Profesorët e korruptuar

Autori:Avdyl Pajaziti

Regjistrimet e paligjshme, shitblerja e notave, nepotizmi janë dukuri shqetësuese të përhapura në arsimin e lartë, përkatësisht në Universitetin Publik të Prishtinës.

Sipas të gjeturave të një hulumtimi të bërë nga D4D (Demokracia për zhvillim), 61 për qind e studentëve të UP-së mendojnë se provimet mund të kalohen me ryshfet, ndërsa 64 për qind mendojnë se e njëjta mund të arrihet duke u thirrur në lidhjet familjare apo të miqësisë, shkruan Gazeta Fjala.

Gjithashtu në mes të tjerash në këtë hulumtim thuhet se katër të pestat e studentëve të anketuar kanë raportuar së ka mësimdhënës që i detyrojnë ata për t’i blerë tekstet e tyre dhe i trajtojnë padrejtësisht nëse ata nuk e bëjnë këtë.

“Shumë shpesh tekstet janë shitur nga vetë profesorët të cilët kërkojnë nga studentët që të shkruajnë emrin e tyre në libër, në mënyrë që ekzemplari i njëjtë të mos mund të përdoret nga një student tjetër”, thuhet në raport.

Mirëpo edhe pse  studentët janë në dijeni për gjithçka që ndodh në universitet, ekziston një besim i përgjithshëm që denoncimi i korrupsionit nuk ndryshon asgjë, transmeton Gazeta Fjala.

“Studentët kanë frikë se nuk do të kenë ndonjë mbështetje për raportimin e korrupsionit – përkundrazi, ata kanë frikë nga hakmarrja nëse bëjnë denoncim”, thuhet në raportin e D4D.

Kujtojmë së në dhjetor të vitit 2013’të, një grup prej 11 ish-drejtuesve studentorë, katër prej tyre asistentë, u arrestuan dhe u paditën për korrupsion. Ata u akuzuan për ndërmjetësim të paligjshëm të regjistrimit të studentëve të rinj dhe për nota në universitet

Një seri e mesazheve të shkëmbyera në mes të dyshuarve, të publikuara në media, tregonin për përfshirjen e një numri të profesorëve në këtë çështje, por asnjë vendim ligjor nuk u mor kundër ndonjërit prej tyre.

Ndërkaq gjashtë muaj më vonë, të gjithë personat e arrestuar u liruan nga paraburgimi, ndërsa konfirmimi i aktakuzës është ende në pritje. Së paku dy prej tyre u kthyen në detyrat e tyre të mësimdhënies në pritje të gjykimit./Gazeta Fjala/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/profesoret-e-korruptuar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala