe teknologji informative e komunikuese. 20

1.8.1.      Rregullimi i statusit të Ndërmarrjes “Trepça” nëpërmjet ligjit të veçantë. 20

1.8.2.      Ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese. 20

1.8.3.      Dekomisionimi i kapaciteteve gjeneruese të vjetruara. 21

1.8.4.      Avancimi i projekteve të ngrohjes qendrore. 21

1.8.5.      Liberalizimi i tregut energjetik dhe minerar 22

1.8.6.      Përfshirja e Kosovës në rrjetin e gazsjellësit 22

1.8.7.      Mbrojtja e Mjedisit 22

1.8.8.      Masat për përkrahjen e mbrojtjes së mjedisit 22

1.9.      Zhvillimi i bujqësisë. 22

1.9.1.      Masat për përkrahjen e bujqësisë. 22

1.9.2.      Rritja e fondit për subvencione dhe grante. 23

1.9.3.      Reformat ligjore për mbrojtje të bujqësisë. 24

1.9.4.      Përmirësimi i infrastrukturës bujqësore. 24

1.9.5.      Mbështetja për sektorin e blegtorisë. 24

1.9.6.      Promovimi i kulturave të reja bujqësore dhe i bujqësisë organike. 25

1.9.7.      Mbrojtja e resurseve pyjore. 25

1.10.   Infrastruktura. 25

1.10.1.        Infrastruktura rrugore. 25

1.10.2.        Infrastruktura hekurudhore. 26

1.11.   Telekomunikacioni dhe teknologjia e informacionit 26

1.11.1.        Marrja e kodit telefonik shtetëror 27

1.11.2.        Privatizimi i VALA-s pas ristrukturimit të nevojshëm.. 27

1.11.3.        Liberalizimi i mëtejmë i tregut të telefonisë mobile. 27

1.12.   Zhvillimi i turizmit 29

1.12.1.        Zhvillimi i resorit turistik multifunksional “Brezovica”. 30

1.12.2.        Zhvillimi i turizmit rural dhe malor 30

1.12.3.        Mbrojtja e resurseve natyrore. 30

1.13.   Përmirësimi i performancës së ndërmarrjeve publike. 31

1.14.   Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe ndërmarrjet shoqërore. 32

1.15.   Ujërat 32

1.15.1.        Plani për menaxhimin e ujërave. 32

1.15.2.        Trajtimi i ujërave të zeza. 33

1.15.3.        Investimet në sistemin e ujitjes. 33

1.16.   Politikat sociale, mirëqenia sociale dhe solidariteti ndërshoqëror 33

1.16.1.        Parimet e politikave të mirëqenies sociale. 33

1.16.2.        Trajtim i kategorive të veçanta. 34

1.16.3.        Ruajtja e standardit të jetës së atyre që varen nga shteti 34

1.16.4.        Promovimi i ndërmarrësisë për të zvogëluar varësinë nga asistenca sociale. 35

 

 

 

A.   EKSPOZE


 

B.     PARIMET DHE SHTYLLAT E PROGRAMIT QEVERISËS

Synim parësor i Qeverisë së Republikës së Kosovës është të ndërtojë një qeverisje efektive, kompetente dhe të përgjegjshme, që do të forcojë besimin e qytetarëve të Kosovës dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë për vitalitetin e Kosovës si shtet i ri dhe i pavarur; të forcojë demokracinë qytetare, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të secilit; të promovojë zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien nëpërmjet ekonomisë sociale të tregut; të sigurojë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të promovojë shoqërinë e dijes; të ndërmarrë politika që e rrisin cilësinë e jetës, që ofrojnë mundësi të barabarta për qasje në arsim e shëndetësi cilësore, në jetën sociale dhe në shërbimet publike përgjithësisht.

 

Në bazamentin e Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në filozofinë e saj vepruese janë vlerat demokratike evropiane, si: respekti për traditën, liria, drejtësia dhe toleranca, transparenca, liria e të shprehurit, liritë individuale dhe kolektive, që paraqesin fondamentin e shoqërisë moderne evropiane të Kosovës. Në të gjitha politikat e saj, Qeveria do të promovojë dhe forcojë vizionin për Kosovën shtet i pavarur, demokratik, dhe i integruar në strukturat euroatlantike. Qeveria do të angazhohet fuqishëm për funksionim të pavarur të legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, duke krijuar kushte për ngritje të efikasitetit të tyre.

 

Qeveria angazhohet që brenda gjashtë muajve të hartojë Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit të Kosovës për periudhën afatmesme 2015-2020, duke bërë që për herë të parë në historinë e saj Kosova të ketë një strategji gjithëpërfshirëse zhvillimi. Strategjia e re do të fokusohet në politika që stimulojnë rritjen ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Strategjia do të reflektojë, në masë të madhe, masat e propozuara në këtë program qeverisës si dhe masa që rrisin aftësinë konkurruese të ekonomisë kosovare në tregun rajonal dhe më gjerë, rritjen e punësimit dhe zhbllokimin e potencialeve për rritje ekonomike që nuk janë shfrytëzuar deri më tani, siç janë minierat, energjetika, teknologjia informative dhe komunikuese, etj. Strategjia do të marrë parasysh kriteret mjedisore në procesin e zhvillimit ekonomik dhe shfrytëzimin afatgjatë të resurseve natyrore që ka Kosova. Strategjia do të nxjerrë në pah rëndësinë e potencialit të kapitalit njerëzor që ka Kosova për promovimin e zhvillimit ekonomik. Strategjia do të marrë parasysh kriteret mjedisore në procesin e zhvillimit ekonomik dhe shfrytëzimin afatgjatë të resurseve natyrore që ka Kosova. Strategjia do të nxjerrë në pah rëndësinë e kapitalit njerëzor që ka Kosova për promovimin e zhvillimit ekonomik.

 

Strategjia kombëtare e zhvillimit do të shoqërohet masa për përmirësimin e kapaciteteve institucionale të Kosovës për menaxhimin e politikave zhvillimore. Sa më shumë që Kosova avancon në procesin e integrimit evropian, aq më shumë rriten kërkesat për forcimin e kapaciteteve institucionale. Me ndihmën intensive të Komisionit Evropian, Qeveria do të adaptojë një sistem të integruar të planifikimit, si një nga praktikat më të avancuara të vendeve në tranzicion.

 

Programi qeverisës i Qeverisë së Republikës së Kosovës përqendrohet në këto shtylla kryesore: (I) Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, punësimi dhe mirëqenia; (II) Sundimi i ligjit dhe shteti ligjor; (III) Agjenda evropiane dhe politika e jashtme; (IV) Arsimi, shkenca, kultura, sporti dhe zhvillimi rinor; dhe (V) Shëndetësia moderne.

 

1.     ZHVILLIMI EKONOMIK, PUNËSIMI DHE MIRËQENIA

Zhvillimi ekonomik, promovimi i punësimit dhe rritja e mirëqenies do të bazohen në iniciativën private, konkurrencën dhe tregun e hapur, si forcat kryesore që sigurojnë prosperitet ekonomik. Roli i Qeverisë do të jetë në ofrimin e kornizës institucionale, brenda së cilës zhvillohen aktivitetet ekonomike, me qëllim të sigurimit të kohezionit të brendshëm të ekonomisë dhe të shoqërisë.

 

Qeveria do të angazhohet fuqishëm për integrimin në tregjet rajonale dhe globale. Do të përmirësohet mjedisi për gjenerimin e ideve ndërmarrëse, për tërheqjen e investimeve të jashtme dhe për promovimin e punësimit, duke siguruar, në të njëjtën kohë, shfrytëzim racional të resurseve për brezat e tanishëm dhe të së ardhmes. Zhdukja e varfërisë do të jetë objektiv qendror i politikave ekonomike dhe sociale.

 

Qeveria do të punojë shumë për të gjeneruar rritje të qëndrueshme ekonomike, e cila siguron stabilitet makroekonomik, fiskal dhe social, si dhe reformë strukturale ekonomike, ku prodhimi vendës, promovimi i eksportit dhe i dijes do mundësojnë gradualisht zvogëlimin e deficitit tregtar.

 

Qeveria do të promovojë investimet, duke ulur kostot për bizneset nëpërmjet ndërtimit të infrastrukturës adekuate rrugore dhe hekurudhore, të telekomunikimit, energjisë dhe ujërave. Politikat ekonomike të Qeverisë do të sigurojnë përfshirje aktive në zhvillimin ekonomik të vendit të bashkatdhetarëve tanë që punojnë dhe jetojnë në shtetet e tjera.

 

Orientimet e lartpërmendura do të bazohen në këto parime fondamentalë buxhetore: (i) qëndrueshmëri buxhetore dhe stabiliteti makro-fiskal në fushën e menaxhimit të financave publike; (ii) koherencë në mes të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore, duke ndjekur politikën e ngarkesave të ulëta tatimore në interes të zhvillimit të sektorit privat. Fuqizimi i sektorit privat do të vazhdojë të realizohet nëpërmjet hartimit të politikave, të cilat do të derivojnë nga dialogu publiko-privat, me synim që politikat fiskale, tregtare, tërheqjes së investimeve të jashtme, përmirësimit të mjedisit biznesor dhe zhvillimit të fuqisë punëtore, të jenë promotor i rritjes së sektorit privat dhe gjenerimit të vendeve të reja të punës.

 

Vazhdimësia në realizimin e reformave strukturore në ekonomi, përkatësisht përshpejtimi i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve me pronësi shtetërore dhe promovimi i modeleve të partneritetit publiko privat, me qëllim të tërheqjes së kapitalit të huaj privat dhe përmirësimit të shërbimeve të ofruar për qytetarët e Kosovës, do të jetë komponentë e rëndësishme në kuadër të politikave zhvillimore për realizimin e reformave drejt ekonomisë së tregut.

 

1.1.     Politika fiskale të favorshme

Qeveria do të promovojë politikat fiskale të cilat derivojnë nga objektivat ekonomike, duke stimuluar investimet e reja, punësimin dhe tërheqjen e kapitalit të jashtëm. Sistemi i përshtatshëm tatimor dhe mjedisi i favorshëm biznesor janë shtyllat më të rëndësishme për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat në vend. Prandaj, përmirësimi i vazhdueshëm i sistemit tatimor dhe përputhshmërisë tatimore janë prioritetet themelore të Qeverisë së Kosovës. Kjo ambicie ka për synim zgjerimin e bazës së resurseve për të financuar zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe agjendën e kohezionit social, si dhe në të njëjtën kohë ruajtjen e përparësisë konkurruese të mjedisit biznesor të vendit.

 

Ne synojmë që me reformim të politikave tatimore të arrijmë:

  • Rritje të të hyrave të përgjithshme në buxhet, krahas mbajtjes së niveleve të ulëta tatimore, duke kontribuar në rritjen e qëndrueshme të investimeve të huaja;
  • Ruajtje të një mjedisi të parashikueshëm dhe të qëndrueshëm tatimor, kushte këto të cilat janë të rëndësishme për rritjen e biznesit vendor dhe tërheqjen e investitorëve të huaj;
  • Zgjerimin e bazës tatimore nëpërmjet reformës fiskale, si dhe përmirësimet në inkasim nëpërmjet luftimit të zbrazëtirave ligjore dhe evazionit fiskal.

 

Qeveria do të aplikojë një politikë tatimore të thjeshtë, me procedura të thjeshta të deklarimit të tatimeve, nëpërmjet avancimit të sistemit elektronik të raportimit dhe kontrollit. Politika tatimore do të ruajnë parimet kryesore, siç janë aftësia konkurruese e bizneseve, parashikueshmëria e politikave fiskale, gjithëpërfshirja, drejtësia dhe transparenca. Në fokus do të jetë rritja e vazhdueshme e mirëqenies sociale dhe e standardit jetësor, nëpërmjet rritjes së pagave, pensioneve, kategoritë e dala nga lufta, si dhe skemave sociale.

 

Qeveria do të punojë në përmbylljen e procesit të fiskalizimit të të gjitha bizneseve, nëpërmjet: ngritjes së vetëdijes së qytetarëve për pajisje me kupona fiskalë, duke ofruar stimuj për informatorët në këtë proces; inkurajimin e bizneseve të vogla dhe të mesme në deklarimet financiare, duke ulur obligimet dhe thjeshtësuar procedurat e raportimeve tatimore. Paralelisht me ngritjen e të hyrave nga tatimi i brendshëm, do të ulet pragu i pagesës së TVSH-së në mënyrë progresive.

 

1.1.1.     Përshkallëzimi i TVSH-së

Qeveria gjatë pjesës së parë të mandatit do të konsiderojë përshkallëzimin e TVSH-së. Një veprim i tillë kërkon ndërmarrjen e analizave dhe vlerësimeve për të përcaktuar se cilat produkte bazike që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve do të lirohen nga TVSH-ja. Kjo do të nënkuptonte uljen e normës së TVSH-së për produktet bazike, si: buka, qumështi, vaji, uji i pijshëm etj., në përputhje me praktikat më të mira dhe direktivat e Bashkimit Evropian lidhur me këtë çështje. Në të njëjtën kohë, mbajtja e TVSH në 0% për produktet primare bujqësore do të ketë ndikim pozitiv në rritjen e prodhimit dhe në përmirësimin e bilancit tregtar të Kosovës, duke bërë zëvendësimin e produkteve të importuara me ato vendore.

 

1.1.2.     Ulja e pragut të TVSH-së

Duke pasur parasysh që një numër i konsiderueshëm i bizneseve janë të kategorizuara nën pragun aktual të TVSH-së prej 50,000 euro, një ulje e pragut do të kontribuonte në përmirësimin e konkurrencës te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Në këtë kontekst, Qeveria do të angazhohet për të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në funksion të uljes së pragut të TVSH-së deri në 20,000 euro, e cila do t’u mundësojë shumë bizneseve që të operojnë më lehtë dhe të rriten. Kjo do të rriste bazën tatimore për rreth 1,500 biznese dhe do të krijonte të hyra shtesë. Çdo ulje e pragut do të bëhet në harmonizim të plotë me ngritjen e kapaciteteve të ATK-së për t’u ballafaquar me një volum më të shtuar të punës. Kujdes i veçantë do t’i kushtohet ruajtjes së thjeshtësisë të sistemit tatimor të Kosovës, faktor ky me të cilin është karakterizuar Kosova deri më tani.

 

1.1.3.     Pushimet nga taksat

Në kuadër të politikave tatimore, do të aplikohen pushimet tatimore për bizneset që investojnë një shumë të konsiderueshme dhe gjenerojnë vende të reja të punës. Kjo politikë do të kontribuojë në zhvillimin e mëtutjeshëm të ndërmarrjeve të reja dhe stimulimin e investimeve të reja në vend, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Është parim i përgjithshëm i pushimeve tatimore që ato funksionojnë më së miri kur e kanë afatin e skadencës të përcaktuar. Këto politika nxisin investime të reja, hapin vende të reja të punës, gjenerojnë rritje ekonomike dhe përmirësojnë mirëqenien sociale. Duke marrë parasysh përvojat më të mira ndërkombëtare dhe me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, do të përgatitet një pako për investitorë që do të lirojë ata nga tatimi në korporata dhe nga pagesa e TVSH-së për investimet kapitale në varësi të nivelit të investimeve që bëjnë dhe numrit të vendeve të punës që hapin.

 

1.1.4.     Integrimi i ATK-së, DK-së dhe mbledhja e TVSH-së në brendi

Brenda tri vitesh do të ngriten kapacitetet administrative për zhvendosjen graduale të grumbullimit të TVSH-së nga kufiri në brendi të vendit, pas shitjes së mallrave. Kjo do të lehtësojë barrën e bizneseve dhe do të rrisë likuiditetin e tyre.

 

Në këtë drejtim, vazhdimësia e reformimit të dy organeve kryesore për grumbullimin e të hyrave, Administratës Tatimore të Kosovës dhe Doganës së Kosovës, do të bëhet me qëllim të krijimit të lehtësirave për komunitetin e biznesit nëpërmjet komunikimit dhe dialogut publiko-privat dhe promovimit të konkurrencës së drejtë në treg, duke trajtuar të gjitha subjektet juridike në mënyrë të barabartë. Planifikohet që gjatë mandatit të ardhshëm të bëhet unifikimi i këtyre dy administratave në një Agjenci të përbashkët për grumbullimin e të hyrave tatimore në vend. Shkrija e ATK-së dhe Doganës në një autoritet të vetëm të të hyrave do të bëhet në harmoni me proceset e integrimit, meqë tarifat doganore do të eliminohen me shumicën e partnerëve kryesorë tregtarë pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe ratifikimit të marrëveshjeve për tregti të lirë.

 

1.1.5.     Lirimet doganore

Do të lirohet nga çfarëdo obligimi doganor importi i pajisjeve të Teknologjisë së Informacionit. Këto pajisje përdoren sidomos nga brezi i ri në sektorin e shërbimeve. Kjo do ta mënjanonte ekonominë e zezë në këtë sektor, që vlerësohet të jetë rreth 20% e këtij sektori. Heqja e ngarkesës doganore për këto pajisje do të siguronte rreth 30% rritje të këtij sektori.

 

1.2.     Politika tregtare konkurruese dhe përmirësimi i mjedisit biznesor

1.2.1.     Hapja e tregut

Rregullimi Kushtetues i ekonomisë së Republikës së Kosovës bazohet në parimet e ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë. Prandaj, Qeveria e Republikës së Kosovës do të ketë regjim tregtar liberal që bazohet në parimet e ekonomisë së tregut, me konkurrencë të lirë e që favorizon hapjen e tregjeve, si e vetmja mundësi për ngritje të qëndrueshme të aftësisë konkurruese. Marrëveshjet bilaterale të bashkëpunimit doganor do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së shënimeve dhe deklarimit të rregullt të mallit sipas çmimeve reale me shtetet kryesore me të cilat kemi marrëdhënie tregtare substanciale. Thjeshtëzimi i mëtutjeshëm i procedurave doganore me Shqipërinë do të jetë prioritet i përafrimit të ekonomive tona. Qeveria e Republikës të Kosovës do të vazhdojë t`i përmbahet dhe besojë fuqishëm në parimet e ekonomisë së tregut me konkurrencë të lirë, përfshirë zbatimin e vazhdueshëm të një regjimi liberal tregtar.

 

Në fushën e politikave tregtare, do të ndërmerren këto veprime, masa dhe instrumente:

  • Hartimi i Planit Operacional dhe aplikimi për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë, përfshirë hartimin dhe implementimin e legjislacionit të nevojshëm;
  • Harmonizimi i legjislacionit tregtar me atë të Bashkimit Evropian, si pjesë integrale e MSA-së, përfshirë procedurat dhe marrëveshjet për “Njohje dhe Pranim të Përbashkët” të produkteve kosovare, veçanërisht të certifikatave përcjellëse sanitare, fitosanitare dhe atyre të sigurisë së produkteve ushqimore, duke mundësuar kështu eksport të lehtë të produkteve kosovare në tregjet rajonale dhe evropiane;
  • Zgjerim të vazhdueshëm të listës së lirimeve doganore për produktet që prodhohen në sektorët me aftësi konkurruese;
  • Stimulim financiar nga Fondi për Investim dhe Punësim për standardizim dhe certifikim ndërkombëtar për produktet që kanë potencial për eksport, si dhe ngritje të cilësisë dhe numrit të fuqisë punëtore të top 100 ndërmarrjet eksportuese;
  • Lehtësim të tregtisë me vendet e rajonit nëpërmjet zbatimit të procedurave të thjeshtëzuara të importit dhe sistemit të Menaxhimit të Integruar të kufirit;
  • Modernizim dhe rritje të efikasitetit të shërbimeve të Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinës;
  • Anëtarësim në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare për standardizim.

 

1.2.2.     Funksionalizimi i zonave të tregtisë së lirë

Qeveria synon që nëpërmjet funksionalizimit të zonave të lira të krijohet hapësirë për bizneset që të operojnë me kosto më të favorshme. Qeveria gjatë katër viteve do t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm, në mënyrë që t’i funksionalizojë zonat e lira ekonomike në Drenas, Gjakovë, Rahovec, Mitrovicë, Prizren dhe komuna tjera që do të shprehin interesim për jetësimin e një koncepti të tillë për investime të reja për kompani vendore dhe të huaja. Në këto zona do të caktohet edhe një kuotë (përqindje) për investimet që kanë prejardhje nga diaspora. Mitrovica në të kaluarën ka pasur një reputacion për industrinë e rëndë, të cilën mund ta rikthejë me revitalizimin e Trepçës dhe industrisë përcjellëse që është ndërtuar rreth saj, ku zona e lirë ekonomike do të ndikonte si katalizator në zhvillimin e tërë rajonit. Gjakova, po ashtu, ka gëzuar një gamë të gjerë të bizneseve në industrinë e lehtë, i cili do të rikthehet me funksionalizimin e zonës së lirë ekonomike. Prizreni shquhet për numër të koncentruar të bizneseve artizanale, të cilat do të mund të zhvillohen me funksionalizimin e zonës së lirë të shpallur në këtë komunë.

 

1.2.3.     Luftim i ekonomisë joformale

Prania e ekonomisë joformale është një ndër pengesat kryesore të rritjes së mëtutjeshme të ekonomisë. Në mungesë të konkurrencës së lirë, penalizohen bizneset e ndershme dhe konsumatori nuk është i mbrojtur. Qeveria gjatë këtij mandati do të ketë në fokus reduktimin e shkallës së ekonomisë joformale në vend, në nivelin e mesatares së Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim, konform Strategjisë Kombëtare për Luftimin dhe Parandalimin e Ekonomisë Joformale, Pastrimin e Parave, Financimin e Terrorizmit dhe Krimeve Financiare, si dhe në bazë të vlerësimit të ekonomisë joformale nga ana e ekspertëve të BE-së, do të punohet në ngritjen e vetëdijes mbi ndikimet e ekonomisë joformale dhe krimit financiar; forcimin e luftës kundër ekonomisë joformale dhe krimit financiar, duke rritur transparencën, përgjegjshmërinë, qeverisjen e mirë dhe partneritetin shoqëror; ndjekja penale efikase e veprimeve që lidhen me pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe krimeve të tjera financiare; aplikimi i një qasjeje proaktive për bashkëpunim ndërkombëtar për parandalimin e pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimeve të tjera financiare; si dhe zhvillimi i legjislacionit kombëtar në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe sigurimi i zbatimit të tij efikas.

 

Qeveria nuk e sheh formalizimin e ekonomisë vetëm te forcimi i masave represive. Qeveria do të sigurojë gjithashtu stimuj dhe masa favorizuese, në mënyrë që të motivohen sipërmarrësit dhe punëtorët që të formalizohen. Prania e ekonomisë jo-formale është shpesh një dëshmi e rregullimeve dhe burokracive të tepruara, barrës fiskale apo mungesës së hapësirave të kreditimit. Qeveria do të përkushtohet të adresojë këto probleme, me theks të veçantë në sigurimin e mundësive të reja të kreditimit, të cilat do të shërbejnë si shtysë për bizneset që të formalizohen, dhe nëpërmjet kësaj të sigurojnë huamarrjen.

 

Ndër të tjera masat të cilat do të ndërmerren me qëllim të parandalimit dhe luftimit të ekonomisë jo-formale përfshijnë:

  1. Prezantimi i pakos së re tatimore, të diskutuar më sipër, duke synuar nxitjen e bizneseve të veprojnë në sektorin formal të ekonomisë;
  2. Plotësimi i zbrazëtirave ligjore në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian;
  • Fuqizimi i kapaciteteve institucionale si ATK, Doganat dhe institucionet tjera të cilat e mbikëqyrin funksionimin e bizneseve;
  1. Rritja e bashkëpunimit ndër-institucional për të siguruar se bizneset operojnë në sektorin formal;
  2. Në sektorët ku ekonomia joformale është e lartë, si ndërtimtaria, do të vendoset një sistem kompleks i mbikëqyrjes së kompanive sa i përket punësimit të punëtorëve, qarkullimit të mallrave ndërtimore dhe kryerjes së punëve ndërtimore;
  3. Në sektorin e hotelerisë, do të mbikëqyret dhe krahasohet punësimi i punëtorëve, qarkullimi i të ardhurave dhe i mallrave të përdorura, për të vlerësuar raportimin e drejtë të tatimit;
  • Në sektorin e shërbimeve (avokatët, shëndetësi, kontabilistët, auditorët, zhvilluesit e programeve softuerike, arkitektët, agjencitë e ndryshme, profesionet e tjera shërbyese etj.) do të futen në sektorin formal nëpërmjet një njësie të veçantë të Administratës Tatimore, e cila do t’i mbikëqyrë këto veprimtari;
  • Procesi i fiskalizimit do të vazhdojë konform strategjisë për fiskalizim, me ç’rast do të krijohen kushtet për konkurrencë të drejtë dhe të barabartë në treg;
  1. Do të rishikohet sistemi i furnizimit, pajisjes dhe mirëmbajtjes së arkave fiskale. Një udhëzim i ri administrativ do t’i përcaktojë standardet për arka fiskale, varësisht prej llojit të biznesit, i cili do të liberalizojë plotësisht furnizimin me arka fiskale;
  2. Do të punohen në zbatimin e suksesshëm të Marrëveshjes së Brukselit, për të shtrirë kontrollin e plotë në pikat doganore në Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat nuk kanë kontribuar në buxhetin e shtetit dhe kanë qenë burim kontrabande dhe ekonomisë jo-formale..

 

1.2.4.     Eliminimi i barrierave ligjore dhe zvogëlimi i burokracisë

Qeveria do të punojë në reforma në plotësimin dhe implementimin e legjislacionit për themelimin, funksionimin dhe mbylljen e bizneseve. Procedurat për t’u pajisur me leje të ndërtimit do të shkurtohen gjatë 4 viteve të ardhshme të Qeverisë. Qeveria do të vazhdojë të kërkojë nga Komunat që të ulin kostot e njëhershme për leje ndërtimore dhe në të njëjtën kohë të reflektoj në trendët rajonale të tatimit në pronë. Qeveria do të thjeshtësojë procedurat dhe kostot për kyçje në rrjetin e energjetik dhe në shërbimet e tjera publike për bizneset.

 

Korniza ligjore do të vlerësohet në baza të rregullta për efektet e saj dhe të ndryshojë në përputhje me zhvillimet në treg. Do të rritet roli i autoriteteve lokale në ofrimin e lehtësirave të të bërit biznes, duke mundësuar kornizë ligjore të decentralizuar dhe diskresion të nevojshëm të autoriteteve lokale, për të nxitur garën e tyre në tërheqje të bizneseve në lokalitetet e tyre. Regjistrimi i bizneseve do të decentralizohet plotësisht dhe do të kalojë tek autoritetet lokale. Autoritete lokale do të kenë kompetenca të zgjeruara për dhënien e tokave me qira për investitorët, në përputhje me kriteret që përcaktohen me ligje dhe udhëzime administrative të veçanta nga ana e institucioneve qendrore.

 

1.3.     Përkrahja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme

Gjeneratori kryesor i rritjes ekonomike dhe vendeve të punës do të jetë sektori privat, në veçanti ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), nëpërmjet politikave që mundësojnë rritjen e investimeve të bizneseve, sidomos në prodhimtari dhe shërbime me vlerë të lartë shtuese. Do të avancohet ekonomia e dijes dhe aftësitë konkurruese vendëse, do të stimulohet prodhimi vendës dhe përmirësimi i cilësisë së produkteve dhe shërbimeve vendëse, si hap i parë drejt zvogëlimit të varësisë nga importet. Do të ndërmerren politika që rrisin kapacitetet prodhuese, vendet e punës, përmirësojnë bilancin tregtar, si dhe politika që e bëjnë Kosovën vend destinimi për investitorë të jashtëm. Në mënyrë specifike:

  • Do të ndahet një fond i veçantë për bashkëfinancimin e projekteve investive të firmave vendore, kryesisht të NVM-ve, kur këto firma arrijnë të thithin donacione ndërkombëtare, sidomos në sektorët e Teknologjisë Informative (TI), në hulumtime, në ide inovative, në shërbime, prodhim dhe bujqësi;
  • Do të mobilizohen mjetet e lira të fondeve të privatizimit në sistemin financiar, mobilizimit të fondeve të diasporës dhe linjave kreditore me institucionet financiare dhe ndërkombëtare, për të mbështetur investimet private;
  • Do të ngriten kapacitetet e inkubatorëve të biznesit për firmat në sektorin e Teknologjisë Informative (TI) dhe të shërbimeve në përgjithësi, në të cilat Kosova ka filluar të përfshihet fuqishëm në tregun ndërkombëtar. Këta inkubatorë do të vendosen në parqet e biznesit dhe do të përfitojnë nga lirimet tatimore;
  • Do të funksionalizohen zonat industriale nëpërmjet avancimin të mënyrës së menaxhimit të tyre bazuar në partneritetin publiko-privat. Bizneset nga diaspora në veçanti do të kenë prioritet të vendosen në zona industriale.
  • Do të punohet në fuqizimin e mëtutjeshëm të Agjencisë për Promovimin e Investimeve dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve, në kuadër të MTI-së, përmes krijimit të një njësie të re për t’i mbështetur idetë ndërmarrëse të të rinjve në veçanti, nëpërmjet konsulencës për regjistrimin e biznesit dhe konsulencës financiare. Kjo njësi e re do të menaxhojë gjithashtu një skemë për bashkëfinancimin e kredive që marrin bizneset fillestare në sektorë të caktuar;
  • Do të fuqizohen të drejtat nga pronësia industriale dhe ajo intelektuale nëpërmjet avancimit të bazës ligjore dhe zbatimit efektiv të ligjit, në përputhje me standardet evropiane;
  • Do të rritet efikasiteti i funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe të mbrojtjes së investitorëve, nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve të gjykatave vendëse në trajtimin efikas dhe në kohë rekorde të lëndëve që lidhen me bizneset.

 

1.4.     Promovimi i investimeve

Orientimet strategjike të platformës për promovim të investimeve kanë të bëjnë me fuqizimin e sektorit privat dhe nxitjen e investimeve, duke përfshirë investimet e huaja direkte. Institucionet në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), siç janë Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë, Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve Kosovare, Agjencia Kosovare e Standardizimit do të jenë në funksion të përmbushjes së këtyre orientimeve strategjike. Në këtë drejtim do të shfrytëzohen edhe potencialet e Ministrisë së Diasporës, e sidomos rrjetet e biznesit që i ka krijuar në diasporë. Për të arritur këtë Qeveria e Kosovës gjatë këtij mandati do të fokusohet në:

  • Shfrytëzimin e rritjes së madhësisë së tregut, si rrjedhojë e zbatimit të MSA-së, për promovim të investimeve strategjike në ekonomi;
  • Kryerjen e studimeve dhe analizave për përparësitë konkurruese në sektorë të caktuar të ekonomisë dhe aplikimin e masave stimuluese në këta sektorë;
  • Përgatitjen dhe zbatimin e trajnimeve profesionale në të gjithë sektorët, regjionet dhe ndërmarrjet me potencial konkurrues, me theks të veçantë përmes mekanizmave të Fondit për Investim dhe Punësim;
  • vazhdimin e dinamikës në reformën e të bërit biznes, sidomos nëpërmjet reformave konkrete që mundësojnë siguri të qartë juridike për investitorët;

 

1.4.1.     Krijimi i partneriteteve strategjike në fushën e investimeve

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar partneritetin strategjik me Shqipërinë, që mbështetet në katër shtylla: Politika e Jashtme dhe e Sigurisë, Drejtësia dhe Çështjet e Brendshme, Ekonomia, Energjia, Transporti, Turizmi dhe Mbrojtja e Mjedisit, Kultura, Arsimi dhe Shkenca, si dhe Marrëveshjen për bashkëpunim në sektorin e Teknologjisë Informative dhe Komunikuese . Strategjia e bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik do të përbëjë përkushtim kryesor të dy Qeverive, duke synuar që të ofrojnë një klimë nxitëse për bizneset, në një treg të integruar, duke shfrytëzuar në mënyrë efektive e racionale potencialet e përbashkëta. Do të synohet oferta e përbashkët e një tregu të integruar për investimet nga diaspora shqiptare. Një theks i veçantë do t’i kushtohet energjetikës, duke komplementuar sistemet e dy vendeve hidro dhe termo dhe duke vendosur një sistem të përbashkët energjetik. Po ashtu, do të ndërtojmë bashkëpunim të ngushtë strategjik me vendet fqinjë dhe shtetet e Bashkimit Evropian për sektor të caktuar siç janë: Energjia, Transporti, Mbrojtja e Mjedisit, Teknologjia Informative dhe Komunikuese, Arsimi dhe Shkenca, Siguria etj.

 

1.4.2.     Lehtësimi dhe promovimi i investimeve nga diaspora

Kosova konsiderohet si një nga vendet me diasporën më të madhe, me një potencial të jashtëzakonshëm për të kontribuar për zhvillimin e Kosovës. Diaspora kosovare ka luajtur një rol thelbësor gjatë historisë sonë dhe ka dhënë kontribut të çmuar për mbijetesën e vendit, qëndresën ndaj okupatorit, si dhe në zhvillimin ekonomik përgjatë dekadave. Kontributi kryesor i diasporës është nëpërmjet dërgesave (remitancave) për të ndihmuar mirëqenien e familjeve kosovare. Tashmë është dëshmuar se diaspora ka krijuar potencial shumë të madh dhe përfaqëson vlera të larta për vendin. Gjithashtu, nga përvojat e vendeve të tjera është dëshmuar se ky potencial i krijuar jashtë vendit mund të ketë rol shumë të madh në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Qeveria e Kosovës do të punojë që investimi nga diaspora të jetë me përfitim të dyanshëm, në njërën anë të krijohen kushtet që investitorët nga diaspora të gjejnë në Kosovë një ambient të përshtatshëm për të afaruar dhe fituar, dhe njëkohësisht që ky investim të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit.

 

Qeveria e Kosovës të angazhohet maksimalisht për ta shndërruar potencialin ekonomik të Diasporës në një mundësi të jashtëzakonshme për tërheqje të investimeve nga Diaspora, pjesëtarë të së cilës tanimë kanë bërë emër në biznes dhe ndërmarrësi kudo në botë. Aktualisht remitencat në Kosovës kapin shifrat prej 13% të Bruto Produktit Vendor, ndërsa shumë pak janë të dedikuara për investime. Gjatë katër viteve të ardhshme duhet të rritet pjesa e remitencave që dedikohet për investime, në mënyrë që të gjenerohen vende pune dhe zhvillim ekonomik, duke përfshirë sektorin e prodhimtarisë, shërbimeve dhe të bizneseve familjare.

 

Në këtë drejtim, Qeveria do të vazhdojë të promovoj lehtësira për Diasporën për hapjen dhe fillimin e bizneseve në Kosovë, duke siguruar mbrojtjen e investimeve të tyre nëpërmjet aplikimit të fondeve përkatëse për mbështetjen e bizneseve (Fondi për Garantimin e Kredive). Paralelisht duhet të identifikohen investitorët nga Diaspora, meqë ata ende figurojnë në listën e përbashkët të investimeve të huaja në Kosovë dhe nuk dihet numri i saktë i tyre. Institucionet përgjegjësi, si Agjencia për Promovimin e Investimeve dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve duhet të shtojë përpjekjet institucionale në koordinimin e aktiviteteve për promovimin e investimeve nga Diaspora, përkatësisht ofrimin e shërbimeve mbështetëse të biznesit lidhur me mundësitë e investimeve në Kosovë, si dhe në organizimin e rregullt të forumeve, konferencave dhe panaireve të biznesit në Diasporë dhe në Kosovë.

 

Qeveria e Kosovës do të ndërmerr masa specifike legjislative për lehtësimin e investimeve nga diaspora. Këto masa përfshijnë: lirimi nga taksa në korporatë, lirimi nga detyrimet e importit, pajisje dhe lëndën e parë të nevojitur për investime, zvogëlimi i numrit të procedurave për marrjen e lejes së ndërtimit; Lehtësimi i procedurave dhe ulja e kostos për përfshirje në energji elektrike; Lehtësimi i procedurave për marrjen e tokës publike në shfrytëzim; krijimi i lehtësive kontraktuale me disa shtete, në të cilat jeton pjesa më e madhe e diasporës; marrëveshjet lidhur me evitimin e tatimit të dyfishtë; mbrojtja dhe promovimi i investimeve (nënshkrimi dhe marrëveshjet ndërshtetërore), krijimi i një dhome të veçantë në Gjykatën Themelore të Prishtinës që do t’i trajtonte kontestet e investitorëve të huaj, përfshirë investitorët nga diaspora. si dhe garantimi i investimeve të huaja nga shteti i Kosovës; Promovimi i praktikave të mira dhe i shërbimeve për të gjetur bashkinvestitorë nga Kosova.

 

Objektivi i Qeverisë për lehtësimin dhe përfshirjes e diasporës në ekonominë e Kosovës do të zbatohet nëpërmjet krijimit të lehtësirave të ndryshme për investime, themelimin Fondi për Investim dhe Punësim, zhvillimit të sektorit të teknologjisë informative dhe komunikuese, bujqësisë, mineraleve, industrisë, arsimit, kulturës, sportit dhe shumë fusha të tjera.

 

Qeveria e Kosovës deri më tani ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt lidhjeve më të fuqishme me diasporën, në kuptimin e kornizës legjislative dhe institucionale. Qeveria e Kosovës do të punojë në këto drejtime:

  • Zgjerimin dhe fuqizimin e rrjeteve ekzistuese të biznesit si dhe të unionit të tyre, për të shërbyer si lidhja e parë direkte me investitorët nga diaspora dhe ata të huaj;
  • Në identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve që hasin investitorët nga diaspora kur investojnë në Kosovë;
  • Krijimit të lehtësirave për të investuar në sektorin e shërbimeve, sidomos të shërbimeve të IT-të, bujqësisë, turizmit, mineraleve, industrisë, arsimit, kulturës, sportit dhe shumë fusha të tjera.
  • Caktimit të një kuote për bizneset nga diaspora në zonat industriale.
  • Caktimin e një përqindjeje nga Fondi për Investim dhe Punësim edhe për projektet investuese nga diaspora.
  • Shfrytëzimin e potencialit intelektual dhe akademik të diasporës, për ta vendosur në funksion të zhvillimit të vendit dhe shkëmbimit të përvojave të fituara në vende të ndryshme.
  • Saktësimin e statistikave zyrtare se cilat janë investimet e deritanishme nga diaspora, sepse deri më tani ato figurojnë në kuadër të investimeve të huaja në Kosovë, andaj pak mund të thuhet se sa realisht ka investime në Kosovë. Një statistikë e tillë do të ndihmonte në specifikimin e politikave të tërheqjes së investimeve nga diaspora.

 

Në funksion të koordinimit të politikave për investimet nga diaspora do të krijohet Komiteti Ndërministror për Investimet nga Diaspora. Ky komitet ndërinstitucional do të operacionalizojë objektivat e këtij programi qeverisës, do të hartojë politikat e promovimit të koordinuar të përparësive që ofron Kosova për bizneset nga diaspora, do të punojë në identifikimin e barrierave për bizneset nga diaspora dhe heqjen e tyre, do të trajtojë ankesat që kanë bizneset të cilat kanë investuar në Kosovë etj.

 

Në këtë drejtim do të punohet gjithashtu që të krijohet një kornizë ligjore financiare për të mundësuar dhe promovuar bashkëpunimin në biznes në mes të diasporës dhe bizneseve kosovare, si dhe mobilizim të kursimeve të diasporës në tregun financiar kosovar nëpërmjet një sistemi të integruar dhe funksional ligjor dhe financiar, që mbron të drejtat e pronarëve dhe që siguron pacenueshmërinë e interesave, pronës dhe të drejtave të investitorëve dhe depozituesve.

 

 

1.4.3.     Avancimi i partneritetit publiko-privat

Gjatë këtij mandati të qeverisjes, do të fuqizojmë Dialogun Publiko-Privat, me asociacionet e biznesit, nëpërmjet operacionalizimit të vazhdueshëm të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, duke hartuar dhe zbatuar Plane Afatshkurta dhe Afatmesme të reformave ekonomike në sektorët me aftësi konkurruese. Gjithashtu, do të fuqizohet mekanizmi i bashkëpunimit ATK-Doganë-Biznes, nëpërmjet Këshillit Konsultativ Ministri e Financave – Doganë –ATK –Biznes. Ndërsa pranë Zyrës së Kryeministrit do të themelohet Këshilli i Investitorëve të Huaj, me qëllim të ofrimit të garancive me të larta institucionale për investitorët aktualë dhe potencialë. Do të punohet në drejtim të promovimit sa më të madh të partneritetit publiko-privat nga ana e pushtetit lokal, nëpërmjet një legjislacioni adekuat dhe efikas.

 

1.5.     Efikasiteti i shpenzimeve, madhësia e sektorit publik dhe rregullat fiskale

Qeveria do të angazhohet për një sektor publik të vogël dhe efikas, me dikastere qeveritare që janë funksionale dhe të madhësisë optimale, në përputhje me nevojat për shërbime ndaj qytetarëve dhe bizneseve. Qeveria beson në politika buxhetore që ruajnë qëndrueshmërinë e buxhetit shtetëror. Ne do të angazhohemi për një disiplinë financiare sa i përket buxhetit të shtetit. Kjo qasje siguron drejtësi në shpërndarjen e barrës fiskale. Qeveria do të angazhohet për transparencë të plotë në shpenzimin e parasë publike, duke ua kthyer paranë taksapaguesve nëpërmjet shërbimeve publike cilësore në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe në funksionimin efikas të pushtetit qendror dhe lokal.

 

Në veçanti, do t’u jepet përparësi shpenzimeve kapitale që të prodhojnë efekte maksimale për ekonominë vendëse dhe përfitime të barabarta për të gjithë qytetarët. Organizatat buxhetore, të cilat funksionojnë me mision të ngjashëm dhe që kanë krijuar dualizëm me ministritë përkatëse, do të shuhen ose do të integrohen në ministritë përkatëse. Do të rishikohen funksionalisht të gjitha agjencitë e pavarura.

 

Do të aplikohet plotësisht prokurimi elektronik në shpenzimin e parasë publike që bëhet nëpërmjet tenderimit. Kjo do të kursejë rreth 12% të shpenzimeve publike në projekte tenderuese dhe zvogëlim të shpenzimeve administrative deri në 30%. Do të analizohet mundësia e aplikimit të çmimeve referente të prokurimeve publike. Duke aplikuar këto reforma në prokurim, pra edhe prokurimin elektronik, mundësohet rritja e efikasitetit, transparencës, cilësisë së punëve dhe materialeve, shmangja e procedurave të komplikuara dhe shtohet vlera e parave. Dorëzimi i dokumentit tenderues, procedurat e vlerësimit dhe të gjitha hapat e tjerë do të jenë plotësisht transparentë. Kjo do të mundësojë eliminim të plotë të kontaktit të zyrtarëve të prokurimit me operatorët ekonomikë. Puna e secilit zyrtar do të jetë e gjurmueshme dhe transparente. Organet mbikëqyrëse të prokurimit publik do të mund të mbikëqyrin të gjitha proceset, e jo vetëm ato ku paraqiten ankesa nga operatorët ekonomikë. Do të aplikohet një sistem i ri-licencimit të zyrtarëve që punojnë në fushën e prokurimit publik. Do të ndërmerren tenderime gjithëpërfshirëse për mallra dhe shërbime që përdoren nga të gjitha autoritetet kontraktuese, për të mundësuar ekonomizimin e shkallës dhe uljen e çmimit të furnizimit.

 

Do të zbatohet projekti i E-Qeverisjes në të gjitha nivelet. Në arsim do të ndërlidhen të dhënat për shkolla në të gjitha komunat, për ta përcjellë progresin e nxënësve në secilën shkollë, efikasitetin e funksionimit të shkollave, punën e mësimdhënësve etj. Në shëndetësi do të finalizohet sistemi informativ shëndetësor. Ky sistem do të mundësojë evidencë të saktë të incidencës të sëmundjeve të ndryshme, caktimin e mjekëve të përgjithshëm për secilin qytetar dhe përcjelljen e historikut të kontrolleve shëndetësore të secilit qytetar.

 

Pas përfundimit të programit aktual me Fondin Monetar Ndërkombëtar, është e nevojshme të vazhdohet me një program të ri, i cili do të reflektonte pjekurinë institucionale të Kosovës. Pjesë e këtij programi është rregulla fiskale, që ka për qëllim ruajtjen e qëndrueshmërisë së borxhit publik. Limiti i borxhit publik sipas ligjit të borxhit publik është 40% e Bruto Produktit Vendor dhe borxhi aktual arrin 10%.

 

Në mënyrë që të ruajmë stabilitetin makro-fiskal, Qeveria do të vazhdojë të mbajë deficitin buxhetor brenda rregullës fiskale prej 2% të Bruto Produkti Vendor (BPV) sipas Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë. Ky deficit do të financohet kryesisht nga borxhi i jashtëm. Borxhi i jashtëm i institucioneve financiare ndërkombëtare është më afatgjatë dhe ofron norma të favorshme krahasuar me huazimin me norma komerciale. Nëpërmjet kësaj forme të mbulimit të deficitit buxhetor evitohet mbingarkesa e tregut vendorë të kreditimit dhe rritja e normës së interesit në tregun financiar vendor.

 

Qeveria e Kosovës do të punojë kujdesshëm sa i përket emetimit të letrave me vlerë, që ka filluar më 2012 dhe arritur shtrije të maturitetit në letra me vlerë 2-vjeçare, si dhe zgjerimin e tregut primar për të përfshirë Trustin Pensional. Qeveria do të ndërmarrë hapat e nevojshme për funksionalizimin e tregut sekondar.

 

1.6.     Sistemi financiar i qëndrueshëm dhe në funksion të zhvillimit ekonomik

Pavarësisht krizës globale financiare, Kosova ka pasur një stabilitet në tregun financiar. Shumë sektorë vazhdojnë të përballen me vështirësi për të siguruar financim adekuat për zhvillimin e biznesit. Vihet re një kërkesë shumë e madhe për kreditim dhe bankat, me gjithë stabilitetin financiar, profitabilitetin dhe likuiditetin, vazhdojnë të ofrojnë kredi me norma të larta të interesit, krahasuar me vendet e rajonit dhe të Bashkimit Evropian. Përkundër angazhimit të Qeverisë në anëtarësimin e Republikës së Kosovës në mekanizmat financiar ndërkombëtar (FMN, BB, BERZH), Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës, nënshkrimit të marrëveshjes kornizë me Bankën Investive Evropiane, sektori privat ka nevojë për rritje të portfolios së kreditimit nga bankat komerciale me kushte më të favorshme. Për të adresuar këtë Qeveria e Kosovës do të ndërmarr veprime që përfshijnë:

  • Zhvillimin e politikave për mobilizim të plotë të kursimeve financiare nga fondi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore;
  • Krijimin e incentivave për mobilizim të kursimeve nga diaspora dhe kursimeve të tjera të qytetarëve dhe bizneseve. Këto fonde mund të vihen në funksion vetëm nëpërmjet një sistemi të integruar dhe funksional ligjor dhe financiar që mbron të drejtat e depozituesve, duke fuqizuar rolin mbikëqyrës të Bankës Qendrore;
  • Anëtarësimin me të drejta të plota të Bankës Qendrore të Kosovës në Bankën Qendrore Evropiane;
  • Eliminimin e çdo forme të cenimit të konkurrencës në tregun e bankave dhe të sigurimeve;
  • Ndërmarrjen e vlerësimit kreditor të Kosovës dhe publikimin e informacionit mbi vlerësimin kreditor të vendit;
  • Krijimin e parakushteve që normat e interesit në vend të bien në numra njëshifrorë. Përmes kësaj synohet motivimi i bizneseve, sidomos ndërmarrësit e rinj, nëpërmjet rritjes së ofertës kreditore, forcimit të konkurrencës në tregun kreditor, forcimit të të drejtës pronësore, vlerësimit më të mirë të kolateralit, njësie të veçantë në kuadër të gjykatave për kontestet që lidhen me kreditë bankare etj.

 

1.7.     Fondi për Investim dhe Punësim

Fondi për Investim dhe Punësim synon të kontribuojë në rritjen ekonomike të Kosovës, krijimin e vendeve të reja të punës, përmirësimin e qasjes në financa me kushte të volitshme për sipërmarrësit e rinj, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe korporatat. Kjo do të arrihet duke iu ofruar bizneseve fillestare qasje në financa, kredi më të lira ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) dhe korporatave që synojnë t’i zgjerojnë bizneset e tyre. Investimet nga Fondi do të përqendrohen posaçërisht në aktivitetet ekonomike, që do të synojnë të rrisin punësimin, prodhimin dhe eksportin. Fondi pritet të krijojë edhe efekte të tërthorta, duke joshur investime të huaja direkte dhe duke krijuar biznese tjera në kuadër të zinxhirit të ofertave. Këto efekte do të rrisin besimin në ekonomi dhe do të ofrojnë stimuj për investime të tjera nga agjentë tjerë ekonomikë. Për më tepër, një rritje në prodhimin e mallrave dhe shërbimeve pritet të zëvendësojë importet me prodhime vendore dhe do të rrisë eksportet. Gjithashtu, këto efekte do të kontribuojnë në përmirësimin e bilancit tregtar të Kosovës dhe në zvogëlimin e varësisë nga remitencat dhe ndihma e huaj.

 

Nëpërmjet këtij Fondi, do të krijohen parakushtet për përkrahjen e sektorit privat, si dhe organizatat përgjegjëse për zhvillim ekonomik. Fondi destinohet për këto qëllime:

  • Ofrimin e asistencës financiare në drejtim të përkrahjes së programeve trajnuese për nevojat e sektorit privat;
  • Përkrahje në blerjen e makinerive për prodhim sipas sektorëve strategjikë për zhvillim;
  • Përkrahje financiare për ndërmarrjet që kontribuojnë në hulumtim dhe zhvillim të produkteve apo shërbimeve të reja;
  • Ofrimin e garancioneve për kreditimin e sektorit privat në bazë të sektorëve strategjik dhe krijimit të vendeve të reja të punës, etj.
  • Avancimi i qeverisjes së mirë dhe transparencës në krijimin e implementimin e politikave ekonomike.

 

Në kuadër të Fondit do të përkrahen:

  • Ndërmarrësit e rinj dhe bizneset e vogla në të gjithë sektorët e identifikuar;
  • Bizneset e mesme për t’i zgjeruar kapacitetet e tyre prodhuese dhe/ose të rrisin cilësinë dhe standardet e prodhimit;
  • Korporatat që planifikojnë të rrisin sektorë të pazhvilluar ose inovativ, të tillë si energjia alternative, teknologjia informative dhe komunikuese, sektorët e eksportit apo që rrisin ndjeshëm numrin e të punësuarve
  • Projekte të partneritetit publiko-privat (PPP); dhe
  • Shërbime për bizneset për joshjen e investimeve të huaja direkte.

 

Ky Fond do të administrohet me transparencë dhe profesionalizëm, duke aplikuar nivelet më të larta të ekspertizës dhe eksperiencës ndërkombëtare dhe duke huazuar praktikat më të mira të ngjashme. Për ta ndërtuar dhe vënë atë në veprim, Qeveria do të mbështetet gjithashtu në bashkëpunimin e ngushtë me organizatat prestigjioze ndërkombëtare, në ekspertizë të avancuar dhe në ndihmën e vendeve mike perëndimore. Mbi të gjitha, menaxhimi i Fondit do të realizohet në mënyrë të pavarur nga çdo presion apo ndërhyrje politike, konform bazës ligjore që rregullon këtë mekanizëm.

 

Parakushtet themelore për implementimin e Fondit për punësim dhe zhvillim janë:

  • Hartimi dhe ndryshimi i bazës ekzistuese ligjore;
  • Lehtësimet tatimore të nevojshme për nxitje të investimeve të reja;
  • Harmonizimi i qëllimeve të Fondit me Politikat e Integrimit Evropian;

 

Në anën tjetër, aktivitetet për implementimin e Fondit konsistojnë në:

  • Hartimin e Planit Operacional: “Përmirësimi i konkurrencës së sektorit privat nëpërmjet masave të fondit për punësim” në bashkëpunim me komunitetin e biznesit;
  • Implementimin e aktiviteteve nga Plani Operacional, të drejtuara në zhvillimin e resurseve humane;
  • Intervenimin me mjete të fondit në sektorin prodhues dhe atë shërbyes;
  • Ristrukturimin dhe modernizimin e sektorëve me vlerë të lartë të shtuar dhe në të cilët Kosova ka përparësi krahasuese, bazuar një studim serioz të fizibilitetit.;
  • Implementimin e aktiviteteve që sigurojnë konkurrencë të barabartë në treg, me fokus të veçantë në qeverisjen e mirë dhe transparencën e aktiviteteve ekonomike të sektorit privat.

 

1.8.     Investimi në energji, miniera, mbrojtjen e mjedisit dhe teknologji informative e komunikuese

Zhvillimi i sektorit të energjisë, minierave dhe teknologjisë informative e komunikuese është element kyç për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit dhe investimeve të huaja. Furnizimi me energji elektrike kualitative, shërbime të bazuara në teknologji informative e komunikuese me çmime të volitshme është një ndër prioritet e Qeverisë, duke marrë parasysh ndikimin e këtyre sektorëve në zhvillim ekonomik dhe jetën e qytetarëve. Në të njëjtën kohë, është shumë e rëndësishme që zhvillimi dhe eksploatimi i minierave ekzistuese dhe resurseve frekuencore si dhe hapja e minierave të reja duhet të jetë në funksion të ngritjes së mirëqenies sociale dhe ngritjes së standardit të jetës në vendin tonë.

 

1.8.1.     Rregullimi i statusit të Ndërmarrjes “Trepça” nëpërmjet ligjit të veçantë

Në sektorin e minierave, do të aplikohet qasje strategjike për shfrytëzimin e pasurive minerale. Vendimet për të ardhmen e minierës së Trepçës dhe minierave të tjera të rëndësisë strategjike, do të bazohen në strategji të qartë që reflektojnë interesat ekonomike dhe shtetërore të Kosovës. Vendimmarrja për të ardhmen e pasurive natyrore të Kosovës, shfrytëzimin dhe menaxhimin e tyre duhet të jetë përgjegjësi e Parlamentit të Republikës së Kosovës. Prandaj, do të përgatitet Strategjia për Trepçën dhe Ligji për Trepçën si pasuri nacionale, e cila strategji do të ketë për qëllim ngritjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës, duke e ristrukturuar Trepçën në dy funksione bazë: kompania themelore që do të merret vetëm me eksploatimin e minierave dhe përpunimin e tyre dhe ndarja e shërbimeve përcjellëse të kësaj ndërmarrje.

 

Qëllim i ndarjes së ndërmarrjes në këto dy funksione është që Trepça të fokusohet në ngritjen e prodhimtarisë së mineraleve dhe përpunimin e tyre, duke liruar “Trepçën” nga barra e mbajtjes së funksioneve të tjera që nuk ndërlidhen me qëllimin kryesor të prodhimit dhe përpunimit të mineraleve. Në katër vitet e ardhshme Qeveria e Kosovës nëpërmjet “Fondit për Punësim dhe Zhvillim” do të alokojë mjete të mjaftueshme për investime të reja në “Trepçë”, kryesisht në teknologji të re për eksploatim dhe përpunim të mineraleve në funksion të rritjes së prodhimtarisë dhe eksportit, që rezulton në krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e bilancit tregtar të vendit tonë.

 

1.8.2.     Ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese

Qeveria do të angazhohet për një shfrytëzim optimal të burimeve energjetike që ka Kosova, si një e mirë publike edhe për brezat e ardhshëm, duke përmbushur kriteret evropiane mjedisore. Brenda katër vjetësh të qeverisjes, do të sigurohet energji stabile dhe cilësore për amvisëri dhe biznese. Qeveria konsideron se sektori i energjisë është një nga shtyllat kryesore që mundëson zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Qëllimet kryesore të sektorit të energjisë janë:

  • Të ketë energji të mjaftueshme për nevojat e Kosovës,
  • Çmimet e energjisë të jenë të përballueshme për qytetarët dhe bizneset,
  • Të mbrohet ambienti dhe të shfrytëzohen resurset në mënyrë efikase,
  • Të ngritën investimet private dhe krijohen vende të reja të punës.

 

Gjatë mandatit të qeverisjes do të finalizohet tenderimi për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Ky termocentral do të përfshijë këto kapacitete: 2×300 MW të cilat parashihet të hyjnë në operim deri në 2021 dhe 600 MW të tjerë deri më 2023. Do të punohet në nxjerrjen e vendimit për zhvillimin e procedurave të tenderimit për ndërtimin dhe funksionalizimin e Hidrocentralit të Zhurit me kapacitet instalues prej 305 MW deri më 2017 me qellim te ndërtimit dhe funksionalizimit në periudhën 2018-2022. Do të finalizohen studimet përkatëse deri ne vitin 2017 dhe sipas vendimit të qeverisë do të zbatohen masat përkatëse me qëllim që të rehabilitohet termocentrali “Kosova B” gjate periudhës 2018 -2021. Do të unifikojmë tregun energjetik me Shqipërinë për të arritur komplementaritet.

 

Do të përmbushen obligimet që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë (20:20:20) lidhur me kërkesat për Burimet e Ripёrtritshme te Energjisë. Qeveria ka për qëllim që të vazhdojë mbështetjen për investimet në energjinë e ripërtërishme dhe të zhvillojë resurset në vijim: Diellore 8 MW, Era 130 MW, Hidro 180 MW dhe Biomasë 10 MW. Në të njëjtën kohë do të punohet për arritjen e caqeve të parapara prej 9% deri në 2018 bazuar në Planin e Veprimit për Efiçiencë të Energjisë 2010-2018, Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2015-2017, si dhe obligimet qe dalin nga Sekretariati i Komiteti te Energjisë.

 

1.8.3.     Dekomisionimi i kapaciteteve gjeneruese të vjetruara

Konform zotimeve të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë së Vjenës dhe Bashkimit Evropian, duhet bërë dekomisionimin e termocentralit më të vjetër në Kosovë, i cili përdor teknologji shumë të vjetër në gjenerim të energjisë. Dekomisionimi i TC Kosova A do të fillojë nga Qeveria, pasi që të sigurohet furnizimi i qëndrueshëm me ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re.

 

1.8.4.     Avancimi i projekteve të ngrohjes qendrore

Organizimi urban i qyteteve të Kosovës mundëson zbutjen e kërkesës për energji elektrike gjatë dimrit, duke funksionalizuar ngrohje qendrore në zonat urbane. Pas projektit të kogjenerimit për Prishtinën, do të vazhdohet me mbështetjen e ndërmarrjeve ekzistuese të ngrohjes në Gjakovë, Mitrovicë dhe Zveçan. Qeveria do të shqyrtojë mundësinë e Partneritetit Publiko-Privat në ndërtimin e një ngrohtore për Drenas nga Ferronikeli. Qeveria bazuar ne interesin e shprehur nga nivelet komunale do të kërkojë financim nga donatorët për studimin e mundësive për ndërtimin e ngrohtoreve qendrore për qytete tjera. Po ashtu, do të hartohet projekti dhe do të realizohet lidhja e Kastriotit në sistemin e ngrohjes së Termokosit.

 

1.8.5.     Liberalizimi i tregut energjetik dhe minerar

Ristrukturimi i sektorit të energjisë elektrike duhet të mundësojë liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, në mënyrë që të sigurohet një treg konkurrues, transparent, jo-diskriminues dhe i orientuar drejt konsumatorit.

 

1.8.6.     Përfshirja e Kosovës në rrjetin e gazsjellësit

Qeveria do të vazhdojë të angazhohet nëpërmjet mekanizmave të BE-së dhe ato rajonale, për të siguruar studime për sigurimin e gazsjellësit në Kosovë. Këtij studimi duhet t’i paraprijë një masterplan për rrjete potenciale distribuimi në qytetet në të cilat do të ketë kërkesë të madhe për përdorim të gazit. Pas ndërtimit të Trans Adriatic Pipeline, do të fillojë ndërtimi i Ionian-Adriatic Pipeline, i cili do të mundësonte kyçje të Republikës së Kosovës nëpërmjet Shqipërisë në gazsjellës me furnizim të qëndrueshëm.

 

1.8.7.     Mbrojtja e Mjedisit

Mbrojtja e mjedisit është një obligim dhe zotim për mirëqenien e brezave të ardhshëm. Prandaj, do të zhvillohet legjislacioni që i përcakton vlerat kufitare për lirimin e gazrave, kriteret për mbrojtjen e ujërave, ajrit dhe të tokës nga ndotja dhe përdorimi i teknologjisë që mbron klimën, në përputhje me standardet evropiane si dhe hartimi i ligjit te ri për kadastër me te cilin edhe do te behet organizimi vertikal i zyrave kadastrale komunale me Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe vetëfinancimi..

 

1.8.8.     Masat për përkrahjen e mbrojtjes së mjedisit

 

Duke e marrë parasysh se zgjidhja e problemeve mjedisore është shumë e kushtueshme do të bëhet rritja e Fondit për subvencion dhe grante përmes shfrytëzimit të mjeteve të grumbulluara nga taksa ekologjike.

 

1.9.     Zhvillimi i bujqësisë

Bujqësia ka pësuar një rritje të ndjeshme nga viti në vit, duke arritur të jetë pjesë e rëndësishme në Bruto Produktit Vendor të Kosovës. Bujqësia tradicionalisht ka qenë një nga aktivitetet kryesore ekonomike në Kosovë, por i nënvlerësuar për potencialet e saj. Qeveria do të angazhohet fuqishëm për promovimin e zinxhirit prodhues, nga prodhimi primar bujqësor, te përpunimi, ruajtja dhe tregtimi me produkte bujqësore, si dhe masa nxitëse kreditore dhe subvencionuese dhe përmirësimin e infrastrukturës publike. Mbulimi i tregut vendës me produkte bujqësore nga vendi, është hapi i parë i mbështetjes në prodhimtarinë vendëse.

 

1.9.1.     Masat për përkrahjen e bujqësisë

Me qëllim të zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit të bujqësisë, masat të cilat do të ndërmerren nga Qeveria gjatë këtij mandati përfshijnë:

  • Rritjen e buxhetit për mbështetjen/subvencionimin e bujqësisë, me prioritet në sektorët me përparësi krahasuese konkurruese: pemët, perimet, prodhimi e përpunimi i qumështit dhe mishit (blegtoria).
  • Për aq sa është e mundshme, rishikimi i mënyrës së mbështetjes duke e orientuar mbështetjen kah prodhimi, e jo kah inputet bujqësore.
  • Subvencionimin e kamatave për kreditë bujqësore – Bujqit që marrin kredi nga bankat do të marrin përsipër riskun e kthimit të kredisë, ndërsa qeveria do ta paguajë interesin për ato kredi. Me këtë rast, do të përcaktohen sektorët e bujqësisë, ku do të aplikohet kjo lloj politike.
  • Do të hiqet taksa doganore për të gjitha inputet bujqësore.
  • Investimin në sigurinë e ushqimit në përputhje me standardet evropiane. Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit do të kalojë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë,
  • Për rajonet malore, promovimin e shfrytëzimit racional të pyjeve duke mundësuar pyllëzimin e vazhdueshëm krahas shfrytëzimit të pyjeve.
  • Ofrimin e shërbimeve këshilluese pa pagesë për fermerë dhe bujq, siç është veterina mobile apo agronomi mobil. Në këtë aspekt, shteti do të kontraktojë veterinarë dhe agronomë, të cilët do të kenë përgjegjësi për të mbikëqyrur dhe këshilluar bujqit dhe blegtorët në rajone të caktuara.
  • Ndërtimin e kapaciteteve teknike në lokacione të caktuara për mbrojtje nga breshri.
  • Pyllëzimin e sipërfaqeve të pjerrëta për t’i ruajtur kundër erozionit.
  • Me qëllim të mbrojtjes nga insektet, pyjet dhe fushat e caktuara do të spërkaten në mënyrë të vazhdueshme.
  • Në tokat kodrinore-malore, sidomos në tokat e pashfrytëzuara bujqësore, do të mbështetet në veçanti ngritja e pemishteve, vreshtave, lajthive, arrave etj.
  • Ruajtjen e lumenjve nga shfrytëzimi i pakontrolluar i rërës dhe nga ndotja e tyre prej ujërave të zeza dhe industriale.

 

1.9.2.     Rritja e fondit për subvencione dhe grante

Për të përmirësuar bujqësinë, Qeveria do tërheqë investime të tjera përveç nga Fondi i Punësimit, duke ndihmuar me financime, subvencionime dhe kreditime me kushte të volitshme, sidomos për blerjen e makinerive bujqësore, plehrave kimikë, insekticideve apo pesticideve, farërave dhe fidanëve. Këtu një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet nxitjes së përdorimit të serave, teknikave dhe teknologjive të reja të bujqësisë. Me prioritet gjithashtu do të shihet stimulimi i sektorëve me potencial të madh zhvillimi si pemëtaria, vitikultura dhe hortikultura. Gjithashtu, do të ndryshojë plotësisht mënyra e mbështetjes duke e orientuar mbështetjen kah prodhimi, e jo kah inputet bujqësore, pasi orientimi kah inputet ka bërë që subvencionet bujqësore të mos arrijnë te bujku që e punon tokën, por tek pronari i tokës.

 

1.9.3.     Reformat ligjore për mbrojtje të bujqësisë

Qeveria do të zhvillojë politika për të siguruar që tokat bujqësore të përdoren për qëllime produktive. Do të krijohen stimuj që të nxitet punimi i tokave të pashfrytëzuara, sidomos atyre që janë privatizuar. Do të ofrohen lehtësira doganore dhe tatimore për sektorin e prodhimit primar dhe masa lehtësuese tatimore, të cilat do të ulnin edhe koston e prodhimtarisë. Kjo do të prodhonte efekte pozitive në rritjen këtij sektori dhe nivelin e punësimit të popullatës. Do të ndërmerren politika për ruajtje të destinacionit të tokës pas privatizimit. Do të vazhdojë definimi i pronësisë së tokës, si asaj private e ashtu edhe asaj publike, ngase në shumë raste toka punuese është e pa definuar ose jo mirë e definuar. Duke shfrytëzuar rezultatet regjistrimit të bujqësisë, do të bëhet Inventarizimi i menjëhershëm i stokut të bagëtive, vreshtave, serrave, pemishteve, pikave grumbulluese të qumështit, tregjeve të gjelbra etj., për të vendosur bashkëpunimin me ta dhe për t’u ofruar atyre mbështetjen e nevojshme. Do të rritet dhe më shumë mbrojtja e tregut nga importet dumping dhe format e tjera që shkaktojnë deformim të konkurrencës në treg është njëra nga masat të cilat po ashtu mund të prodhojnë efekte pozitive në rritjen e sektorit të bujqësisë.

 

1.9.4.     Përmirësimi i infrastrukturës bujqësore

Për të rigjeneruar e konsoliduar bujqësinë, Qeveria do të ndërmarrë investime infrastrukturore, që kanë për qëllim përmirësimin e sistemit të ujitje dhe kullimit. Si rezultat i kësaj, këto vite është bërë regjistrimi i tokave bujqësore i cili do të ofrojë të dhëna të sakta për sektorin e bujqësisë dhe do të lehtësojë ndërmarrjen e politikave të reja në këtë sektor. Do të investohet në sistemin e ujitjes të Ibër-Lepencit për mbulimin me sistem të ujitjes të fushave në Rrafshin e Kosovës, dhe Radoniqit për mbulimin me sistem të ujitjes të fushave në Rrafshin e Dukagjinit.

 

Gjithashtu, Qeveria do të angazhohet në ndërtimin, nëpërmjet partneritetit privato-publik, e qendrave të grumbullimit dhe distribuimit të produkteve bujqësore, të bimëve mjekësore, fryteve të egra si dhe të frigoriferëve të specializuar për mirëmbajtje, si dhe ndërtimin e infrastrukturës së grumbullimit, konservimit e paketimit. Qeveria do të vazhdojë të mbështesë investimet për ndërtimin e pikave grumbulluese të produkteve bujqësore dhe blegtorale nëpërmjet subvencionimit të kamatave dhe mbulimit të pjesshëm të investimeve me anë të subvencioneve nga shteti, në mënyrë që të inventarizohet menjëherë stoku i bagëtive, vreshtave, serrave, pemishteve, pikave grumbulluese të qumështit, tregjeve të gjelbra etj. Kjo do të paraqiste edhe njëherë angazhimin tonë, për të vendosur bashkëpunimin me sektorin privat dhe për t’u ofruar atyre mbështetjen e nevojshme për zhvillim.

 

1.9.5.     Mbështetja për sektorin e blegtorisë

Blegtoria është një ndër trashëgimitë më të pasura të Kosovës dhe besohet se mund të jetë konkurrente në treg. Qeveria do të mbështesë dhe nxisë zhvillimin e blegtorisë në Kosovë në mënyrë që të rritet prodhimi i qumështit, mishit, leshit, lëkurave dhe të nxitet industria e lidhur me këto nënprodukte. Për të mundësuar zhvillimin e blegtorisë Qeveria e ardhshme do të nxisë edhe kultivimin e tokave me bimë që i shërbejnë blegtorisë, si jonxhë, lakër, foragjere si dhe do të nxisë mirëmbajtjen e kullotave.

 

1.9.6.     Promovimi i kulturave të reja bujqësore dhe i bujqësisë organike

Qeveria do të mbështesë kërkime shkencore dhe analiza të tregut që do të hulumtojnë potencialin e kultivimit në Kosovë të kulturave të reja që nuk janë tradicionale, si: lulet apo bimët industriale që shërbejnë për farmaceutikë apo kozmetikë; fruta apo perime që nuk janë kultivuar më parë, por që janë të përshtatshme për klimën dhe tokën si për shembull kivi, shpargulla etj.; fermat të kulturave të reja që po arrijnë suksese në vende fqinje si për shembull bletaria, prodhimi i kërmijve për eksport, strucët, drerët etj. Gjithashtu, ka një ndjeshmëri të theksuar ndaj ambientit dhe e sheh zhvillimin e Kosovës të lidhur ngushtë me konservimin e natyrës që do t’i sigurojë jetëgjatësi edhe turizmit. Në tregjet ndërkombëtare është vënë re një rritje e kërkesës për produkte bujqësore organike. Përpos kësaj do të ofrohen mundësi grantesh dhe kreditime me kushte të volitshme nga shtete dhe institucione ndërkombëtare për të aplikuar bujqësinë organike. Qeveria do të angazhohet që në bashkëpunim të ngushtë me fermerët të aplikojë për të shtënë në dorë sa më shumë fonde për të nxitur zhvillimin e bujqësisë organike.

 

1.9.7.     Mbrojtja e resurseve pyjore

Ruajtja e mjedisit është një obligim dhe zotim për mirëqenien e brezave të ardhshëm. Prandaj, do të zhvillohet legjislacioni që i përcakton vlerat kufitare për lirimin e gazrave, kriteret për mbrojtjen e ujërave, ajrit dhe të tokës nga ndotja dhe përdorimi i teknologjisë që mbron klimën, në përputhje me standardet evropiane. Prioritet i veçantë do të jetë ruajtja e pasurive pyjore dhe investimet për gjelbërimin, si dhe do të promovohet shfrytëzimi racional i pyjeve, duke mundësuar pyllëzimin e vazhdueshëm krahas shfrytëzimit të pyjeve.

 

1.10.  Infrastruktura

Duke synuar zhvillimin dhe përmirësimin e mëtutjeshëm të infrastrukturës, Qeveria do të ndërmarr masa për të krijuar infrastrukturën e nevojshme, e cila do të financohet kryesisht nëpërmjet kredive të buta ose nëpërmjet partneriteteve publiko-private. Kjo formë e investimit të infrastrukturës nuk do ta ngarkojë buxhetin e shtetit.

 

1.10.1.  Infrastruktura rrugore

Infrastruktura ka pasur një shkallë të lartë të investimeve, posaçërisht në ndërtimin e korridoreve evropiane. Qeveria do të vazhdojë zbatimin e kontratës ekzistuese për ndërtimin e Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit – R6, e cila do të përfundojë në periudhën afatmesme. Me këtë autostradë, dhe autostradën R7, do të mbulohen afër dy të tretat e rutave evropiane, që do të mundësojnë qasje më të mirë të investitorëve të huaj në Kosovë dhe ndërlidhje më të mirë të qyteteve të Kosovës. Me përfundimin e Autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, Kosova përmbush kërkesat për ndërtim të korridoreve Evropiane të përcaktuara me Observatorin e Transportit të Evropës Juglindore (SEETO) dhe do t’i mundësojë Kosovës të ketë rol qendror në Ballkan.

 

Qeveria do të vazhdojë ndërtimin-zgjerimin e rrugës që lidhë Prishtinën me Vushtrrinë dhe Mitrovicën, duke përdorur fondet nga marrëveshjet që Qeveria ka nënshkruar me Bankën Islamike për Zhvillim (BIZH), OPEC Fondin për Zhvillim (OFID) dhe Fondin Saudit për Zhvillim (FSZH). Zgjerimi i magjistrales Prishtinë-Pejë do të arrihet nëpërmjet financimit nga bankat zhvillimore të cilat ofrojnë kredi afatgjate me norma të interesit më të lira. Qeveria veçse ka shprehur edhe formalisht kërkesën tek Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Banka Investive Evropiane (BIE), prej të cilave pret të ftohet për të negociuar marrëveshjet financiare për të përfunduar projekti. Do të punohet në projektin e magjistrales nga Qafa e Duhlës në drejtim të Ferizajit dhe pastaj në drejtim të Gjilanit, që mundëson lidhjen me korridorin Lindje-Perëndim dhe me magjistralen Prishtinë-Shkup. Do të fillojë projekti i rrugës që lidh Prishtinën me Podujevën, si dhe projekti i rrugës Prishtinë-Gjilan-pikë kufitare për Bujanovc.

 

Për të gjitha këto projekte infrastrukturore, përfshirë projektin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, do të bëhen përpjekje për sigurimin e fondeve jashtë buxhetit, nëpërmjet linjave kreditore të favorshme në mënyrë që mjetet e projektit të shkojnë në projekte më prioritare që nxisin punësim në sektorin privat dhe rritje të të ardhurave.

 

Qeveria do të vazhdojë mbështetjen për komunat në ndërtimin e rrugëve rajonale dhe rurale. Qeveria do të vendosë se cilat projekte do të përzgjidhen para fillimit të vitit buxhetor. Kriteret për përcaktimin e projekteve do të përcaktohen me udhëzim administrativ. Një studim gjithëpërfshirës do të kërkohet për të përcaktuar rehabilitimin dhe ndërtimin e rrugëve rajonale.

 

1.10.2.  Infrastruktura hekurudhore

Qeveria synon që nëpërmjet Bankave zhvillimore të financojë rehabilitimin e Linjës 10 të hekurudhës, e cila mundëson transport më të lirë për qytetarët dhe mallrat. Gjatë katër viteve Qeveria do të financoj rehabilitimin e linjës Lindje-Perëndim, e cila mundëson lidhje hekurudhore me Shqipërinë dhe Malin e Zi, respektivisht do të krijohej lidhja me portet detare në Adriatik. Studimi për lidhje me këto shtete duhet të bëhet sipas strategjisë multimodale të transportit, me prioritizim pranë sekretariatit të Observatorit të Transportit të Evropës Juglindore (SEETO) dhe në bashkëpunim me shtetet fqinje. Pas rehabilitimit të bazamentit të linjave ekzistuese dhe me elektrifikimin e linjave nga shtetet fqinje, do të pasoj investimi në elektrifikim të hekurudhave.

 

1.11.  Telekomunikacioni dhe teknologjia e informacionit

Zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të telekomunikacionit që nga paslufta është penguar jashtëzakonisht shumë, si pasojë e problemeve me statusin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, e sidomos ato të profilizuara në fushën e telekomunikacionit. Menaxhimi i kufizuar i numeracionit dhe resurseve frekuencore vazhdon të ketë efekte negative në të hyrat e përgjithshme të sektorit të telekomunikacionit. Sektori i telekomunikacionit ka vazhduar të liberalizohet dhe Kosova tani ka një rrjet edhe më të zgjeruar të shërbimeve të telekomunikacionit, çmime të përballueshme me pakicë të thirrjeve me zë dhe të të dhënave. Liberalizimi dhe lansimi ka prekur edhe teknologjinë 3G dhe 4G/LTE, e cila ka hapur horizont të gjerë për të ardhmen e komunikimeve në Kosovë.

 

Për zhvillimin e mëtutjeshëm të telekomunikimeve qeveria e Kosovës do të fokusohet në 3 prioritete kryesore :

  1. Zhvillimi i infrastrukturës së TIK me fokus zhvillimin e infrastrukturës brezgjerë dhe sigurinë e rrjetave dhe komunikimeve elektronike,
  2. Zhvillimin e shërbimeve dhe përmbajtjeve elektronike dhe promovimin e shfrytëzimit të tyre,
  3. Avancimin e aftësive të banorëve të Kosovës në përdorimin e TIK

 

 

1.11.1.  Marrja e kodit telefonik shtetëror

Aktualisht Kosova vazhdon të ketë vetëm tre kode për shërbime telefonike (+377, +386 për shërbime të telefonisë mobile dhe +381 për shërbime te telefonisë fikse), gjë që zvogëlon atraktivitetin për investime në sektorin e telekomunikacionit, humbje financiare dhe vështirësitë e mëdha për të menaxhuar sistemin e numeracionit nga ana e rregullatorit dhe operatorëve që ofrojnë shërbime telekomunikuese në Kosovë. Kjo është adresuar në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ku edhe është arritur marrëveshja ndërmjet palëve që Kosovës t’i ndahet kodi 3 –shifror thirrës telefonik nga ITU (International Telecommunication Union). Ky kod ofron një mundësi reale për zgjidhjen e problemeve madhore të telekomit. Për momentin operatori ‘Vala’ e shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ndërsa Ipko kodin slloven (+386) me notifikimet përkatëse pas sigurimit të kodit shtetëror dhe pas vendimeve përkatëse të ART-së këto kontrata edhe do pushojnë të qenit valide. Pas marrjes së kodit, të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse në Kosovë do të jenë të obliguar që të përdorin kodin e ri unik pas një periudhe të përcaktuar nga ART.

 

1.11.2.  Privatizimi i VALA-s pas ristrukturimit të nevojshëm

Procesi i privatizimit të 75% të aksioneve të operatorit publik të telekomunikacionit, PTK, u përmbyll me mos privatizim të këtyre aksioneve për shkak të mos aprovimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Si rezultat i kësaj, do rishikohet strategjia dhe do të punohet intensivisht në përmirësimin e performancës të kësaj kompanie dhe po ashtu do të bëhen investime kapitale për ta rritur aftësinë konkurruese dhe vlerën e saj të tregut.

 

1.11.3.  Liberalizimi i mëtejmë i tregut të telefonisë mobile

Fluksi i shërbimeve me vlerë të shtuar të komunikimeve elektronike po rritet eksponencialisht. Në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, është arritur marrëveshja mbi telekomunikacionin, në shtatorin e vitit 2013. E arritura kryesore ishte marrëveshja në mes të palëve që Kosovës t’i ndahet kodi 3-shifror thirrës telefonik nga Unioni Ndërkombëtarë i Telekomunikacionit (UNT) duke filluar nga viti 2015. Një ndër tri politikat kryesore, të dala nga dokumenti i politikave të sektorit të komunikimeve elektronike – agjenda digjitale për Kosovën 2013-2020, është zhvillimi i infrastrukturës së teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. . Ky prioritet ka filluar të jetësohet në drejtim të liberalizimit të mëtutjeshëm të shërbimeve mobile brezëgjëra përmes lejimit të përdorimit të teknologjive të reja që mundësojnë shërbimet e avancuara mobile brezëgjëra (3G dhe 4G/LTE).

 

Përdoruesit e internetit vazhdojnë të kenë rritje me ritëm të lartë, ku numri i përgjithshëm ka arritur në 167,953, me penetrim për banor prej mbi 9% dhe penetrim për shtëpi prej 56%. Përdorimi i internetit fiks ka vazhduar të ketë rritje progresive. Tanimë mund të themi se tregu i ofrimit të internetit është pothuajse tërësisht i liberalizuar, duke marrë parasysh faktin që deri më tani janë licencuar 50 ofrues të shërbimeve të internetit. Operatorët kryesorë janë njëkohësisht edhe operatorët që janë të lidhur në nyjën shkëmbyese të internetit KOS-IX: Ipko, PTK, Kujtesa dhe Artmotion, të cilat ofrojnë shërbime tejet moderne të internetit, me theks të veçantë ngritja e teknologjisë në DOC SIS 3.0 si dhe shtrirja e fibrit nëpër shtëpi FTTH nga një sërë operatorësh të vegjël.

 

  • Teknologjia e Informacionit

 

Në tërë globin, teknologjia informative (TI) ka ndikim të madh në transformim ekonomik, në reformat e sektorit publik si dhe në tërë shoqërinë përgjithësisht. Ky trend kah transformimi dixhital, sektori i TI-së është vendosur si prioritet kryesor në agjendat e shumë qeverive. Përveç kësaj, duke marrë parasysh vlerën e përgjithshme të kësaj teknologjie në tregun botëror 1,133,330 milion EUR (viti 2013[1]), sektori i TI-së nuk është vetëm njëri prej sektorëve më të mëdhenj, por është edhe sektori më dinamik, duke e shndërruar këtë sektor si kyç për rritje ekonomike dhe inovacion.

Qeveria e Kosovës duke marrë parasysh rëndësinë strategjike të sektorit të TI-së, këtë teknologji e konsideron si një ndër prioritetet më të rëndësishme për zhvillim ekonomik dhe transformim struktural kah një ekonomi të bazuar në dije. Shtyllat kryesore në të cilat do të bazohet zhvillimi i TI-së në Kosovë do të jenë:

 

  • Politikat promovuese, eksportuese dhe të investimeve për TI
  • Zhvillimi i tregut të brendshëm si dhe bashkëpunimi në mes të ndërmarrjeve të TI-së
  • Ngritja e niveli të ndërmarrësisë, si dhe kualitetit të punës në ndërmarrjet e TI-së
  • Edukimi, Inovacioni dhe zhvillimi i kapaciteteve për Hulumtim dhe Zhvillim në TI

Për zhvillim sa më të qëndrueshëm dhe duke synuar krijimin e një shoqërie dhe ekonomie të bazuar në dije, Qeveria e Kosovës do të krijoj fond të veçantë për zhvillim të Teknologjisë Informative dhe Komunikuese.

 

1.12.  Zhvillimi i turizmit

Turizmi ka qenë dhe mbetet fushë e rëndësishme për shoqërinë e Kosovës dhe për zhvillimin ekonomik të sektorit privat dhe ekonomisë në përgjithësi. Kosova ofron mundësi të mirë për turizëm dimëror dhe malor, atij rekreativ-sportiv, turizmit kulturor të bazuar në trashëgiminë tonë historiko-kulturore. Me krijimin e infrastrukturës rrugore dhe asaj ajrore, lidhjen më të shpejtë me Shqipërinë, Maqedoninë që pritet të përfundoi shpejt, si dhe vendet e tjera, ka ndikuar dhe do të ndikojë edhe më shumë pozitivisht në rritjen e fluksit të turistëve në Kosovë. Kjo ka mundësuar dhe do të rrisë më tutje mundësinë që edhe Kosova të jetë pjesë e hartës ballkanike të grupeve të ndryshme vizitorësh, duke filluar nga qëndrimi një ditor dhe më gjatë. Gjithashtu infrastruktura rrugore e përfunduar për në destinacionet kryesore siç është Gryka e Rugovës apo edhe Brezovica, kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e turizmit në ato pjesë.

 

Në këtë drejtim, Qeveria do të promovojë turizmin si sektor që ka efekte të shumta në ekonomi dhe mbrojtje të ambientit. Zhvillimi i turizmit do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në disa fusha si: në prodhim, në rritjen e të ardhurave, në zhvillimin e veprimtarive ekonomike, hoteleri, transport, tregti, institucionet kulturore etj., në rritjen e punësimit, ngritjen e nivelit të standardit jetësor, në rritjen e investimeve, në përmirësimin e bilancit të pagesave, në zhvillimin e viseve të pazhvilluara etj. Ndërsa ndikim indirekt do të ketë në veprimtaritë ekonomike, siç janë: bujqësia, ndërtimtaria, industria, artizanatet, etj. Rëndësia ekonomike e turizmit, si një nga përcaktuesit e zhvillimit, përbën vetëm një pjesë të vogël të sistemit të përgjithshëm ekonomik të Kosovës. Qeveria me theks të veçantë do të fokusohet në:

  • Përmirësimin dhe zhvillimin e infrastrukturës që mundëson zhvillimin e turizmit.
  • Përgatitjen hartave turistike për secilën komunë.
  • Rivlerësimin e potencialeve turistike të Kosovës bazuar në standardet ndërkombëtare.
  • Investime për avancimin e gastronomisë lokale dhe shfrytëzimin e saj si prodhim turistik.
  • Promovimin dhe mbështetjen e turizmit balnear (shëndetësor).
  • Promovimin e turizmit malor në destinacione turistike të nivelit të lartë, posaçërisht në Bjeshkët e Nemuna dhe në Malet e Sharrit.
  • Bashkëpunimin me komunitetet lokale për t’i ruajtur monumentet natyrore.
  • Hapjen e faqeve turistike për tërë territorin e Kosovës dhe vendet turistike veç e veç.
  • Do të punohet në hartimin e një oferte të përbashkët turistike me Republikën e Shqipërisë për vizitorët dhe investitorët e huaj si dhe për diasporën shqiptare.

 

1.12.1.  Zhvillimi i resorit turistik multifunksional “Brezovica”

Tani Kosova ofron mundësi për zhvillimin e turizmit në disa pjesë të saj, siç është Qendra e Skijimit në Brezovicë, në malet e Sharrit. Ky resurs gjendet mes 1.700 dhe 2.500 m lartësi mbidetare. Ai ofron kushte të shkëlqyeshme gjatë sezonit të skijimit nga nëntori deri në maj. Pasuria e Brezovicës përfshin tri hotele me 680 dhoma, dy restorante dhe nëntë ski teleferiku me kapacitet transporti të 10.000 skiatorë në orë. Nëpërmjet afërsisë me Aeroportin e Prishtinës (60 km) dhe Shkupit (70 km), ky resurs paraqet një destinacion potencial për turistët e huaj dhe ka mundësi të bëhet destinacioni më i favorizuar turistik dimëror në Ballkan.

 

Gjatë mandatit qeverisës, do të jetësohet Projekti për Zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës, i cili tashmë ka filluar, i klasifikuar si projekt me rëndësi kombëtare. Me fillimin e projektit të Brezovicës, në Kosovë do të hapen mbi 3000 vende të reja të punës, e në realizimin e këtij projekti, parashihen të investohen mbi 400 milionë euro. Ne do të vazhdojmë të punojmë me prioritet të lartë për t’i modernizuar, avancuar si dhe krijimin e kushteve për marrje me turizëm të sa më shumë qytetarëve, sidomos të pjesëve turistike të Kosovës. Do të ofrojmë ndihmë, këshilla, lehtësime si dhe mundësi promovimi turizmit të Kosovës.

 

1.12.2.  Zhvillimi i turizmit rural dhe malor

Turizmi rural apo agroturizmi përbën një tjetër sektor me potencial të madh zhvillimi në Kosovë. Numri i turistëve që preferojnë këtë lloj turizmi në nivel ndërkombëtar, por edhe në nivelin vendas, sa vjen e rritet. Po ashtu po vihet re një tendencë e qytetarëve të zonave urbane të Kosovës për të kaluar kohë në zonën rurale në kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën dhe me veprimtaritë tradicionale të bujqësisë dhe blegtorisë. Prandaj, besojmë se zhvillimi i agro-turizmit duke huazuar nga përvojat më të mira ndërkombëtare, në zonat piktoreske të shumta të Kosovës ka për ta bërë sa më të larmishme dhe të gjatë ofertën turistike të vendit tonë dhe ka për të shtuar ndjeshëm punësimin dhe të ardhurat në sektorin e turizmit. Përveç aspektit të bukurisë së natyrës, agroturizmi kosovar mund të stimulohet edhe prej pranisë së kulinarisë karakteristike, traditës së pasur folklorike si dhe bujarisë tipike kosovare. Në mandatin e ardhshëm, Qeveria do të hartojë një strategji gjithëpërfshirëse për këtë sektor, si dhe do të kanalizojë një pjesë të fondeve për ta stimuluar këtë sektor.

 

1.12.3.  Mbrojtja e resurseve natyrore

Qeveria, me gjithë përqendrimin në shtetndërtim dhe zhvillim, një ndër prioritetet do ta ketë edhe mbrojtjen e resurseve natyrore të Kosovës. Në funksion të kësaj janë dhe veprojnë Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit (AKMM) si pjesë e saj. Po ashtu, organizata të tjera qeveritare dhe joqeveritare janë aktive në mbrojtjen e resurseve natyrore. Mbrojtja e resurseve natyrore realizohen nëpërmjet institucioneve qeveritare të parapara me aktet ligjore dhe të cilat angazhohen të ruajnë kualitetin e ajrit, ujit, tokës dhe biodiversitetit, të promovojë shfrytëzimin e burimeve të ripërtrishme të energjisë dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore me qëllim që të sigurojë një mjedis të shëndetshëm për brezat e tashme dhe të ardhshëm, në harmoni me progresin e zhvillimeve ekonomike dhe sociale.

 

Një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar do të jetë mbrojtja e resurseve natyrore të Kosovës, me politika të qarta dhe të veçanta për resurset natyrore. Misioni ynë do të jetë mbrojtja e resurseve në bashkëpunim me vendasit e atyre pjesëve, duke i stimuluar për ruajtjen e ambientit si dhe krijimin e kushteve për jetesë të banorëve të atyre pjesëve.

 

1.13.  Përmirësimi i performancës së ndërmarrjeve publike

Qeveria do të forcojë qeverisjen koorporative të përgjegjshme dhe profesionale, që siguron qëndrueshmëri të ndërmarrjeve publike, cilësi të lartë të shërbimeve për qytetarët dhe ekonomi të shkallës që ofron shërbime me kosto më të ulët sesa sektori privat. Me qëllim të përmirësimit të performancës së ndërmarrjeve publike Qeveria do të rishikoj bazën ligjore dhe arsyeshmërinë që i ndan ndërmarrjet publike në qendrore dhe lokale, për të siguruar se në vendimmarrje të këtyre janë të përfshirë akterët që janë të prekur nga veprimtaria e këtyre ndërmarrjeve.

Duke synuar një kontroll dhe menaxhim sa më efikas, do të shqyrtohet mundësia që disa nga ndërmarrjet publike të transferohen për monitorim nga ministritë përkatëse. Pavarësimi nga buxheti i shtetit do të shqyrtohet për një numër ndërmarrjesh publike, me theks të veçantë ndërmarrjet me karakter komercial, por asnjëherë duke dëmtuar shërbimet për qytetarët, do të mbështetet mbulimi i një pjesë të shërbimeve publike te familjeve ne asistence sociale nga shërbimet e energjisë elektrike, ujit te pijes, ngrohjes dhe mbeturinave.. Duke marrë parasysh se procedurat e prokurimit publik janë evidentuar si pengesë për investime të reja dhe disa aktivitete komerciale të disa ndërmarrjeve publike, do të shikohen mundësitë që ato ndërmarrje publike që ballafaqohen me konkurrencë të drejtpërdrejtë nga sektori privat, të marrin trajtim të veçantë ligjorë nga procedurat e prokurimit publik. Do te shikohet mundësia e prioritizimit të shqyrtimit te lendeve nga gjykatat si ankesa mbi pagese nga Ndërmarrjet publike nga konsumatorët borxhlinj.

 

Privatizimi i ndërmarrjeve publike duhet të ndodhë, por vetëm atëherë kur privatizimi si proces do ta maksimizonte vlerën e ndërmarrjes dhe përfitimeve të tjera që ndërlidhen me privatizimin. Sa i përket privatizimit të PTK-Vala900, Qeveria do ta rishikojë strategjinë ekzistuese për privatizimin e saj. Para se të privatizohet duhet të përmirësohet performanca e kësaj kompanie, nëpërmjet një menaxhmenti efikas dhe investimeve kapitale për ta rritur aftësinë konkurruese të kësaj kompanie dhe vlerën e saj të tregut. Për secilën ndërmarrje do të vendosen indikatorët kryesorë të performancës, në mënyrë që menaxhmenti dhe bordet e këtyre ndërmarrjeve të mbahen përgjegjës për punën e tyre.

 

1.14.  Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe ndërmarrjet shoqërore

Procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore ka kaluar në fazën e përfundimit, dhe për këtë Qeveria do të fokusohet në rishikimin e legjislacionit që rregullon funksionimin e AKP-së, për të siguruar llogaridhënie të rregullt dhe efikase. Gjithashtu, në kuadër të kësaj do të vendoset një afat kohor për përmbylljen e procesit të privatizimit dhe likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe për përfundimin e punës së kësaj agjencie. Siç eshë theksuar më lartë, Qeveria do të hartoj një strategji kombëtare, për tu aprovuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për përdorimin e fondeve të grumbulluara nga privatizimi dhe likuidimin e ndërmarrjeve shoqërore. Këto fonde do të përdoren për subvencionimin e kamatave për kredi bujqësore dhe për investime në ndërmarrje të vogla dhe të mesme, me qëllim të nxitjes së punësimit. Një pjesë e këtyre fondeve do të orientohet për ngritjen profesionale dhe aftësimin e mëtutjeshëm profesional të punëtorëve që mbesin të papunë nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore. Me qëllim të ngritjes së efikasitetit të trajtimit të kërkesave të kreditorëve potencialë nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore nga ana e Dhomës së Veçantë të Gjykatës Supreme, Qeveria do të rishikoj bazën ligjore që rregullon këtë fushë. Do të auditohen rastet e privatizimeve me spin-off special lidhur me përmbushjen e kushteve të kontratës.

 

1.15.  Ujërat

Në Kosovë brenda vitit mesatarisht rrjedhin rreth 120 m³/sec. Nga kjo sasi akumulohet vetëm 15%, ndërsa në total shfrytëzimi i ujit për të gjitha veprimtaritë socio-ekonomike nuk e kalon 20-përqindëshin e ujit që rrjedh. Kjo dëshmon se Kosova ka ujë, por planifikimi dhe shfrytëzimi i ujit si resurs ekonomik dhe social është në shkallë shumë të ulët. Brenda afatit gjashtëmujor do ta përfundojmë strategjinë për ujërat dhe do të përcaktohen qartë burimet ujore për pije, për industri, për bujqësi dhe për ekonomi.

 

Sot rreth 20% e popullsisë së Kosovës nuk ka qasje në furnizim publik me ujë. Prandaj, uji i pijshëm do të jetë prioritet. Në këtë kuadër, do të punohet që në partneritet me donatorët dhe institucionet financiare, të finalizohet me kohë projekti për Prishtinën, ndërsa në periudhën e ardhshme katërvjeçare fshatrat dhe zonat e tjera, që nuk kanë ujë në tetë komunat që furnizohen nga ky sistem, të lidhen me rrjetin e ujësjellësit dhe të furnizohen me ujë nëpërmjet qasjes publike.

 

1.15.1.  Plani për menaxhimin e ujërave

Qeveria e Kosovës do të sigurojë nga donatorët financim të një studimi gjithëpërfshirës për menaxhimin ujërave për një periudhë afatgjate. Zonat urbane janë duke pësuar rritje të konsiderueshme të popullsisë, e cila po shkakton mbingarkesë të ndërmarrjeve rajonale të ujësjellësve. Prandaj, krijimi i kapaciteteve të reja është i domosdoshëm. Plani do të studionte mundësitë më të volitshme të krijimit liqeneve të nevojshme për t’u ballafaquar me kërkesat e qytetarëve dhe për të ofruar ujë të pijshëm 24 orë. Kompanitë rajonale dhe lokale të do të stimulohen për të përmirësuar menaxhimin, në mënyrë që të lehtësohet financimi i drejtpërdrejtë nga bankat zhvillimore të cilat operojnë në Republikën e Kosovës. Qeveria ka programin me donatorë për shtrirje të mëtutjeshme të rrjetit në zona rurale si dhe rehabilitimin e rrjetit ekzistues.

 

1.15.2.  Trajtimi i ujërave të zeza

Në qendrat e mëdha urbane, që paraqiten si ndotës të mëdhenj të ujërave dhe lumenjve, do të fillojë implementimi i impianteve. Do të investohet edhe në liqenin e Batllavës dhe të Badovcit, me qëllim të evitimit të ujërave të zeza dhe ujërave të tjera ndotës. Fondet do të sigurohen nga buxheti, duke bërë riorientimin e investimeve, si dhe nga donatorët dhe institucionet financiare ndërkombëtare. Qeveria, me ndihmën e donatorëve, ka funksionalizuar Fabrikën e trajtimit të Ujërave në Skenderaj, ndërsa në Prizren dhe Gjakovë ka nënshkruar marrëveshje të financimit me donatorë për të mbuluar gjysmën e qyteteve me këtë shërbim, që është i domosdoshëm për mbrojtjen e mjedisit. Së shpejti do të sigurohet financimi për fabrikën e trajtimit të ujërave në Pejë, e cila do të mbulonte në masë të madhe pellgun e Drinit të Bardhë. Gjatë katër viteve të ardhshme, Qeveria do të siguroj marrëveshje financimi edhe për Prishtinën, Ferizajin, Gjilanin dhe Mitrovicën.

 

1.15.3.  Investimet në sistemin e ujitjes

Do të bëhet zgjerimi i dy sistemeve kryesore, Ibër-Lepencit dhe Radoniqit, si dhe projektimi dhe ndërtimi i sistemeve të reja të ujitjes, duke shfrytëzuar edhe një pjesë të madhe të lumenjve të Kosovës, siç janë: Drini, Lepenci, Ereniku, Lumbardhi, Sitnica, Drenica, Llapi e Morava. Do t’i dyfishojmë sipërfaqet që do të ujiten, ndërsa do të fillojmë investimet madhore duke ndërtuar akumulime, të cila do të kenë destinim ujitjen e tokave bujqësore, por edhe destinime të tjera. Do të fillojë rregullimi i lumenjve kryesorë, si dhe ndërtimi i akumulimeve mbi këta lumenj. Kjo do të mundësojë shfrytëzimin më të madh të tyre dhe do t’i parandalojë vërshimet. Gjithashtu, do të identifikohen të gjitha lokacionet e mundshme, në mënyrë që potenciali ujor të shfrytëzohet edhe për prodhimin e energjisë elektrike, duke i plotësuar kriteret mjedisore dhe ato të BE-së. Interesimi i investitorëve në këtë fushë është i madh. Ne do t’i përkrahim të gjitha projektet, të cilat do të sigurojnë energji shtesë nga burimet ujore.

 

1.16.  Politikat sociale, mirëqenia sociale dhe solidariteti ndërshoqëror

 

1.16.1.  Parimet e politikave të mirëqenies sociale

Qeveria angazhohet për forcimin e ekonomisë së tregut dhe zhvillimin ekonomik, si mjet kryesor për zbutjen e varfërisë dhe të papunësisë, gjithashtu duke siguruar një solidaritet ndërshoqëror, nëpërmjet politikave ekonomike rishpërndarëse të të ardhurave. Politikat sociale do të sigurojnë stabilitetin financiar dhe qëndrueshmërinë e skemës së kontributeve të obligueshme pensionale si dhe do të promovohen skemat e kursimeve vullnetare.

 

Zvogëlimi i problemeve sociale dhe mirëqenia sociale janë të ndërlidhura drejtpërdrejt me zhvillimin ekonomik dhe rritjen e shkallës së punësimit. Hapja e vendeve të reja të punës është e vetmja mundësi për zvogëlimin e problemeve sociale në Kosovë. Qeveria beson që duhet ndërtuar një sistem i mirëqenies, i cili objektiv primar e ka riaftësimin e personave që varen nga asistenca sociale. Duke qenë se numri më i madh i përfituesve të asistencës sociale u takojnë zonave rurale, përkrahja e sektorëve të caktuar, të cilët kanë shtrirje në këto zona si bujqësia, blegtoria dhe të ngjashme është mundësi për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e kushteve të këtyre familjeve.

 

Qeveria do të trajtojë mirëqenien sociale si tërësi për krijimin e kushteve për punësim, arsimim cilësor si dhe shërbime efikase për kategoritë sociale. Qeveria do të mbështet përmirësimin e gjendjes së përfituesve të asistencës sociale dhe pensioneve bazë. Zvogëlimi i numrit të personave në asistencë sociale dhe integrimi i tyre në shoqëri do të bëhet duke promovuar punësimin e tyre. Asistenca sociale do të dizajnohet në atë mënyrë që të nxisë personat e varur nga asistenca të kërkojnë punë dhe të rrisin atësitë e tyre për tregun e punës.

 

1.16.2.  Trajtim i kategorive të veçanta

Kategoritë e Luftës duke përfshirë këtu Familjet e Dëshmorëve, Invalidët, Veteranët dhe Pjesëtarët e UÇK-së si të Familjeve të Viktimave Civile të Luftës, përbëjnë një pjesë të ndjeshme të shoqërisë së Kosovës, e cila përballet me vështirësi të shumta. Përballja me këtë kategori të veçantë, ka edhe ndjeshmëri politike përveç anës sociale të problemit. Qeveria do të fillojë zbatimin e ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre, i cili gjithashtu do të ndryshohet në përputhje me kërkesat përkatëse. Do të vazhdojë të rritet ndihma për invalidë, familje të dëshmorëve, veteranëve dhe kategorive të tjera të luftës. Përveç pensioneve, përfituesit e skemës do të vazhdojnë të kenë beneficione në: lirim nga shpenzimet e energjisë elektrike dhe lirim nga shpenzimet e doganimit të veturave për invalidë të luftës. Qeveria e Kosovës do të vazhdojë bashkëpunimin me shoqatat, të cilat përfaqësojnë kategoritë e dala nga lufta.

 

1.16.3.  Ruajtja e standardit të jetës së atyre që varen nga shteti

Qeveria do të angazhohet që asistenca sociale që ofron shteti për më të varfrit të sigurojë që familja, me mjetet që merr, të plotësojë nevojat elementare. Për aq sa është e mundshme, asistenca sociale do të kushtëzohet me punë aktive të përfituesve dhe me pjesëmarrje në riaftësim, si masë për zbutjen e varfërinë dhe varësisë nga asistenca sociale. Do të eliminohen në maksimum pengesat që dekurajojnë kompanitë t’i marrin femrat në punë, si dhe do të nxitet punësimi i personave të moshuar që ende nuk kanë arritur kohën e pensionimit.

 

Sistemi pensional do të avancojë më tutje për përfituesit nga: pensionet bazike, kontributdhënëse, për personat me aftësi të kufizuar, pensionistët e “Trepçës”, ata të ish-pjesëtarëve të TMK-së dhe të FSK-së. Gjatë periudhës 4-vjeçare në mënyrë të vazhdueshme do të ketë rritje të pagesës për këto kategori.

  • Do të vazhdojmë nënshkrimin e marrëveshjeve në sferën e pensioneve me vendet ku kanë punuar shtetasit e Kosovës. Këto marrëveshje do të sigurojnë për realizmin e të drejtës në pension për të gjithë ata që kanë punuar në shtetet tjera.
  • Do të vazhdojë ofrimi i shërbimeve për strehim familjar për fëmijë që nuk kanë lidhje farefisnore dhe realizimi i strehimit familjar të fëmijëve pa përkujdesje prindërore.
  • Gjithashtu, do të vazhdojë zbatimi i skemës për mbështetje të familjeve që kanë fëmije me aftësi të kufizuar të përhershme prej 1-18 vjet, me dyfishim të shumës aktuale prej 100 euro në muaj.
  • Po ashtu, do të vazhdojë ndihma në strehimin dhe mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Do të vazhdojë dhe rritet përkujdesja institucionale 24 orëshe për fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara mendore, për rezidentë që ndodhen në Institutin Special në Shtime dhe në shtatë shtëpi me bazë në komunitet. Do të vazhdojë përkujdesja e shtuar ndaj të moshuarve pa përkujdesje familjare në Shtëpinë për Persona të Moshuar në Prishtinë dhe në dy shtëpi me bazë në komunitet.
  • Do të rritet ndihma sociale për familjet me nevojë të përfshirjes në Skemën e Ndihmës Sociale.
  • Do të vazhdojë subvencionimi në bashkëpunim me KEK-un i energjisë elektrike për familje në Skemën SNS dhe në Skemën e FDIL-ës. Vazhdimi i përkrahjes për veteranët e luftës, invalidët dhe familjet e dëshmorëve

 

1.16.4.  Promovimi i ndërmarrësisë për të zvogëluar varësinë nga asistenca sociale

Qeveria do të zhvillojë politika aktive sociale që promovojnë ndërmarrësinë, për ta zvogëluar varësinë nga skemat sociale, nëpërmjet ndërmarrësisë tek të rinjve dhe femrat. Në zonat rurale në veçanti, do të ofrohen mundësi për zhvillim intensiv në bujqësi dhe stimuj të tjerë në fushën e kreditimit bujqësor. Kujdes i veçantë do t’u kushtohet punëtorëve që ndikohen nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore, në mënyrë që ata të mos bëhen barrë e asistencës sociale. Financimi i shtesës për pensionistët kontribut dhënës në ish-Jugosllavi do të rishikohet, nëpërmjet aplikimit të parimit të solidaritetit për këtë kategori, sikurse në vendet e tjera.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

1

EITO 2014/2015

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/programi-i-plote-per-ekonomi-i-qeverise-se-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala